Një monografi për pajtimin e gjaqeve në Kosovë

Nga Lulëzim Etemaj

Libri im monografik, “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë (1990-1991)”, gjendet në prag të daljes nga shtypi. Po botohet me rastin e shënimit të 30-vjetorit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Ky libër është një shenjë modeste nderimi për mijëra zemërgjerë që, në vend të ngrehjes së gishtit të krimit, shtrinë dorën e pajtimit; gjaqet, plagët dhe ngatërresat i falën në emër të rinisë, flamurit dhe kombit. Kështu i dhanë fund gjakmarrjes dhe i liruan nga burgu shtëpiak mijëra persona. I liruan nga atmosfera e rëndë dhe druajtja, por edhe nga “detyrimi” për ta marrë gjakun. I bashkuan shqiptarët si kusht i domosdoshëm për të ecur përpara drejt çlirimit nga Serbia. Është, gjithashtu, libër nderimi për qindra pajtimtarë vullnetarë dhe për punën e tyre përkushtuese.

Libri është ilustruar edhe me letra, me fotografi, me procesverbale, me shënime, me përjetime. Të gjitha këto bashkë po bëhen publike për herë të parë pas 30 vjetësh.

Përmbajtja e librit ka kaluar fillimisht nëpër disa duar miqsh, duke filluar nga bashkënismëtarët e tjerë të pajtimit të gjaqeve, Myrvete Dreshaj-Baliu, Have Shala-Gërguri, Adem Grabovci dhe Brahim Dreshaj. Ndihmesë të shkëlqyer, nëpërmjet deklaratave të dhëna, fotografive të ofruara, ideve kreative dhe punëve të tjera përgatitore kanë dhënë edhe shumë miq, mikesha dhe të afërm të veçantë. Ata janë të përgatitur profesionalisht në drejtime të ndryshme, të besueshëm për mua, ndonjëri madje tejet i posaçëm. Që të gjithëve u them: Ju falem nderit nga zemra!

Nga data 2 shkurt librin do ta shpërndajmë në të gjitha libraritë e Prishtinës, por edhe në libraritë në Prizren, Ferizaj, Pejë, Istog, Gjakovë, Skenderaj, Drenas, Mitrovicë, Klinë, Besianë, Tetovë, Gostivar, Tiranë… / KultPlus.com