Orkestra italiane “Magna Grecia” koncert në amfiteatrin e Durrësit

Orkestra “Magna Grecia” nga qyteti i Tarantos, Itali, dhuruan e të hënës (2-qershor) një performancë të jashtëzakonshme për publikun në amfiteatrin antik të Durrësit.

Tingujt e muzikës klasike nga disa prej kompozitorëve më të njohur italianë u mirëpritën nga publiku durrsakë.

Në repertorin e orkestrës ishin përzgjedhur vepra të kompozitorëve të mëdhenj italianë si Rossini, Puccini, Donizetti dhe Ennio Morricone.

Drejtuesi i orkestrës rinore, Piero Romano tha për mediet se “amfiteatrot u ndërtuan për të mirëpritur evente të mëdha. Edhe pse amfiteatri juaj nuk është i plotë, nga ana teknike nuk do të kemi probleme. Do të përdorim vetëm pak foni. Spektatorët do të dëgjojnë tingujt e instrumenteve në formën e tyre natyrale”.

Ndërsa drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera u shpreh se “kemi orkestrën e të rinjve Magna Grecia, që vjen nga Taranto. Taranto është një qytet arkeologjik i rëndësishëm dhe në këtë mënyrë krijohet një lidhje e ngushtë me Durrësin, qytetin antik të Shqipërisë”.

Koncerti “Mesdheu në muzikë” u zhvillua në kuadër të Javës së Kulturës Italiane. Ky koncert shënoi gjithashtu nisjen zyrtare të sezonit veror artistik në Durrës, i cili këtë vit pritet të sjellë një program të pasur aktivitetesh në sheshin “Liria” dhe në arenën historike të amfiteatrit./KultPlus.com

Vijon tradita e nisur 7 vite më parë, orkestra “Magna Grecia” koncert për paqen në Fier

Kur paqja në botë është vënë para sprovave të vështira dhe politikat për shuarjen e luftërave po dështojnë, muzika vjen si një sfidë për të dhënë mesazhe për paqen dhe bashkëjetesën midis popujve.

“Një Koncert për Paqen” rikthehet në Fier, traditë e nisur 7 vite më parë.

Kori italian “Le Chorus, orkestra “Magna Grecia”, drejtuar nga dirigjenti Luigi Leo, zëri i sopranos Valentina Variale dhe baritonit Giuseppe Naviglio mblodhën shumë artdashës në teatrin “Bylis”.

“Të bësh një koncert në paqe për paqen, në moment historik, është një  shenjë e mirë për të zbutur zemrat. Të përfshihemi të gjithë për të bindur kokat e shtetit, për të rikthyer paqen”, tha dirigjenti Luigi Leo.

Një poet dhe një kompozitor, dy krijues të rinj italianë, pasi kanë shëtitur në vendet e antikitetit, sollën një vepër e veçantë, “Like a tree”, që u kushtohet luftëtarëve, sportistëve dhe artistëve të “Magna Grecia antike”.

Një rrëfim përralle panhelenike, në 3 korniza muzikore dhe një interlud për soprano, bariton, kor dhe orkestër. Vepër e gjitha për paqen.

 “Harmonia midis tingujve simbolike, si harmonia midis njerëzve, në një moment të vështirë si ky. Kemi nevojë të manifestojmë paqen. Dhe kjo muzikë, veçanërisht është e rëndësishme, sepse duhet të pushojmë së bëri muzikë “muzesh”, muzikë repertori tradicional. Është e rëndësishme të promovojmë muzikë të re, sidomos me këtë përmbajte në situatën që po jetojmë sot”, tha baritoni Giusepe Naviglio.

“Koncerti për paqen” është duartrokitur nga dhjetëra artdashës fierakë./abcnews.al/ KultPlus.com