Nga tensionet reale në kiminë e ekranit, marrëdhënia e ndërlikuar mes Sharon Stone dhe Michael Douglas

Tensionet reale mes aktorëve në jetën jashtë kamerës shpeshherë mund të jenë burim sfidash gjatë xhirimeve. Por në disa raste, pikërisht ato e bëjnë magjinë e ekranit të funksionojë në mënyrë më të thellë e autentike. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi mes Sharon Stone dhe Michael Douglas gjatë bashkëpunimit të tyre të vitit 1992, “Basic Instinct”.

Në një intervistë Stone rrëfen se marrëdhënia e saj me Douglas ishte e tensionuar qysh përpara se të fillonin xhirimet. Aktori nuk ishte entuziast për të provuar skena me të, duke qenë se ajo ishte një emër i panjohur në atë kohë.
“Ai nuk donte të tregonte të pasmet e tij në ekran me një të panjohur – dhe unë e kuptova këtë,” tha Stone.

Por më shumë sesa mungesa e famës, ajo përmend një incident të mëparshëm mes tyre në Festivalin e Filmit në Kanë, që ndikoi negativisht në marrëdhënien e tyre.
“Ishim një grup njerëzish dhe ai po fliste për dikë dhe fëmijët e tyre. E njihja shumë mirë atë person për të cilin po fliste. Kështu që ndërhyra dhe ai më bërtiti: ‘Çfarë dreqin di ti?’ Ishte një bisedë që kishte të bënte me marrëdhënien baba-bir,” kujton ajo.
Ajo nuk e kaloi pa reagim:
“Tërhoqa karrigen mbrapa dhe i thashë: ‘Hajde të dalim jashtë.’” Jashtë, sipas saj, ajo i sqaroi afërsinë me personin për të cilin po fliste dhe theksoi se e njihte situatën shumë më mirë nga afër.

Ky episod la një shije jo të mirë, dhe më pas, kur emri i saj u përzgjodh për rolin kryesor në “Basic Instinct”, Stone thotë:
“Nuk mendoj se ai donte që unë të isha partnerja e tij në film.”

Por pikërisht kjo dinamikë e brendshme, tensioni i nënkuptuar dhe raporti i ftohtë personal, u kthyen në shtyllë të fuqishme të interpretimit në ekran.
“Tensioni funksionoi në mënyrë të shkëlqyer gjatë xhirimeve,” shpjegon ajo. “Nuk u mërzita kur ai më bërtiti. Ishte diçka që ndihmoi shumë në ndërtimin e dinamikës mes personazheve tanë, sepse Michael ka nerva dhe mua nuk më interesonte fare.”

Kjo distancë dhe energji e ftohtë mes tyre i dha jetë kimisë seksuale dhe tensionit psikologjik që e bëri filmin kaq të veçantë. Personazhet e tyre, Catherine Trammel dhe detektivi Nick Curran, funksionojnë për shkak të mosbesimit të ndërsjellë, dominancës, manipulimit dhe kontrollit emocional. Të gjitha këto elemente, duket se kishin edhe një bazë reale jashtë skenarit.

Me kalimin e kohës, raporti mes tyre u përmirësua. “Përfunduam duke qenë miqtë më të mirë, dhe jemi ende miq edhe sot,” thotë Stone. “E admiroj jashtëzakonisht shumë.”

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Michael Douglas, Allen Barry, tha se aktori “u habit shumë nga fjalët e Sharon”, dhe nuk kujton ndonjë përplasje të tillë mes tyre. Sipas tij, Douglas e parë për herë të parë Stone në provën në ekran që regjistroi Paul Verhoeven dhe menjëherë tha: “Ky është ai personazhi.” Barry gjithashtu thekson se takimi i tyre në Kanë ndodhi më vonë, në vitin 1992, gjatë promovimit të filmit, kur ata tashmë ishin miq.

Pavarësisht se versionet e kujtimeve mund të dallojnë, një gjë mbetet e qartë: tensioni i vërtetë jashtë kamerave ndihmoi në formësimin e një prej marrëdhënieve më komplekse dhe magjepsëse në historinë e kinemasë. Ai nuk i pengoi, por përkundrazi, e thelloi interpretimin e tyre dhe e bëri “Basic Instinct” një klasik të pavdekshëm./KultPlus.com

Michael Douglas heq dorë nga aktrimi

Ylli i kinemasë hollivudiane, Michael Douglas po e shijon kohën e tij larg kamerës, sipas nypost.com.

Fituesi 80-vjeçar i çmimit Oscar foli në festivalin e filmit ”Karlovy Vary” në Republikën Çeke dhe konfirmoi se ”nuk kam plane të kthehem në aktrim”.

“Kam qenë pa punë që nga viti 2022, pasi kuptova se duhej të ndalesha. Kam punuar shumë për gati 60 vjet dhe nuk doja të isha një nga ata njerëz që vdesin në sheshxhirim”, shton ai.

“Nuk kam asnjë qëllim të vërtetë të kthehem”, vazhdoi Douglas.

Douglas luajti për herë të fundit Benjamin Franklin në miniserialin e Apple TV+ të vitit 2024 “Franklin”.

Producenti i “One Who Flew Over the Cuckoo’s Nest” foli gjithashtu për mënyrën se si diagnoza e kancerit në fyt i ka ndikuar në karrierën e tij si aktor.

“Kalova nëpër programin, i cili përbëhej nga kimioterapia dhe rrezatimi, dhe isha me fat. Ndërhyrja kirurgjikale do të thoshte se nuk do të mund të flisja dhe një pjesë e nofullës sime do të hiqej, gjë që do të më kishte kufizuar si aktor”, theksoi ai.

“Po e shijoj pushimin dhe jetën. Ka qenë e vështirë të drejtoj kompaninë dhe të aktroj në të njëjtën kohë”, theksoi ai./KultPlus.com

Palmë e Artë Nderi për Michael Douglas

Michael Douglas mori Palmën e Artë të Nderit në hapjen e Festivalit të 76-të të Filmit në Kanë, dje në mbrëmje.

”Kjo do të thotë shumë për mua, sepse ka qindra festivale në mbarë botën, por ka vetëm një Kanë”, tha aktori 78-vjeçar duke e përshkruar atë si një ”nder të pabesueshëm”.

Duke vënë në dukje se ai është më i moshuar se festivali, Douglas përmendi karrierën dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë industri.

Duke prezantuar Douglas, Uma Thurman e përshkroi atë si ”unik” edhe ”si producent” edhe si ”ikonë e filmit”.

Duke prezantuar ceremoninë e hapjes, Chiara Mastroianni tha se ”qëllimi i këtij festivali ka qenë dhe mbetet evokimi i lirisë sonë… për të shprehur fuqinë dhe brishtësinë e ekzistencës sonë”.

Ajo mirëpriti në skenë jurinë, të udhëhequr nga regjisori Ruben Ostlund.

Filmi ”Jeanne du Barry” hapi festivalin.

Ai i referohet historisë së Marie-Jeanne Becu (1743-1793), e dashura e mbretit Luigji XV.

Johnny Depp luan rolin e mbretit dhe Maiwenn atë të Becu./ atsh / KultPlus.com

Michael Douglas së shpejti me rolin e Benjamin Franklin në një serial

Apple TV+ ka konfirmuar se aktori 77 vjeçar Michael Douglas do të paraqitet me rolin e Benjamin Franklin në një seri.

Seria, e cila nuk është titulluar akoma, paraqet tetë vite të jetës së figurës politike amerikane Franklin, shërbimin e tij më vital për vendin.

Douglas është producent ekzekutiv i serisë bashkë me Kirk Ellis. Ellis i ishte producent ekzekutiv edhe i serisë së HBO “John Adams”.

Në këtë ekip u bashkua edhe skenaristi Tim Van Patten, i njohur për punën në Boardwalk Empire dhe në The Sopranos.

Franklin ishte figurë e shquar. Ai ndihmoi në sigurimin e pavarësisë së SHBA-ve, si dhe udhëhoqi me avansim në teknologji në vitet e herëshme. Në seri do të paraqitet Douglas në rolin e Franklin, duke hartuar traktatin e Parisit, dokument ky që u nënshkrua në vitin 1783, e që zyrtarisht i dha fund luftës në Amerikë.

Pra, seritë do të eksplorojnë tregimin emocionues të Benjamin Franklin. Ai në moshën 70 vjeçe, pa kualifikim në diplomaci, bindi Francën që të nënshkruaj për demokracinë e Amerikës.

Sa i përket aktorit Douglas, ai së fundmi përfundoi me paraqitje në serinë The Kominsky Method, që u transmetua në Netflix tri sezone.

Dagllas në këtë seri luan rolin e Sandy Kominsky, një personaliteti të harruar filmi.

Ai për këtë rol në vitin 2019 u nderua me Golden Globe, për parqitjen më të mirë si aktor në një seri televizive./ KultPlus.com