Panistja Marija Gjosevska, një yll tjetër në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina

Pianistja Marija Gjosevska solli në Prishtinë një program të larmishëm pianistik gjersa shfaqte teknikën e saj të rafinuar dhe mbresëlënëse. Fillimisht para të pranishmëve erdhi “Menuet” nga Handel një pjesë shumë emocionuese dhe e qetë, një fillim i mbarë.

Alberina Haxhijaj

Emri Marija Gjosevska është bërë i njohur në Maqedoni. Në çdo koncert pianistik që ajo ka dhënë është konfirmuar se ajo është një artiste e rrallë në skenën muzikore maqedonase. Kështu, Chopin Piano Fest Prishtina i cili në edicionin e tij të 9-të, është duke sjellë pianistët më të njohur, e që janë nga vende të ndryshme, nuk kishte sesi të mos e përfshinte edhe pianisten Marija Gjosevska në listë.

Kështu mbrëmë, pianistja Marija Gjosevska solli në Prishtinë një program të larmishëm pianistik gjersa shfaqte teknikën e saj të rafinuar dhe mbresëlënëse. Fillimisht para të pranishmëve erdhi “Menuet” nga Handel një pjesë shumë emocionuese dhe e qetë, një fillim i mbarë.

Pastaj, pianistja solli kompozitorin e saj të preferuar Schubert, i cili, sipas saj, përmes veprave tregon jetën. Ndonjëherë është më melankolik, ndonjëherë i lumtur e ndonjëherë i trishtuar, por veprat e tij kanë kuptim dhe emocione edhe pse me pak nota.

Ndërsa vepra e tretë “Agonia dhe ekstaza” filloi mjaftë qetë si një kërkesë për të pasur diçka që e dëshiron shumë mirëpo që nuk mund ta kesh. Një gjendje e rëndë dhe e pashpresë e diçkaje e që gradualisht ndryshon. Ndryshimi vërehet pikërisht te pianistja e cila tashmë nuk u bie tasteve në piano por duartroket duke krijuar zhurmë me duart e saj, gjersa me këmbë i bie dyshemesë së skenës. Pikërisht kjo pjesë dhe notat e larta e të shpejta që dëgjohen pas saj tregojnë se ajo tashmë ka gjetur atë që kërkon, ka marrë atë që ka dashur. Pikërisht tani është në shkallën më të lartë të entuziazmit të njeriut, gjendje shumë e gëzueshme, një dehje shpirtërore.

E duartrokitje dhe rënia me duar instrumenteve por edhe efektet e tjera të zërit janë pjesë e pandashme e kompozimeve që bënë kompozitorja nga Maqedonia Bete Ilin, këtë ajo e tregoi në intervistën që dha për KultPlus.

“Veprën ‘Agonia dhe ekstaza’ e kam shkruar pikërisht për Marija Gjosevska, ajo është një mike e imja dhe pianistja më e mirë. Fillimisht kam dashur që të bëjë vetëm njërën pjesë pastaj mendova që të sjellë një vepër por me karaktere të ndryshme, kështu që, solla agoninë dhe ekstazën. Një temë e vetme por që ka stile të ndryshme. Më pëlqeu jashtëzakonisht shumë sesi pianistja e solli veprën në këtë natë dhe jam shume e lumtur. Sigurisht jam e lumtur edhe që jam në Prishtinë ky qytet tashmë më ka magjepsur”, u shpreh kompozitorja e cila realizoi veprën “Agonia dhe ekstaza”, e që mori më së shumti duartrokitje gjatë kësaj mbrëmje.

Mbrëmja vazhdoi më vepra të Chopen-it. Mirëpo, pianistja nuk ka dashur që të përfundoj mbrëmjen me pjesën “Marchefunebre”, duke dashur që të tregoj se pa marrë parasysh se çfarë ndodhë në jetë ne duhet të jemi të fortë dhe pozitiv, ajo solli veprën tjetër “Poloneza Heroike” po ashtu nga Chopin. Një pozitivitet të tillë dhe shumë dashuri, pianistja u shpreh për KultPlus, se ka pranuar pikërisht nga Prishtina.

“Dëshirojë të falënderoj shumë profesoreshën Lejla Pula dhe Besa Luzhën që më kanë thirrur për të qenë pjesë e këtij festivali, jam shumë e lumtur që Prishtina ka një festival të tillë, ku shumë artistë të njohur janë duke ardhur dhe po ndodhin shumë shkëmbime kulturore por edhe profesionale. Kam ardhur për herë të parë dhe jam shumë e lumtur, çdo gjë ishte e bukur. Pres me padurim që të vij përsëri, po ashtu dua të falënderoj edhe nxënësit e mi nga Prishtina të cilët studiojnë në Shkup dhe që ishin sonte këtu. Ju dëshirojë të gjithë artistëve në Kosovë shumë suksese”, tha ajo për KultPlus.

Nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare do tëperformojnë pianisti Stefan Vladar dhe pianistja MagdaAmara, që të dy nga Austria./KultPlus.com