“Lugina Summer School 2019” bashkon shqiptarët përmes ligjëratave dhe aktiviteteve tjera



Lugina e Preshevës përmes shkollës verore “Lugina Summer School 2019” ka bashkua shqiptarët për disa ditë përmes ligjëratave dhe aktiviteteve tjera shkencore.

Edicioni i dytë i shkollës verore “Lugina Summer School 2019” ka filluar më 24 gusht ku në hapjen e këtij edicioni morën pjesë ligjërues si edhe përfaqësuesit komunalë të Preshevës e Bujanocit, kryetari i KNSH-së dhe përfaqësues të tjerë të organizatave joqeveritare.

Risia e këtij edicioni është zgjerimi për pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare.

“Çfarë e dallon këtë edicion nga ai i kaluari, është llojllojshmëria e pjesëmarrësve, meqenëse këtë vit janë pranuar edhe aplikues nga trevat tjera shqiptare jashtë dy komunave tona, pra nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, thuhej në njoftimin e tyre.

Në ditën e parë ligjërues ka qenë profesori universitar Ali Pajaziti me temën “Rimendimi i ekstremizmave-Shekulli XXI në fokus.

Më 25 gusht vazhdoi dita e dytë e Lugina Summer School 2019, ku ligjërues ishte profesori Fitim Uka me temën: “Sfidat dhe dilemat psikologjike të njeriut modern”, ndërsa ligjëruesi tjetër Belgzim Kamberi e kishte për temë “Pakicat nacionale në mes të integrimit institucional dhe diskriminimit shtetëror-Rasti i Luginës së Preshevës”.

Dita e tretë e shkollës verore vazhdoi me ligjëruesin Latif Mustafa me temën “Kritika e rrëfimeve të mëdha”, teksa ligjëruesja tjetër Merjeme Gashi për temë kishte “Gruaja dhe sfidat e saj në modernitet”. Në ditën e tretë u mbajtën edhe punëtori nga Arbër Zeka dhe Yll Avdijaj, psikoterapeutë në Shoqatën e Psikoterapeutëve të Kosovës.

Në ditën e katërt dhe të fundit të edicionit të dytë të shkollës verore “Lugina Summer School” 2019, u shtjellua tema “Globalizmi dhe sfidat e demokracisë në Ballkanin Perëndimor” nga ligjëruesi Mevludin Ibishi dhe njëkohësisht është mbajtur edhe një program mbyllës të kësaj shkolle verore.

Në programin përmbyllës të shkollës verore, që u mbajt pas ligjëratës,  të pranishëm ishin  kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi me përfaqësues komunalë, koordinatori për arsim i KNSH-së në Bujanoc Enkel Rexhepi, si dhe koordinatori i zyrës për të Rinj në Preshevë Altin Boriçi.

“Dhe, pas gjithë kësaj, koordinatorët e Lugina Summer School 2019, Shuajb Rashiti dhe Leotrim Edipi u shpërndanë certifikatat pjesëmarrësve, duke i bashkëngjitur si dhuratë simbolike nga një libër të siguruar nga shtëpia botuese Logos-A, nga stafi i Lugina Summer School 2019, libra këto të cilat u janë dhuruar po ashtu edhe secilit ligjërues që prej ditës së parë në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen”, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton KultPlus.com

Përndryshe, organizimi i shkollës verore “Lugina Summer School 2019” është ndër organizimet e radha që mbahen në Luginën e Preshevës, meqë të njëjtit nuk kanë gjithë hapësirën dhe lirinë e nevojshme në të gjitha dimensionet për shkak të qasjes diskriminuese që Serbia ka ndaj shqiptarëve atje. / Përgatiti: Qendrim Badalli/ KultPlus.com