Për herë të parë, gjuha shqipe u përdor zyrtarisht në manifestimin “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”

Pas gati gjashtë dekadash të ekzistencës së “Mbrëmjeve Strugane të Poezisë”, poezia “T’ga za jug” u lexua për herë të parë edhe në gjuhën shqipe. Në hapjen e festivalit mbrëmë, përveç gjuhës maqedonase dhe angleze, siç ishte praktika e deritanishme, mund të dëgjohej edhe gjuha shqipe.

Pastaj drejtori i festivalit foli në gjuhën maqedonase dhe përkthimi në shqip shkonte në formë të shkruar në video-bim. Në të njëjtën mënyrë gjuha shqipe u përdor në leximin e mesazhit poetik. Ministri i Kulturës, nga ana tjetër foli në shqip, maqedonisht dhe anglisht.

“Poetët veprojnë përmes fjalës së tyre, pasi fjalët e tyre janë tashmë vepra. Aktet poetike përmes të cilave e vërteta dhe kuptimi janë mishëruar në bukurinë para së cilës magjepsemi”, deklaroi Todorçe Tasevski, drejtor i “Mbrëmjeve Strugane të Poezisë”.

Pas disa viteve të bojkotimit të festivalit nga autoritetet lokale në Strugë, në rend të parë u shfaq kryetari i Strugës, Ramiz Merko.

Përndryshe fituesja e Kurorës së Artë në “Mbrëmjet Strugane të Poezisë, të 58-ta me radhë, është poetja rumune Ana Blandiana. /Alsat/ KultPlus.com

Sonte fillon festivali “Mbrëmjet strugane të poezisë”

Me leximin tradicional të “Mallit të Konstantinit” dhe ndezjen e zjarrit të festivalit para Shtëpisë së Poezisë, fillon sonte edicioni i 57-të i festivalit “Mbrëmjet strugane të poezisë”, që deri më 27 gusht do të mbahet në zona të ndryshme të Strugës dhe në disa qytete të vendit dhe ku marrin pjesë edhe poetë shqiptarë.

Sipas traditës, po sot do të mbillet një pemë në Parkun e Poezisë për nder të fituesit të mirënjohjes më të lartë të festivalit “Kurora e artë” për poetin polak, Adam Zagajevski, ku do të lexohet poezi, e më pas do të ketë konferencë për shtyp me laureatin.

Nesër në program është prezantimi i portretit të Mihail Renxhov, fituesit të vitit të kaluar të çmimit “Vëllezërit Milladinov” për librin më të mirë poetik në gjuhën maqedonase të botuar mes dy edicioneve të festivalit dhe lexime poetike të poetëve nga zgjedhja më e ngushtë për këtë çmim për vitin 2018.

Festivali do të prëfundojë të dielën me manifestimin “Urat” dhe dorëzimin e çmimeve “Kurora e artë”, “Vëllezërit Milladinov” dhe “Urat e Strugës”.

Në edicionin e 57-të të ”Mbrëmjeve strugane të poezisë” do të marrin pjesë 30 poetë nga 29 vende, mes të cilave Polonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Izraeli, Greqia, Shqipëria, Mongolia, Suedia, Armenia e tjerë si dhe rreth 50 poetë nga Maqedonia./ KultPlus.com