“Lule Bore Creation”, iniciativa kreative për dekorime unike ndaj fëmijëve

Me sjelljen e një fëmije në jetë, edhe rëndësia e përzgjedhjes së një dhurate unike rritet. Me këtë qëllim kishte nisur iniciativa e Farete Ajdarit, e cila ka themeluar “Lule Bore Creation”.

Kjo nismë e saj e cila u zgjerua nëpërmjet rrjeteve sociale sjell dekorime unike për fëmijët, si një dhuratë simbolike që mbahet mend gjatë.

3 vite më parë ajo kishte vendosur që të jetë afër klientëve, duke përdorur gjëra elementare për foshnjat, e që përmes tyre të krijoj forma estetike dhe të veçanta.

Me përdorimin e penjve të ndryshëm, pelenave, luleve dhe detajeve të tjera, Faretja arrin të sjell për klientët e saj forma të ndryshme si karrocë, torte, biçikletë, lule dhe shumë gjësende tjera të cilat janë atraktive dhe funksionale.

“Kur në rrethin familjar kemi pasur lindje bebesh, nuk kam preferuar që si shumica t’ju dhuroj prindërve veshje për fëmijët”, tregon themeluesja e “Lule Bore Creation”.

Tutje, ajo thotë se përvoja e saj si nënë e ka bërë që të dijë edhe më shumë për nevojat e fëmijëve, të cilat vendosi t’i përfshij në pakot dekoruese.

“Unë jam vetë nënë dhe shumicën e gjërave e kam blerë vetë, kështu që e dija që askush nuk do ju thoshte jo pelenave ose mbulesave të bebeve”, thotë Farete Ajdari.

Për KultPlus ajo tregon se ndër dekorimet më të kërkuara është karroca me pelena.

“Karroca me pelena është shumë e kërkuar, meqë është diçka ndryshe dhe që nuk e gjen gjithkund”, vlerëson themeluesja e “Lule Bore Creation”.

Njëra ndër arsyet pse dekorimet e kësaj iniciative janë të nevojshme dhe klientët kanë interesim është sepse ato punohen me shumë dashuri. Në to vërehen detaje të shumta, të cilat kompletojnë aspektin vizual të dhuratës ndaj dikujt.

“Për mua ka rëndësi mos ta shes vetëm një model, por që për shembull “Torta me pelena” të jetë e personalizuar sipas dëshirës. E bukura e gjithë procesit qëndron te rezultati”, thotë Farete Ajdari.

Tutje, ajo thekson se çdokush që dëshiron të bëj një dhuratë të veçantë për dikë ka adresë dekorimet e saja, teksa thotë se klientët ndahen të kënaqur pas marrjes së porosisë.

“Ndonjëherë klientët s’gjejnë fjalë për të përshkruar falënderimin e tyre. Për mua mjafton kur thonë “u suprizua shumë kur e pa dhuratën”, “nuk e priste” për personin ndaj të cilit jepet dhurata”, shton iniciatorja.

“Lule Bore Creation” do të vazhdoj të jetë adresa unike për dhurata ndaj fëmijëve, teksa puna e kësaj nisme mund të ndjeket edhe në rrjete sociale: https://www.instagram.com/_luleborecreation_/?igshid=8uhndn4qwxsq&fbclid=IwAR18TuLYRkwXVYpP8782bSmARnvhaf1eo0qiH2hPIaviFWcPfcVu0dlVIKk / KultPlus.com