Çmimi ndërkombëtar letrar “Kristal” i ndahet poetes shqiptare Manjola Nasi

Çmimi “Kristal” i Festivalit Ndërkombëtar të Vilenicës për vitin 2019 i jepet poetes shqiptare Manjola Nasi, përcjellë KultPlus.

Festivali i Vilenicës, një eveniment letrar shumë prestigjioz, organizohet çdo vit në Lubjanë, Lipicë dhe qytete të tjera të Sllovenisë. Në të  marrin pjesë poetë dhe shkrimtarë të rëndësishëm nga vende të ndryshme, që në kuadër të festivalit konkurrojnë mes tyre për çmimin “Kristal”, i cili i jepet çdo vit njërit prej tyre nga një juri ndërkombëtare.

Këtë vit, juria e përbërë nga anëtarë nga Sllovenia, Italia, Maqedonia dhe Irlanda vendosi t’ia japë këtë çmim poetes Manjola Nasi, e cila mori pjesë me 4 nga poezitë e saj të botuara në përmbledhjen “Një udhëtim e gjysmë”. Gjatë fjalimit për dhënien e çmimit, kryetarja e jurisë, kritikja letrare sllovene Silvija Zhnidar, u shpreh se poezitë e Manjola Nasit shfaqin thjeshtësi të pasur dhe qartësi të guximshme; fjalët e saj ndërtojnë një poezi që flet për të vërtetat e jetës dhe janë si gurë që komunikojnë me lexuesin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke lënë shenjë.

Kjo është hera e dytë që letërsia shqipe nderohet me këtë çmim të rëndësishëm. Dhjetë vjet më parë, në vitin 2009, ai iu dha poetes së mirënjohur Luljeta Lleshanaku. / KultPlus.com

Ura

Poezia “Ura” nga Manjola Nasi

Këtu ka një urë dhe unë e shoh veten
duke u lëkundur mbi të.
Uji, qielli, drita e pasdites, pemët,
të çarat mes gurëve, të errëta e të myshkëta,
pilivesat, puhia e vockël që krijojnë me krahë.
Buzës së lumit nuk ndihet frymë njeriu.
Ura është këtu dhe unë lëkundem brenda saj
si një fëmijë në djep, që shpreson se do të rritet.
Por jam prerja tërthore mes ish-it dhe asgjësë,
e kaluar e paleverdishme
ku zihet ngushtë e tashmja.
Premtimet e nënkuptuara vlejnë më pak se të thënat.
Ura është vetë unë dhe vetë unë jam ura.
Ajo që nisi si një vepër e zakonshme
murimi, që ura të mos shembej
më dha lirinë e ngurtë
që po desha, të mos shembem as unë
tani që kam veç gurë për të mbajtur.
Këtej s’kalon më asnjeri, po mbetet ura./KultPlus.com