Rikthehet ‘Mokra n’Fest’, festa që ngjall traditën dhe mikpritjen

Mokra po bëhet gati të presë edicionin e gjashtë të festivalit “Mokra n’Fest”, një festë që prej vitesh mbledh bashkë mokrarët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke kthyer këtë zonë të bukur malore në një qendër të traditës, kulturës dhe mikpritjes.

Kjo festë do të mbahet më 16 gusht, nga ora 14:00 deri në mbrëmje vonë tek ura monument kulture në Golik. Gjatë festës do të zhvillohen aktivitete kulturore si koncerte e muzikë live dhe panair me gatime tradicionale.

Në skenën kryesore do të performojnë këngëtarët Mariola & Jurgen Kaçani, vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, Vëllezërit Kapa, Ansambli “Mokra”, Julian Elezi, Juli Tollozhina etj, si dhe këngëtarë të tjerë lokalë, që do të sjellin muzikën dhe shpirtin e kësaj treve të lashtë ilire.

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet karakteristike të zonës, përgatitur nga duart e nënave mokrare si lakror në saç, kulaç tradicional, mish në hell, të gjitha me shije shtëpie dhe shumë dashuri.

Ndër aktivitetet që pritet të mbahen janë edhe kanoe në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, koloni piktorësh, ekspozitë fotografike, argëtim për fëmijë dhe të rinj.

Ky festival folklorik është më shumë se një festë, është një kthim në rrënjë, një kujtesë e vlerave dhe identitetit tonë kulturor, dhe një ftesë për të jetuar nga afër shpirtin mokrar./atsh/KultPlus.com

Mokra, destiancioni turistik mes pafundësive të bukurive natyrore dhe historike

Bukuritë e Mokrës janë të pafundme. Mokra është një nga 76 fshatrat më të bukur të rrethit të Pogradecit. Mes mijëra përrenjve, qindra fshatrave, dhjetëra liqeneve, krahina e mullinjve nga fshati Kozici në Shkumbin të lë pa frymë.

Natyra bujare nuk i ka kursyer asgjë Mokrës. Njerëz punëtorë, të dashur, mikpritës i gjen në çdo fshat të Mokrës. Pozita gjeografike pranë liqenit të Ohrit dhe kushtet klimaterike, e kanë favorizuar këtë krahinë që të popullohet që në kohët antike.

Fshatrat ‘flasin’ për shekuj histori, për sakrifica, e legjenda të rralla.Nga varret ilire të Selcës, rruga Egnatia, Gurët e Nuses, Ura e Golikut, e deri tek liqenet mahnitëse të Lukovës mbi Bishnicë, liqenet e Shën Marenës, Liqenet e Lenies. Mokra të qetëson shpirtin dhe mendjen.

“2 orë nga Tirana të presin pafundësi me bukuri dhe histori. Eja në Mokër”, është ftesa që bashkia Pogradec, i bën të gjithë qytetarëve, që këtë vit të vizitojnë dhe të kalojnë pushimet në fshatin me bukuri të veçanta. / atsh/ KultPlus.com