Hapet ‘Mediterreanean Poetry Prize 2020’, konkursi poetik që bashkon popujt e Mesdheut

Fjala e shkruar poetike do t’i bashkojë  shkrimtarët e Mesdheut në gjuhë të ndryshme në konkursin  ndërkombëtar “Mediterreanean Poetry Prize 2020”, shkruan KultPlus.

Edicioni i parë i këtij konkursi poetik do të jetë vendtakim i krijimeve artistike në gjuhët italiane, franceze, spanjolle, shqiptare, arbëreshe, greke dhe arabe. Përderisa konkursi do të mbetet i hapur deri më 30 mars të vitit 2021, poetët duhet të dërgojnë tri poezi me temë të lirë. Në anën tjetër, pas publikimit të garuesve finalë në këtë konkurs, ceremonia e çmimeve të edicionit të parë do të mbahet në Itali dhe punimet artistike do të publikohen në një antologji. Kësisoji, organizatorët do të realizojnë krijimin e ‘urave’ mes kulturave të ndryshme.

“Qëllimi i çmimit është të bashkojë nëpërmjet poezisë popujt e Mesdheut. Për të krijuar një urë emocionesh, fjalësh, jete që bashkon jo vetëm komunitetet, por edhe individët që besojnë në vlerën shoqërore të poezisë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Tutje, poetët i portretizojnë duke punuar në dritën e një llambe të dhomës, ndërkaq nëpërmjet këtij organizimi synohet të shoqërohet vepra me dritën e diellit, duke dalur në publik.

Organizatorët kanë bërë të ditur se për cdo gjuhë konkurruese do të shpallet nga një fitues, teksa tre fituesit më të mirë do të marrin dhjetë kopje të librit. Të gjithë poetët finalistë do të marrin tre kopje të librit. Poezitë duhet të dërgohen në adresën: : [email protected]

Ky konkurs organizohet nga Universiteti “La Sapienza” në Romë, DAMS të Universitetit të Torinos, Shoqërisë “Dante Alighieri”, Akademisë Kombëtare të Artit Dramatik “Silvio d’Amico” të Romës, Universitetit i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, nga Lëvizja “Vague Culturelle”, dhe Mediterranean Poetry Movement. / KultPlus.com