Përkujtohet 114-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe

Përkujtohet sot Kryengritja e Malësisë së Madhe, e vitit 1911.

Masat e ashpra të forcave osmane kundër popullsisë së pambrojtur dhe kundër çdo shfaqeje të patriotizmit shqiptar e shtuan pakënaqësinë ndaj regjimit xhonturk dhe ngritën më lart ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar.

Gjatë ekspeditës së Shefqet Turgut Pashës në Malësinë e Madhe, malësorët qenë larguar nëpër male ose ishin strehuar në Malin e Zi.

Në këto rrethana, komitetet e fshehta filluan përgatitjen e një kryengritje të re, e cila do të fillonte në muajin maj të vitit 1911, mirëpo mbreti Nikolla i Malit të Zi synonte të realizonte planet e tij pushtuese ndaj Shqipërisë së Veriut.

Kryengritja shpërtheu para kohës së parashikuar, më 24 mars 1911. Malësorët nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, pas luftimesh të përgjakshme çliruan Tuzin dhe ngritën flamurin shqiptar. Shpërthimi i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së Madhe i gjeti të papërgatitura krahinat e tjera të Shqipërisë dhe çrregulloi planin për një kryengritje të përgjithshme.

Krerët e kryengritjes u mblodhën në një kuvend në Pllajën e Gërçës, në Malësinë e Madhe, ku nënshkruan një Memorandum me 12 kërkesa, i cili iu paraqit Portës së Lartë. Kërkesat e Memorandumit të Gërçës qenë: njohja e kombit shqiptar, bashkimi i vilajeteve shqiptare, çelja e shkollave shqipe etj.

Realizimi i këtyre kërkesave do të çonte në krijimin e provincave autonome shqiptare./atsh/KultPlus.com

Fushat e livandos tërheqin vizitorë në Malësinë e Madhe

Fushat me livando në Malësinë e madhe janë kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga këto fusha ku kultivohet livando.

“Fushat e livandës që e kanë kthyer Malësinë e Madhe në atraksionin e kujtimeve të bukura”, shkruan Kumbaro.

Këto fusha të ndodhura në Koplik të Malësisë së Madhe janë kthyer në atraksion për të gjithë ata që kanë pasion fotografinë. Malësia e Madhe është kthyer vitet e fundit në destinacionin ideal për ata që janë të lodhur nga kaosi i qytetit, ose të destinacioneve të zakonshme, duan të relaksohen dhe të shpenzojnë disa orë ose ditë të rrethuar vetëm nga natyra.

Vitet e fundit fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës./atsh/KultPlus.com