Pesë rrëfime nga Prishtina u shpalosën në ekspozitën bardh e zi të Matt Kollasch

Jeta Zymberi

Realiteti kosovar kishte zbritur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës përmes disa imazheve të shkrepura nga fotografi zviceran Matt Kollasch, shkruan KultPlus.

Ky realitet i cili për qytetarët kosovar është i zakonshëm dhe nuk tërheq shumë vëmendje, për një të huaj ka qenë inspirues dhe interesant. Fokusi i tij kishte zënë vend në shumë hapësira të kryeqytetit duke filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” e për të vazhduar tutje në ndonjë kafene, në ndonjë park, momente në rrugë, në ndonjë kalimtar rasti e objekte të ndryshme.

E fokusuar në një imazh tërësisht bardh e zi, kjo ekspozitë shpalosi momente të cilat çdo ditë mund t’i hasësh në rrugët e Prishtinës. Një njeri i moshuar duke pushuar në një nga ulëset në kryeqytet, një tjetër ende më i moshuar me karrocë në dorë duke punuar në Pazar për të fituar bukën e gojës, një tjetër duke mbledhur kanaqet për t’i kthyer në para, objekte të ndryshme simbol të kryeqytetit, fëmijë duke lozur, një baba duke dërguar fëmijët në shkollë, e shumë e shumë pamje të tjera nga përditshmëria e vendi tonë, sonte kishin zënë vend në këtë ekspozitë. Madje për qytetarët e Prishtinës të cilët janë mësuar t’i shohin ato imazhe, në ballafaqimin që patën sonte me këto pamje shpesh edhe qeshnin.

Të gjitha këto fotografi, përveç që ishin shpalosur në ambientet e Bibliotekës, ato kishin zënë vend edhe në librin i cili u promovua sonte. Libri i cili mbante çmimin 30 euro dhe ju ofrohej të pranishmëve , kishte mbërthyer në vete secilin imazh të Prishtinës që autori pasqyroi sonte.

Libri përmbante pesë rrëfime. Kafenetë, Pazari, “Power of Babel”, Inspirimi i autorit mbi njohuritë e Kosovës si dhe Klubi i Shahut, ishin vendet që flisnin sonte në këtë ekspozitë.

Por për të rrëfyer më shumë rreth këtyre pikave autori mori fjalën e tij duke bërë kështu edhe hapjen e ekspozitës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kollasch falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e ekspozitës duke vazhduar tutje të shpalos shtegun nëpër të cilin kishte kaluar deri të realizimi i kësaj ekspozite.

“Faleminderit që keni ardhur këtu sonte. Është kënaqësi t’ju kemi këtu, që ta shihni shtegun në të cilin kam ecur në Prishtinë, në këto dy vitet e fundit. Fillimisht, dua ta falënderoj Bibliotekën Kombëtare si nikoqire të ekspozitës, dhe pastaj Ambasadën e Zvicrës që e ka përkrahur këtë event”, tha fillimisht autori duke vazhduar tutje të tregojë edhe për rrëfimet që janë përfshirë në këtë ekspozitë.

“Libri që e kemi publikuar sot, i ka pesë rrëfime. E para janë kafet: do të flisni shumë për kafet nëse jetoni në Prishtinë. Tjetra është pazari, sepse më pëlqen pazari, për shkak të humanitetit të tij, ngjyrave, aktiviteteve. Pastaj është “Power of Babel”, e kjo është se këtu fliten dhe dëgjon gjuhë të ndryshme. Është shumë e dukshme. Pra kjo është një nga rrëfimet. Pastaj është inspirimi im mbi njohuritë në Kosovë. Dhe tjetra është Klubi i Shahut ku kam shkuar në nëntor të vitit 2017 dhe kam bërë fotografi. Shpejt e kam zhvilluar njëfarë galerie mes burrave që kanë luajtur shah dhe domino, të cilët më kanë inkurajuar. Dhe e vlerësoj shumë që më kanë lejuar të bëhem pjesë e jetës së tyre”, ka rrëfyer autori rreth secilit cikël që përfshinë libri.

Por, ky shteg ju duk interesant edhe të pranishmëve. Burbuqe Muhadri tregoi për KultPlus se secila fotografi i foli diçka dhe prezantoi në mënyrën më të mirë realitetin kosovar.

“Ekspozita në përgjithësi ishte e mirë, më pëlqeu çfarë ka pasqyruar, e ka pasqyruar realitetin në Kosovë, disa foto tregojnë edhe mjerimin aktual që e kemi, por në të njëjtën kohë ka edhe pjesë të bukura, sidomos një kafene aty ku prindërit kishin mundësi t’i linin para se të shkonin ën shkollë.. Përndryshe prita që ekspozita do të përfshijë një periudhë më të gjatë e jo 2017 – 2018 si udhëtim në kohë, por edhe kjo ishte diçka e bukur. Fotografitë ishin shumë të veçanta dhe artistike”, u shpreh Muhadri për KultPlus.

Kjo ekspozitë erdhi si bashkëpunim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Ambasadës Zvicerane në Kosovë./ KultPlus.com

Nesër përurohet libri e ekspozita “A Worn Path” e autorit Matt Kollasch

Nesër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të përurohet libri “A Worn Path”, me ç’rast do të hapet edhe ekspozita që paraqet fotografitë e Prishtinës të shkrepura nga Matt Kollasch, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje do të mbahet nesër në hollin e ekspozitës në Bibliotekën Kombëtare, duke filluar nga oa 18:30.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Ambasadës Zvicerane në Kosovë./ KultPlus.com