Nëntëvjeçari fiton çmim presidencial për ndërtimin e makinës prej druri për larje të duarve

Një djalosh nëntëvjeçar nga Kenia që ka ndërtuar një makinë nga druri për larjen e duarve, ka pranuar çmim presidencial, ka njoftuar CNN. Makina është ndërtuar për të limituar përhapjen e koronavirusit.

Stephen Wamukota nga Bungoma County në Keninë perëndimore, ishte më i riu prej 68 personave që kanë pranuar çmimin nga presidenti Uhuru Kenyatta.

Wamukota ka punuar një makinë gjysmë automatike për të ndihmuar në frenimin e COVID-19 në Keni, vendin afrikan që deri më tani ka raportuar mbi 2000 raste me koronavirus.

Babai i Wamukotas, James, ka thënë për CNN se djalit të tij i lindi ideja për të punuar makinën pasi mësoi se si të qëndrojë i sigurt nga COVID-19 përmes një kanali lokal televiziv.

“Herën e parë kur presidenti lajmëroi për infeksionin në vend, është thënë se secili duhet të lajë duart rregullisht për të parandaluar përhapjen e virusit. Djali im më tha se ka përgatitur një strukturë për të ndihmuar në larjen e duarve”, ka thënë ai.

Wamukota përdori dru dhe një rezervuar të vogël të ujit për të punuar makinën për larje të duarve.

James, që punon si elektricist, ka treguar se djali i tij ka ndërtuar makinën me disa copa druri me të cilat ai planifikonte të ndërtonte një dritare.

“Pashë që ajo që kishte ndërtuar nuk ishte e qëndrueshme, kështu që e ndihmova për disa riparime. Nuk doja që makina të shkatërrohej”.

Makina e thjeshtë për larjen e duarve ka dy pedale, njërën për të lëshuar sapun të lëngët e tjetrën për të lëshuar ujin.

Mundëson që përdoruesit të shtypin pedalet pa prekur sipërfaqen me duar, duke zvogëluar mundësinë e infektimit. James thotë se ideja është ndikuar edhe nga mësimet shkollore në Keni. Nxënësit në këtë vend mësohen si të ndërtojnë gjëra.

Atij i është premtuar bursë për shkollë fillore dhe të mesme. Wamukota dëshiron të bëhet inxhinier. / KultPlus.com