69 vjet nga vdekja e Mirash Ivanaj, një nga intelektualët më të spikatur

Mirash Ivanaj (12 mars 1891 – 23 shtator 1953), një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e Arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptar i panjohur në ditët e sotme.

Ai ishte një nga intelektualët më të spikatur, pedagog, publicist, jurist, filozof, poet por Ivanaj dallonte dhe për cilësitë e karakterit të tij, si një njeri serioz, patriot, trim, i palëkundur në bindjet e tij, idealist, i ndershëm por mbi të gjitha ai do të mbahet mend për drejtësinë ekzemplare që shpaloste në jetën e përditshme dhe në veprimtarinë e tij në punët e shtetit.

Ivanaj rridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi, ku mësimet e para i mori në Mal të Zi dhe Serbi, kurse studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy laura për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj. Duhet nënvizuar se në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja të përvetësuara falë intelektit të tij të shfaqur që në vogëli dhe vullnetit të tij të palëkundur. Ivanaj, gjatë studimeve në Itali dhe më pas kur u kthye në Atdhe duke ju përkushtuar punëve tepër delikate që iu ngarkuan, ka bërë një jetë të veçuar, i lidhur ngushtë me librin, fletoret, dokumentet që hartonte.

Pasi erdhi në Atdhe, në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi, bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti. / KultPlus.com

Përkujtohet në 68-vjetorin e vdekjes juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj

Si sot më 22 shtator 1953, ndërroi jetë juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj.Ivanaj u lind në Podgoricë.

Studimet i kreu në Itali nga ku kthehet në Shqipëri me dy doktorata të kryera, një në fushën e jurisprudencës dhe tjetrën në fushën e letërsisë.Kur kthehet në Shqipëri përfshihet në fushën arsimore dhe të publicistikës. Rreth vitit 1932 ai bëhet pjesë e politikës dhe jetës parlamentare, ku kryesisht merret me çështjet e arsimit.

Projektligji i 11 prillit 1933 do të quhej si reforma “Ivanaj” dhe do të sulmohej jo vetëm në shtypin e kohës por edhe në arenën ndërkombëtare ku do të bëhej subjekt gjykimi i gjykatës ndërkombëtare të Hagës, pasi reforma solli mbylljen e të gjitha shkollave fetare në vend.

Pushtimi italian do të sillte largimin e tij nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme dhe rikthimin e tij në 1945 pas garancisë së qeverisë së re se karshi tij nuk ka proces gjyqësor të hapur. Emri i tij si pjesë e listës intelektuale do të përfshihej shumë shpejt në listat e sigurimit të kohës nga ku “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.

Ai u akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpuntor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit ai humbi jetën në burg.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri përkujtoi Mirash Ivanaj duke publikuar disa fotografi dhe dokumente të tij si kërkesa drejtuar Masonerisë italiane ku ndër të tjera ankohet për shkollat në veri që kanë rënë në dorë të Klerit, dorëheqja e Ivanaj si ministër Arsimi drejtuar kryeministrit, pas 30 gushtit të vitit 1935. / KultPlus.com

Mirash Ivanaj, shqiptarit që ju dënua mendimi me 7 vjet burg

A e more vesh, mor ti?
– Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?
– Je i dënuar me 7 vjet burg!
– Po për ç’ka jam dënue mor zotni?
– Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
– Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam fole me njeri, përveç punës arsimore.
– Po me atë mendim ke ardhur prej andej që të bësh propagandë.
– Po pse a ka ligje në botë zotni, që të dënojë mendimin?
– Mbylle gojën se je i dënuar!

Fjalët e fundit në procesin farsë në të cilin regjimi bolshevik dënoi me shtatë vjet heqje lirie krye reformatorin e arsimit kombëtar, Mirash Ivanajn.
Jeta e mjeruar dhe puna shumë e rëndë në burg si përkthyes sollën degradimin e shpejtë të shëndetit të M. Ivanajt. Thuhet se disa javë para ditës së lirimit nga burgu ai i ka dërguar drejtorit një letër ku i kërkonte atij ta mbante në burg se nuk kishte ku të shkonte për të banuar dhe nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar. Por, i dërrmuar nga puna e rëndë dhe kushtet e tmerrshme të burgut, më 22 shtator të vitit 1953, 12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij, ai mbylli sytë për jetë. E mbylli jetën në moshën 62 vjeçare. Në këtë mënyrë Shqipëria humbi një ndër bijtë më të mirë të saj. / KultPlus.com