Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, prej shekullit XIII shenjon historinë e bukur shqiptare dhe rrëfen trashëgiminë tonë kulturore.
Ky manastir është pjesë e Mitropolisë së Apolonisë dhe Fierit, ku ka një komunitet të madh besimtarësh ortodoksë, të cilët pak ditë më parë kremtuan me madhështi “Shpërfytyrimin e Shpëtimtarit”, “Metamorfozën”, ose siç e thotë populli “Shën Sotirin” (5 dhe 6 gusht).
Besimtarët morën pjesë në “Mbrëmësoren e Madhe” dhe ritualin e bekimit të pesë bukëve.
Në zonë janë të shumta kishat dhe manastiret të shpallura Monumente Kulture.
Gjatë një vizite në Fier, nuk duhen lënë pa vizituar tre nga manastiret më të famshme të ortodoksisë shqiptare, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore dhe njëri prej tyre është Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, brenda Parkut Arkeologjik Apoloni. Dy të tjerët janë Manastiri i Ardenicës, i shekullit XI si dhe Manastiri i Shën Kozmait në Libofshë (1815), vend pelegrinazhi nga banorët e zonës por edhe nga besimtarë përtej kufijve.
Këta janë manastire me gjurmë të figurave të shquara të historisë shqiptare dhe me arkitekturë bizantine. Por edhe kishat shekullore më të famshme myzeqare, si Shën Gjergji (Libofshë, 1767) dhe Shën Kolli (Libofshë, 1777) kanë gjurmë të artistëve më të shquar të artit bizantin: Shpataraku, Zografët dhe Çetirët./atsh/KultPlus.com