Mehmet Gjevori ishte pishtar i devotshëm i arsimit shqip dhe tërë jetën ia kushtoi zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Kosovë”, u tha në akademinë komemorative.
Gjevori ishte autori i Abetares së parë Shqipe në Kosovë, mësues, pedagog, dhe veteran i arsimit.
Gjevori vdiq në vitin 2007. Në vitin 2003 ai kishte marrë një dekoratë nga Ibrahim Rugova, për të cilën pati fjalë miradie.
“Falenderoj përzemërsisht Presidentin e Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovën, për Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, që ma dha me rastin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të mirëkuptimit e të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi në vitet ’90-ta” tha në qershor të vitit 2003 Gjevori, kur e morri dekoratën.
“Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë “Naim Frashëri t klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar” vazhdoi asokohe tutje Gjevori.
“Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën, ku po jetoj, po punoj e po krijoj qe 62 vjet në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave të rinj”, thoshte ne letrën e tij Mehmet Gjevori. / KultPlus.com
Mbi Edukatën Seksuale (Mehmet Gjevori – 20.09.1969)
Mehmet Gjevori, Prishtinë 1969
Të thomi të vërtetën, ndër ne, natyrisht më shumë te njerëzit e kaluar në moshë, hasim në botëkuptime të vjetëruara sa i përket seksit dhe dukatës seksuale. Në mes të prindërve, në bisedimet e tyre private e familjare dëgjohen shpesh fjalë jo të favorshme për edukatën seksuale, fjalë jo të mirë për afrimin, të shkuarit mirë dhe shoqërimin e vajzave me djemtë. Madje, shumë prindër, ndër të cilët edhe disa arsimtarë, nuk pajtohen që edukata bashëkohore seksuale të futet në shkollë e në familje. Shumë prindër janë konservativë dhe reagojnë ndaj trajtimit të hapët e të shëndoshë të seksualitetit. Nga ana tjetër, edhe shkolla, në lidhje me edukatën seksuale, është duke ju përmbajtur ende metodës së vjetër e më të lehtë, e ajo është heshtja.
E ky qëndrim i familjes e shkollës ndaj edukatës seksuale vetvetiu e detyron fëmijën indirekt që për këtë të kërkojë e të gjejë rrugë tjetër për këshillime, ku informatat për edukatën seksuale janë krejtësisht të gabueshme, ku të vërtetat për marrëdhëniet në mes të sekseve janë të deformuara. Prandaj prindërit duhet të përpiqen e t’i kuptojnë fëmijët e tyre të kësaj moshe e ta ndiejnë nevojën që t’i udhëzojnë si duhet për marrëdhënie të drejta e humane të fëmijëve të gjinive të ndryshme, përndryshe, adoleshentët orientohen e gjejnë rrugë tjetër, gjë kjo që vërtetohet më së miri te fjalët e një vajze 16 vjeçare, kur i përgjigjet një ankete me këto fjalë: “Është vërtetë se as profesorët tanë, as prindërit, dhe as kërkosh tjetër, nuk e ndien nevojën që të na drejtojë e të na udhëzojë ne të rinjve e të rejave për thelbin e çështjes; prandaj na drejtohemi e kërkojmë këshilla atje ku do t’i gjejmë, e ajo është rruga. Pastaj prindërit e profesorët kapin kokën me dorë e pyesin me habi se si na jemi bërë të tillë, kush na ka edukuar ashtu aq keq? Kurse, në të vërtetë, ata vetë janë fajtorë për edukimin tonë sentimental të gabueshëm”.
Prandaj është e nevojshme që prindërit brenda mundësive të tyre t’u shpjegojnë fëmijëve, nëna vajzës, kurse babai djalit, në moshën e pubertetit për ndryshimet fiziologjike të tyre dhe për marrëdhëniet e drejta në mes të gjinive dhe t’u ndihmojnë që ata të formojnë qëndrimin e tyre të drejtë ndaj gjinisë tjetër. Mirëpo, fatkeqësisht, shumë prindër moshën e pubertetit e kuptojnë si “moshë të rrezikshme”. Kështu prindërit, në vend që me këshillat e qëndrimin e tyre të krijojnë vetëbesim dhe afërsi, ata, përkundrazi, bëhen më të rreptë ndaj tyre dhe e forcojnë kontrollin, sidomos ndaj vajzave. Kështu ata qysh në fillim ia nisin duke u folur vajzave se si kinse të gjithë djemtë janë të rrezikshëm e vagabonda, e vajzat, në moshën e tyre të njomë, sa herë takohen në shkollë a jashtë në shoqëri me djemtë, i këqyrin ata në fillim me pabesi e frikësohen prej tyre. Por në takimin e përditshëm me djem, ato kuptojnë se nuk është si u kanë thënë prindërit, sepse shumica prej djemve janë fisnikë e të sjellshëm, e në këtë mënyrë tek ato zhvillohen ndjenjat natyrale, ndjenja të afrueshmërnisë.
Botëkuptimi i vjetër patriarkal i seksualitetit është i rreptë. Tradita, zakonet, morali, rregullat fetare etj. Janë shumë të ashpra e të prera kur është fjala për seksin; në këtë dallohet veçanërisht religjioni, i cili në asnjë fushë s’është aq i rreptë sesa kur jep rregulla e gjykime për jetën seksuale të njerëzve. Këto rregulla fetare shumë të rrepta kanë ndikuar që të rrënjosen te njerëzit brez pas brezi disa zakone e botëkuptime prej të cilave është shumë vështirë të lirohen ata që janë nën influencën e fesë. Kjo është vështirësia e parë që ka shkaktuar konflikt të rreptë ndërmjet të vjetërve e të rinjve.
Seksualiteti nuk duhet të kuptohet vetëm si dukuri që ka për detyrë përjetimin fiziologjik, por që në të mbështetet gati mbarë impulsi e dinamika e jetës njerëzore. Prandaj, seksualiteti sot te fëmijët, te rinia, e te të rriturit nuk duhet të kuptohet si dukuri natyrale thjesht biologjike e fiziologjike, por si dukuri që kaplon mbarë personalitetin e njeriut. Pikërisht për këtë arsye seksualitetit duhet t’i jepet vendi i vet e rëndësia në jetë e në edukatë.
Në moshën e pubertetit, ndërmjet prindërve e fëmijëve, ndodhin konflikte të shpeshta. Deri në moshën 12 vjeçare, prindërit dalin më tepër ngadhënjyes në këto konflikte dhe i urdhërojnë, ndalojnë e ndëshkojnë fëmijët. Por, me fillimin e pubertetit, pra mbas moshës 12 vjeçare, relacioni i fuqive ndryshon. Në këtë moshë prindërit shpesh kapitullojnë. Në moshën e pubertetit vërehet një ndarje e dukshme e fëmijëve prej familjes së ngushtë. Në këtë kohë fëmija fillon e kërkon lidhje të ngushtë me fëmijë të tjerë të moshës së vet dhe shoqëri më të gjerë se familja e tij. Kështu shihen së pari edhe tentativat e para të fëmijës për të gjetur shokë e shoqe të gjinisë tjetër.
Prindërve u duket se fëmija i tyre ka filluar të ftohet nga familja, dhe harrojnë se fëmija është anëtar i shoqërisë e, me dije qoftë, nuk mund të lidhet tërë jetën vetëm me prindërit e vet. Prindërit e mençëm duhet ta dinë se fëmija i tyre, kur fillon të rritet, nis e bëhet personalitet i pjekur e i pavarur, e të formojë rrethin e shoqërisë së vet. Kështu, dashuria që e ka fëmija ndaj prindërve të vet, tani dal ngadalë kalon edhe në persona të tjerë, sidomos të gjinisë tjetër. Këtë proces kalimi prej dashurisë së prindërve në persona të tjerë, prindërit duhet ta kuptojnë si gjë të natyrshme e t’i ndihmojnë fëmijës me maturi e kuptim. Kuptohet se kjo nuk është punë e lehtë për prindërit, madje për disa prindër është e rëndë e u vjen shumë keq për këtë largim e ftohje të fëmijës. Prandaj, në moshën e pubertetit prishen shpesh me fëmijët e tyre e thonë: Na doli prej dore djali a vajza.
Fëmijëve të moshës së pubertetit u pëlqen që në shoqëri të paraqiten të stolisur, të spitulluar e të rregulluar mirë. Ata dalin shpesh e marrin pjesë në shoqëri në argëtime të ndryshme e ndeja, ballo, teatër, kinema etj. ku njihen me shokë e shoqe, e shpesh kthehen edhe vonë në shtëpi, e nganjëherë në mes të natës, ku i pret një breshër qortimesh nga prindërit ose vëllezërit e rritur. Disa herë në mes të prindërve e fëmijëve të kësaj moshe shkaktohen grindje të mëdha. Nuk janë raste të rralla në këtë moshë që disa djem, duke mos e duruar këtë atmosferë në familje, bashkohen e ndërmarrin ndonjë aksion aventurist, duke u larguar nga familjet e duke udhëtuar e marrë botën në sy, ose bashkohen edhe me qëllime të tjera negative, siç janë vjedhjet, dhunimet etj.
Nganjëherë disa prindër gabojnë shumë rëndë kur, për ta ndaluar a ruajtur të birin a të bijën e moshës së pubertetit, përdorin edhe masa të gabueshme, duke krijuar me anën e të njohtërve e miqve ose motrave a vëllezërve më të vegjël një rrjetë spiunazhi për të kontrolluar lëvizjet e fëmijës së tyre në kohë e vende të ndryshme. Përkundrazi, prindërit duhet të jenë tepër të matur në marrëdhëniet e tyre me fëmijët e kësaj moshe dhe t’i bëjnë ata që çmojnë e vlerësojnë dashurinë e vërtetë, pa frytëzimin e personit të gjinisë tjetër. Fëmijët duhen edukuar me virtyte marrëdhëniesh të drejta etike ndërmjet njerëzve të gjinisë tjetër, pa ndonjë kontroll të fshehtë të veprimeve të tyre. Në këtë mënyrë prindërit do të ndihmojnë zhvillimin dhe avenirin e rinisë së moshës së pubertetit e marrëdhëniet e mira e harmonike midis prindërve e fëmijëve të tyre.