Ai iku Hanë

Poezi nga Miranda Dobraj

Ai shkoi Hanë. Shkoi përtej çdo shtegu
që unë mund ta gjej. Mbylli çdo derë për
mua. Ai iku Hanë. Më la të vetmume me
melodinë e shiut, më la veç erën që fryen
e më sjell kujtimet. Ai nuk më la diell.
Ai më la me ty Hanë, thua se ti më mjafton
për të çu para çdo ëndërr, për të çu para këtë jetë.

Ah, Hanë! Sa dhimbka shpirti, po
mbytka fryma. Më mbyti më shumë se
helmi që pinë Romeo e Zhulieta, më dhemb
helmi sepse ka kohë që gjindet brenda meje.
Pikoj helm Hanë, në vend që të pikoj gjak.
Pikoj helm e mbushem vrerë me veten.
Nuk mundem më.

Të betohem se secila rrugë dhe secili veprim
më duket që kërkon një forcë shumëtonshe të
cilen unë nuk mund ta përballoj.
Unë po thahem Hanë, kripa e lotëve të mi,
mbyti ëmbëlsinë brenda meje.
Dita-ditës po mbytem. Hanë, të lutem shumë,
ti bëhu qiriu i fundosjes sime.
Kaq për mua, Hanë!

Zotni skulptor

Poezi nga Miranda Dobraj.

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë vitet e mia
që janë t’lulueme sa nji prandverë
e t’dërmueme sa nji dimën
në ditët dembele t’jetës
ka ardh koha tash me festue
për secilën vrimë a rrudhë
prej teje nji dëshirë kam
banem skulpturë…

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë rrudhat e mia
t’vendosuna në fytyrë si -21 vija
prej vitit t’parë t’lindjes ngushtueme
me mërzi e vaj t’krijueme…

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë dhe eshtrat e mia
t’vendosuna mrena meje si shtiza
t’mbulueme me nji cipë lkure
me vaj e kuje, mbetum thatim
po i fsheh n’skeletin tim…

Zotni skulptor
po t’baj ftesë t’më gdhendësh si statujë
ku t’mos kem ndjenja dhe t’emnohem gur
s’të them t’më murosësh si t’shenjtën Rozafë
që besnike iu qëndroi mureve t’kalasë
por t’më gdhendësh çdo gjë timen thellë
dhe t’shikosh se në mua gjindet nji humnerë
atëherë do kuptosh se kur dikush rron pajetë
nuk ka çka i ban as skulptor i shkretë..