“Emigracioni arbëresh në Istria”, botohet libri i studiuesit arbëresh Matteo Mandalà

Studiuesi arbëresh akad. Matteo Mandalà ka botuar librin “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV-XVIII) – Emigracioni arbëresh në Istria – shekujt XV-XVIII.

Në një njoftim për shtyp, Akademia e Shkencave të Shqipërisë duke njoftuar për këtë botim shpjegon studimet e kryera nga autori në këtë punim.

Mandalà i shtyrë nga dëshira për të kuptuar lidhjet shkakësore që karakterizojnë natyrën komplekse të historisë së emigrimit të popujve të Ballkanit, në veçanti të shqiptarëve, ka kryer kërkime të thelluara në arkivat civile dhe kishtare në dekadat e fundit, ku në librin “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV –XVIII) ndjek vijën e identitetit kulturor të një dege të emigracionit të arbëreshëve të Istrias (që gjendet në një gadishull midis Kroacisë dhe Sllovenisë).

Si filolog, Mandalà është në kërkim të episodeve të shpeshta që kanë ndodhur në historinë e trazuar të popullit shqiptar, duke hedhur poshtë vizionin romantik të historisë së emigrimit të arbëreshëve, të mbështetur shpesh nga falsifikime të dukshme dhe thjeshtime të fakteve historike.

Qasja e këtij studimi është multidisiplinar dhe nuk injoron asnjë aspekt historik të këtij emigrimi, në veçanti atë statistikor, ekonomik, demografik dhe social, duke kombinuar aspekte të ndryshme që përcaktojnë tiparet e një shoqërie multietnike gjatë shekujve.

Sipas këtij libri që në vitin 1499 dëshmohet prania e fiseve arbëreshe.

Kërkimet e Matteo Mandalà-së kanë rezultuar me një punë të shkëlqyer dhe emocionuese në faqet e këtij libri.

Matteo Mandalà është filolog. Veprat e tij janë të botuara kryesisht në Itali e pjesërisht në Shqipëri e Kosovë, ku ndër të tjera ai është edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Matteo Mandalà është bir i komunitetit arbëresh të Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet), profesor i rregullt i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Departamentin e Kulturës të Universitetit të Palermos, bashkëthemelues dhe drejtor i Laboratorit Albanologjik, një disiplinë në të cilën ai mori pjesë në disa konferenca, madje edhe organizator në disa prej tyre, përgjegjës për projektet kërkimore mbi komunitetet shqiptare të Italisë, të cilave u ka kushtuar studime të shumta në dialektologji, filologji, kritikë letrare dhe histori, autor i disa monografive, botimeve kritike të veprave letrare dhe ese të kritikës letrare shqiptare, i dedikuar aktualisht për të rindërtuar procesin e ndërtimit të identitetit në komunitetet arbëreshe midis shekujve XVIII dhe XX”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Albanologu Matteo Mandalà, vlerësohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

Matteo Mandalà, albanolog i njohur, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Itali, u vlerësua të mërkurën me titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, akorduar nga Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë.

Në ceremoninë e zhvilluar në Aula Manjën e Universitetit, në prani të stafit akademik dhe të ftuarve të tjerë nga bota akademike shqiptare brenda e jashtë kufijve, Rektori prof.dr.Roland Zisi, veçoi rolin dhe kontributin e profesor Matteo Mandalà, në fushën e albanologjisë, duke e cilësuar këtë moment një ngjarje akademike e kulturore me vlera të veçanta.

Duke ju referuar dëshirës së tij të hershme për të nderuar figurën dhe kontributin e profesor Mandalà në një format të tillë, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, prof.dr. Roland Zisi u ndal tek vendi që ai zë në albanologjinë e 3 dekadave të fundit, tek vlerat e larta intelektuale e njerëzore, tek roli që ka luajtur edhe në bashkëpunim me profesorin dhe akademikun Francesco Altimari, për të ringritur urat mbi Adriatik, për të ndriçuar lidhjet e shumta kulturore midis dy brigjeve të detit, i cili, sipas tij, më shumë na ka bashkuar dhe nuk na ka ndarë asnjëherë.

“Sot ne e realizuam së bashku atë ide të vjetër, e bëmë realitet. Eshtë një gjest i vogël dhe modest dhe shumë pak në raport me atë që meritoni, po të kemi parasysh veprën tuaj, rolin dhe kontributin tuaj elitar: në fushën e studimit të letërsisë shqipe, sidomos asaj arbëreshe, prej fillimeve deri në ditët e sotme; në lëmin e botimeve kritike me koncepte moderne të thella filologjike dhe me metoda shkencore kritike-gjenetike të kësaj letërsie, e cila është përcjellë në mënyrë jo korrekte ndër lexuesit dhe shkollaret shqiptarë, brenda kufijve politikë të Shqipërisë, në fushën e studimeve të traditave shkrimore e joshkrimore arbëreshe e shqiptare; në frontin e albanologjisë e antropologjisë; në fushën e kritikës letrare dhe pjesëmarrjen në debatet më të rëndësishme lidhur me gjuhën dhe identitetin kombëtar”, nënvizoi prof.dr. Roland Zisi, duke ju drejtuar profesor Matteo Mandalà.

Sipas Zisit, duke nderuar me diplomën e lartë “Doctor Honoris Causa”, prof. Matteo Mandalà, në të njëjtën kohë nderohet emri i universitetit, emri i Ismail Qemalit, atij që i hapi rrugën shkencës dhe arsimit shqiptar.

Nga ana e tij, prof.dr.Bardhosh Gaçe, duke përvijuar figurën akademike të prof. Matteo Mandalà, theksoi se, ai është një personalitet i veçantë i dijes dhe kulturës arbëreshe. “Studimet filologjike dhe albanologjike të prof. Matteo Mandalà, në dekadat e fundit, kanë ushqyer edhe ne pedagogët dhe studentët e Universitetit “Ismail Qemali”, si edhe universiteteve të tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kozencë, Palermo, Napoli, Leçe, Romë etj”, tha Gaçe, ndërkohë që shtoi se, mjaft vepra të Mandalà, na zbulojnë trungun gjuhësor të shqipes, si edhe rrjedhat etnohistorike të botës shqiptare.

Duke u ndalur në punën e jashtëzakonshme kërkimore shkencore të prof. Matteo Mandalà, akademik Francesco Altimari vlerësoi gjithashtu kontributin e tij të konkretizuar me botimet e shumta të realizuara. “Vështirë të ketë një autor të traditës tonë arbëreshe, apo shqiptare, të mos jetë objekt i interesit kritiko letrar dhe filologjik të studiuesit tonë të shquar”, nënvizoi akademik Francesco Altimari.

Sipas tij, merita e parë që albanologjia duhet t’i njohë Matteo Mandalà, është ajo për rishikimin pothuajse të tërë traditës letrare arbëreshe të Siçilisë, por edhe të një pjese të mirë të asaj të Kalabrisë.

Ai veçoi kontributin e jashtëzakonshëm të Matteo Mandalà, kur me rastin e 200 vjetorit të lindjes së De Radës, rishikoi me sy kritik gjithë veprën letrare të këtij poeti të madh, duke e inkuadruar atë në një rrjedhë të re shqyrtimi dhe interpretimi, që pasqyrohet sot në kontributet e përmbledhjes së fundit të tij kritiko letrare “Jeronim De Rada, portret artisti në rini”.

Duke falenderuar për vlerësimin me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”, i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, prof. Matteo Mandalà, u ndal tek disa nga drejtimet e veprës së tij që ka si pikë reference albanologjinë. “Arbëreshët e Italisë, përbëjnë një realitet kulturor të çmuar në panoramën e pakicave gjuhësore europiane”, theksoi mes të tjerash ai.

Prof. Matteo Mandalà, është albanolog i mirënjohur, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi.

Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai njihet si themelues i filologjisë moderne shqiptare, autor librash dhe ruajtës i trashëgimisë arbëreshe.

Prof. dr. Matteo Mandalà, është përgjegjësi i seksionit të albanologjisë në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo). Albanolog i mirënjohur; historian dhe studiues i letërsisë arbëreshe dhe shqipe prej fillimeve deri në kohën e sotme, filolog e botues i shkrimeve dhe veprave shqip në disa periudha letrare, ai vlerësohet si intelektual me interesa të gjera dhe dijetar me kontribute të spikatura në disa fusha të dijes kombëtare, përfaqësues i shquar i mendimit shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme akademike e universitare./ KultPlus.com