Promovohet ‘Kinematë e humbura të Mitrovicës’, 25 rrëfime personale shpalosin të kaluarën e bujshme së jetës kulturore të qytetit  

Rrëfimet nga Melihate Qena, Ismajl Beqiri Smaja, Sadedin Prekazi, Bejtë Jusufi, Gani Barani, Xhelal Hama, Jashar Klisurica, Sejdi Zeka, Bedri Selmani, Adem Zhitopotoku, Skender Idrizi, Shpend Feka, Skender Sadiku, Mehmet Hetemi, Fahredin Spahiu, Shukran Osmani Abazi, Sabërnaze dhe Kujtim Ramadani, Mevlude Mezini Saraçi, Shukri Kacaniku, Gani Shala, Nexhat Mungolli, Shenaj Zeneli, Atifete Luzha Karakashi dhe Fatmir Suhodolli, janë jetësuar mrekullueshëm përbrenda librit “Kinematë e humbura të Mitrovicës” së autores Nora Prekazi, promovimi i të cilit gjeti pikënisjen mbrëmë në ish-objektin e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, shkruan KultPlus. 

Ky libër që sjell pas vetes 25 rrëfime personale të qytetarëve të Mitrovicës, paraqet të kaluarën e bujshme të jetës kulturore në këtë qytet. Shpalosja e mënyrës së organizmit në kinematë e rajonit të Mitrovicës gjatë ish-sistemit jugosllav të shekullit XX, është një nga pikat kyçe që shtjellohet në detaje. Zhvillimi i veprimtarisë së kinemasë, punonjësve të saj, programit të shfaqur si dhe ngritja e rënia e këtij institucioni, shpalosen në mënyrë kronologjike përgjatë rreshtave. 

Libri konsiderohet të jetë një reflektim mbi jetën në një qytet që dikur kishte me shumë se një kinema aktive. Pra, është një thirrje për ta kujtuar dhe për ta dokumentuar atë. 

Historiku i kinemave në Mitrovicë dhe rrethinë, kujtimet mbi kinematë e humbura si dhe shtojcat e fotografive dhe të dhënave të ndryshme, janë krejt ato që përthekojnë këtë libërth që i trajton këto ndarje në një mënyrë intime e aq edhe reale. 

Në panel për të promovuar dhe diskutuar rreth këtij libri të pranishëm ishin: aktorja Melihate Qena, regjisori Sadedin Prekazi, autorja e librit Nora Prekazi si dhe Merishahe Syla e cila ishte në rolin e moderatores. 

Fillimisht, autorja e librit, Nora Prekazi nisi diskutimin rreth idesë që e pati për ta krijuar këtë libër. 

“Inspirimi ka ardhur fillimisht në shtëpi, ka ardhur nga prindërit e mi të cilët kanë jetuar në një qytet që ka qenë shumë ndryshe nga qyteti prej të cilit unë jam rritur. Inspirimi ka ardhur prej artistëve si këta dy sonte me ne. Inspirimi ka ardhur prej asaj që unë e kam njohur për qytetin, duke marrë parasysh që dhjetë vite punoj në Muzeun e qytetit, merrem me të kaluarën e qytetit por jam një gjeneratë që nuk i ka mësuar këto hapësirat që ju i keni parë. Arsyeja pse, është se gjeneratat e reja duhet ta kuptojnë se një qytet si Mitrovica ka pasur shumë infrastrukturë dhe shumëçka që për mua dhe gjeneratat pas meje, janë absurde. Duke e ditur që jemi rrit në një qytet me shumë telashe, hapësirat thjesht janë tjetërsuar”, thotë ajo. 

Sipas saj, ideja ka qenë që të dokumentohet diçka shumë modeste për një veprimtari shumë të madhe. Është filluar me intervistat dhe asaj i ka nisur t’i dalë një botë tjetër. Libri cilësohet si një version i thjeshtë ku autorja vetëm ka dëshirë që libri të jetë si thirrje që njerëzit e tjerë të vazhdojnë të studiojnë këtë fushë, që është shumë e madhe.  

“Çdo herë kur fillon një rrugëtim, është njëfarë arritje personale. Unë jam kënaqur shumë me këtë hulumtim dhe në fakt ka qenë një kënaqësi tejet e madhe. Përpos arritjes, është edhe një dhimbje, për arsye se shumë prej këtij hulumtimi, nuk ekziston më. Nuk ekziston si hapësirë, nuk ekziston ajo shoqëri e demografi. Unë tanimë e kam kujtesën e prindërve të mi, por nuk është diçka e imja. Për mua, do të mbetet si një ndër hulumtimet më të veçanta deri më tash. Pra, është ideja që demografia ndërroi dhe ndryshoi komplet shpirti i qytetit. Neve na duhet ndihma e jo vetëm juve, por e gjithë Kosovës”, përfundon Prekazi. 

Ndërsa, aktorja Melihate Qena ka folur rreth kujtimeve që i ka pasur në atë kohë në Mitrovicë. 

“Ne jemi një popull shumë i çuditshëm. Ne kemi një dëshirë për të fshirë krejt se çka ka ekzistuar para neve dhe për të vazhduar e filluar nga vetja. Kjo është dëmi më i madh që ia bëjmë popullit tonë. Një qytet që ka pasur tri kinema aktive, që vazhdimisht kanë dhënë filma, tani ndodhet në fund të pusit. Është e dhimbshme për një qytet që ka pasur muzikën, artin, vallëzimin dhe gjithë atë pasuri, që në fund të fundoset. Natyrisht, në atë kohë nuk ka pasur frymë tjetër. Kanë qenë kinematë nëpër të cilat vazhdimisht kam shkuar”, thotë Qena. 

Sipas saj, krejt ato përjetime atëherë, gjithmonë do të kujtohen përherë nga ana e saj. 

“Tash, tek teatri Zvezda është ndërtuar një qendër tregtare dhe duhet si hajn që të shkosh rreth e rreth për të shkuar në teatër. Është e dhimbshme dhe e patolerueshme. Këtë nuk ta ka bërë as Millosheviqi, as Hitleri e as njerëzit e tu, prandaj edhe është më shumë se tragjike. Andaj edhe ia shtrojmë pyetjen vetes: A meritojmë ne diçka më mirë apo jo. Ndoshta edhe nuk e meritojmë, meqë po na ndodhin gjithë këto”, përfundon Qena. 

Po ashtu, regjisori Sadedin Prekazi ka thënë se të gjithë atë kohë, kanë qenë të infektuar për të shkuar në kinema. 

“Atëherë ka qenë një interesim i jashtëzakonshëm për kinema, dhe njerëzit hynin në rresht por hynin edhe disa që i merrnin nga disa bileta. Ato bileta pastaj shiteshin jashtë, për një çmim më të lartë. Ka ndodhur shpesh, dhe e pata praktikuar edhe unë këtë. Me dy duar, merrnim nga dhjetë bileta gjithsej. Si dilja nga rendi, unë i shitsha ato bileta, dhe me këtë desha që të ilustroj se gjinia mashkullore gjithmonë gjendet pak më shumë në situata të tilla”, thotë ai. 

Sipas tij, ata gjithmonë kanë qenë të infektuar për të shkuar në kinema, prej ku konsiderohet se e kanë marrë edhe kulturën. 

“Unë dua ta përgëzoj Norën për idenë e saj dhe dua ta falënderoj që i ka ra në mend asaj dhe jo neve. Një qytet i tillë me aq shumë hapësira, sot nuk ka asnjë gjurmë të vetme. Nuk mund të mendojmë ne më për Mitrovicën sepse Mitrovica më nuk ekziston”, përfundon Prekazi. 

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të thirrjes për projekte individuale. / KultPlus.com