Piktori Vangjo Vasili me ekspozitë personale në Pogradec, shpalosi peizazhe plot ngjyra

Piktori i mirënjohur Vangjo Vasili ka hapur një ekspozitë në qytetin e Pogradecit.

“Pogradeci i poetëve dhe piktorëve të shquar, është kthyer në një qytet ku ngjarjet artistike janë gjithmonë e më të shpeshta, falë edhe mbështetjes të veçantë të kryebashkiakut Ilir Xhakolli”, u shpreh prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, së bashku me të tjerë figura të shquara të qytetit, artistë e drejtues të pushtetit vendor.

“Në këtë ekspozitë, Pogradecin dhe liqenin e pamë me sytë e piktorit, nëpërmjet peisazheve të tij plot ngjyra”, shprehet Jole për Vasilin i cili njihet si një nga peizazhistët më të mirë shqiptarë.

Vangjo Vasili është nga piktorët më të vlerësuar e më prodhimtarë. Ai është pjesëmarrës në ekpozita të përbashkëta të piktorëve shqiptarë, por vazhdimisht ka ekspozuar krijimet e tij edhe në ekspozita vetjake, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com

Edicioni i 29-të i Festës së Verërave dhe Gështenjës në Pogradec

Festa e Verërave dhe Gështenjës e ngrohu fundjavën në qytetin e Pogradecit. Kjo festë ishte një arsye më shumë për të tërhequr drejt këtij qyteti një numër të madh vizitorësh megjithëse stina e ngrohtë ka përfunduar.

“Festa e Verërave dhe Gështenjës 2023, mblodhi në sheshin e qytetit miq të Pogradecit dhe bashkëqytetarët, përgjatë dy netëve të bukura, me verë buti, gështenja të pjekura dhe muzikë fantastike. Në tre dekada Pogradeci dhe pogradecarët tregojnë se dinë të festojnë por edhe të nxjerrin prodhime artizanale cilësore”, shkroi online kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli.

Ai falenderoi këdo që ju bashkua festës: qytetarë, vizitorë dhe turistë, në këtë edicion të 29-të të festës. Në përfundim janë ndarë edhe çmime për verën, poezinë për verën si dhe për pikturën më të mirë dedikuar verës:

Vera më e mirë e kuqe artizanale:

Metjan Muço

Lorenc Marko

Musa Abrashi

Vera më e mirë e bardhë artizanale:

Artur Blacëri

Aspasela Kumbulla

Vangjo Gusho

Çmimi i kantinës për Verën e Kuqe:

Kantina “Flavio”

Kantina “Dervishi”

Kantina “Nani”

Çmimi i kantinsë për Verën e Bardhë:

Kantina “Asllani”

Kantima “Binjakët”

Kantina “Dervishi”

Çmimi i Poezisë për Verën:

Idva Pere

Mateo Yskollari

Semela Lushka

(Inkurajues) Romina Xhaferri

Çmimi i Pikturës për Verën:

Filloreta Dako

Melinda Fraholli

Leonard Lesaj

(inkurajues)Livia Nasto/atsh/KultPlus.com

Flamingot rikthehen në liqenin e Pogradecit

Flamingot janë rikthyer edhe për këtë sezon në liqenin e Porgradecit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale momente nga qëndrimi i tyre në liqen.

“Nëse ndodheni pranë këtij liqeni, mund të keni fatin të vrojtoni nga afër rreth 40 flamingo”.

Vitet e fundit flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë. Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur, në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavastasë.

Prej disa vitesh tashmë, flamingot frekuentojnë edhe liqenin e Pogradecit për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse ai nuk përbën habitatin e tyre natyror./ atsh / KultPlus.com

Bashkia Pogradec, aktivitete të përbashkëta artistike dhe kulturore me qytetin gjerman

Bashkia e Pogradecit dhe ajo e Wismar, Republika Federale e Gjermanisë, në kuadër të Marrëveshjes së Binjakëzimit që kanë lidhur mes tyre, në vitin 2019, nga dy kryetarët e bashkive, respektivisht Ilir Xhakolli dhe Thomas Beyer, kanë realizuar gjatë këtij viti një serë aktivitetesh të përbashkëta në fushën e artit dhe kulturës.

Kështu specialistë të bashkisë Pogradec morën pjesë në trajnimin e organizuar në bashkinë Wismar në fushat Turizëm, Trashëgimi Kulturore, Legjislacioni mbi Turizmin.

Bashkëpunimi në fushën e lundrimit dhe artit angazhoi 11 të rinj, të moshave 12-16 vjeç, anëtarë të Shoqatës “Seglerjugend Wismar” të shoqëruar nga tre bashkëpunëtorë të rritur,  në demonstrimin e lundrimit me vela në Liqenin e Ohrit, pjesa shqiptare, në Pogradec, si edhe me asistencën e piktorit të merituar Anastas Kostandini, realizuan pikturat e tyre, të cilët u ekspozuan më pas në ekspozitën e pikturës në Wismar, krahas punimeve të ekspozitës së piktorit Anastas Kostandini.

Çelja e ekspozitës së “Piktorit të Merituar” Anastas Kostandini, titulluar “Një piktor nga Pogradeci viziton Wismarin”.

Kështu në fund të muajt gusht, në bashkinë Wismar u organizua takimi zyrtar me kryetarin e bashkisë Thomas Beyer, ku u analizuan dhe u përshëndetën bashkëpunimet e deritanishme të realizuara në disa fusha dhe u propozuan të tjera bashkëpunime konkrete në të ardhmen.

Bashkia e Pogradecit njofton se pritet të realizohet së shpejti bashkëpunimi në fushat e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore me prezencën e dy funksionarëve të bashkisë Wismar, teksa titullarët konfirmojnë vullnetin e mirë për vazhdimësinë e binjakëzimit mes dy bashkive edhe në fusha të tjera./atsh/KultPlus.com

Dy ditë plot aktivitete kulturore në Lin të Pogradecit


Rijetojmë trashëgiminë tonë”, është një aktivitet kulturor i cili do të zhvillohet sot dhe nesër në Lin të Pogradecit.

Ky aktivitet do të zhvillohet gjatë ditës në fshatin turistik Lin dhe në mbrëmje në orën 19:30 tek Mozaiku Paleokristian, 20 km larg qytetit të Pogradecit.

Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole tha se, ky aktivitet i bukur ka për qëllim evidentimin e vlerave etno-kulturore dhe prezantimin e tyre para turistëve të huaj, por edhe qytetarëve shqiptarë që vizitojnë Pogradecin në këte sezon veror.

Vizitorëve do t’iu ofrohet muzikë, kulinari, etnografi, artizanë, sfilatë slow fashion, guida turistike profesionale në fshat dhe tek Mozaiku Paleokristian./ atsh / KultPlus.com

Maratona Enkelana sjell në Pogradec 500 pjesëmarrës nga 25 vende

Rikthehet Maratona Enkelana në edicionin e saj të dytë në qytetin e Pogradecit, në dy disiplina: gjysme maratona 21 km Lin-Pogradec dhe mini maratona 10 km Pogradec-Buçimas-Pogradec.

Mbi 500 pjesëmarrës nga mbi 25 vende të botës tashmë janë regjistruar në maratone, duke e kthyer Pogradecin në qytetin pritës të një ngjarjeje të madhe sportive.

Bashkia Pogradec ka njoftuar se ne daten 29 korrik do të ketë një bllokim të përkohshëm të rrugës Lin-Pogradec nga ora 19:00-20:30 për shkak të kompeticionit sportiv.

Ndërkohë për rastet e emergjencave gjatë kësaj fashe orari do të mundësohet lëvizja e ambulancës./atsh/KultPlus.com

Detaje mbi zbulimet e reja në Linin mijëravjeçar

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau të tjera detaje mbi zbulimin e fundit të arkeologëve, në Lin të Pogradecit.

Stafi shqiptaro-zviceran, drejtuar nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner po zhvillojnë një ekspeditë kërkimore arkeologjike.

Kjo ekspeditë ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tre shtete Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqëndruar në sitin e Linit nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti.

Sipas specialistëve, mbështetur mbi dijet e deritanishme vendbanimet palafite bregliqenore në Lin, janë më të vjetrat në Europë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmet në llojin e vet në rang botëror.

Sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner, materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit apo në bregun e liqenit, dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh që daton rreth 5900- 5800 para Krishtit.

Analizat me metodën e radiokarbonit po kryhen në Laboratorin C14 në Universitetin e Bernës, që është një nga partnerët në këto kërkime, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, financuar nga Bashkimi Europian. / atsh / KultPlus.com

Çmimet e Festivalit Ballkanik të Filmit e Kulinarisë në Pogradec

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ka ulur siparin me ndarjen e çmimeve filmave që spikatën. Gjatë 5 ditëve, ky festival i solli më shumë gjallëri qytetit të Pogradecit, i cili tashmë ka një frekuentim më të gjerë nga vendas por edhe turistë të huaj. Ky ishte edicioni i 13-të për Balkan Film & Food Festival.

Çmimi “Best Movie Award” shkoi për filmin “Dignity”i regjisorit grek Dimistris Katsimiris. Marko Santic nga Kroacia fitoi “Best Balkan Spirit Award” me filmin “Marko”, ndërsa regjisori shqiptar Edmond Mandro ka rrëmbyer çmimin “Best Short Movie Award” me filmin e tij “Kllouni”.

Në natën e ndarjes së cmimeve, një moment special iu kushtua regjizorit të nderuar Kristaq Mitro dhe pasurisë kinematografike që ai la pas.

Edicioni i vitit 2023 solli pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit rreth 80 filma. Në program kishte filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit.

Veprat filmike përfaqësuan Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi./atsh/KultPlus.com

“Qyteti si pikturë-muzikë-arkitekturë”, Taso çel ekspozitë në Pogradec

“Qyteti si pikturë – muzike – arkitekturë” ishte ekspozita e piktorit të njohur pogradecar Anastas Kostandini (Taso), e cila u çel këtë fundjavë në qytetin liqenor të Pogradecit.

Ishte Kuarteti i Harqeve “ILA 74” me artistët Kostika Tanto, Vangjush Papadhimitri, Zeqir Sulkuqi dhe Ilo Kanani qe çelën ekspozitën me interpretimet e tyre, homazh për Sotiraq Kostandinin, vëllanë e piktorit të njohur.

Më pas të pranishmit soditën mbi 40 vepra të ndryshme në vizatim dhe pikturë të qytetit të Pogradecit dhe Parisit të prezantuara në ekspozitë.

Pogradeci i poetëve dhe piktorëve të shquar, është kthyer në një qytet ku ngjarjet artistike janë gjithmonë e më të shpeshta dhe uroj që kjo traditë të vazhdojë, thotë Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole i cili ndoqi eventin artistik, i cili vëren se qarku që drejton shquhet për ngjarjet artistike dhe artistët e tij.

Ekspozita “Qyteti”, e piktorit Anastas Kostandini do të qëndrojë e hapur për 10 ditë në galerinë e arteve në Pogradec./Ballkanweb/KultPlus.com

“Guest House 1960”, bujtina në Lin ndërtuar mbi themelet e shtëpisë së fëmijërisë

Një tjetër bujtinë e bukur ka hapur dyert për turistët në Lin të Pogradecit.

“Guest House 1960” e ndërtuar mbi themelet e shtëpisë së fëmijërisë nga familja Sulollari, është një ambient shumë miqësor ku spikat bujaria dhe mikpritja.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga kjo bujtinë, ku krahas natyrës magjepsëse që ofron Lini ka dhe një minigaleri me piktura të shekullit të 19-të që pasqyrojnë Shqipërinë e asaj kohe.

Mbështetja për agroturizmin dhe programi i “100 Fshatrave” kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.

Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.

Mbështetja financiare ndihmon prodhuesit e vegjël në rritjen e kapaciteteve prodhuese, plotësimin e standardeve dhe siguruar cilësi, për të mundësuar që këto produkte të gjenden kudo. Në të njëjtën kohë fuqizohen zonat rurale, nëpërmjet orientimit të investimeve në këto zona./ atsh / KultPlus.com

Tri projekte për transformimin e Pogradecit

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli si dhe Aleksandër Sarapuli nga AADF, kanë diskutuar hapat teknike dhe kalendarin e zbatimit të punimeve për projektin që do të transformojë zonën Drilon-Tushemisht.

Bëhet fjalë për një investim që kap vlerën e 15,5 milionë dollarëve, të cilat do të sjellin një transformim të qëndrueshëm, duke e kthyer qytetin e Pogradecit në një destinacion turistik shumë më të preferuar për vizitorë vendas e të huaj.

Për këtë zonë janë miratuar në total 3 projekte. Parku i Drilonit me vlerë 5,5 milionë dollarë është i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, ku është parashikuar të realizohet rehabilitimi i gjithë parkut deri tek burimet e Zagorçanit (Gurasit), rehabilitimi i fasadave të objekteve të Tushemishtit, si dhe tre parkime publike e një qendër vizitorësh.

Po ashtu, me mbështetjen e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është miratuar fondi me vlerë 4 milionë dollarë dhe aktualisht është në proces prokurimi, për zbatimin e projektit të “Shëtitores së Tushemisht nga ura e Drilonit deri në pikën doganore të Tushemishtit”.

Ndërkohë që, projekti i “Unazës së Tushemishtit” që fillon nga ura Drilonit dhe kalon nga burimet e Zagorçanit për të përfunduar në pikën doganore, është financuar gjithashtu me një vlerë 6 milionë dollarë nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe pritet që të fillojë nga zbatimi brenda vjeshtës.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, është shprehur se projektidea i ishte paraqitur drejtorit te AADF dhe bordit të këtij fondacioni, që në vitin 2016, së bashku më ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. “Ky projekt mori aso kohe miratimin e Bordit për t’u financuar dhe është një lajm i shkëlqyer që sot projekti është në fazën e zbatimit”, shtoi prefekti Jole. /atsh / KultPlus.com

Ekspozita ‘Gravura’ nga Taso pret vizitorë në Pogradec

Në Galerinë e Artit Pogradec është hapur ekspozita “Gravura” e Anastas Kostandinit, i njohur për artdashësit me emrin e artit Taso. Kjo është hera e parë që mjeshtri i pikturës sjell një ekspozitë të këtij zhanri.

Gravurat e Tasos mbajnë emocion, dashuri për qytetin e tij, Pogradecin dhe kritikë gjithashtu. Siç shprehet ai vetë, grafika për të ka qenë një paralele aq serioze sa hera- herës merrej veçmas me të.

Pasi Galeria Kombëtare e Arteve koleksionoi disa prej gravurave të tij, Taso vendosi të merrej seriozisht me gravurën, aq sa edhe me pikturën. Prej 40 vitesh, vizaton qëllimisht për të krijuar grafika.

Pasioni grafik, thotë Anastas Kostandini, më ka shtyrë drejt ilustrimit letrar, por edhe në grafika të realizuara për revista e gazeta. Ndikim të drejtpërdrejtë tek artisti, në këtë pasion, kanë patur mjeshtrat botërorë, veçanërisht grafisti ekspresionist belg Frans Masereel, Lyonel Feininger, ksilogravurat japoneze dhe mbi të gjithë, mjeshtrit e mëdhenj si Albrecht Dürer, Hans Holbein e deri tek Picasso.

Ekspozita “Gravura”, në Galerinë e Artit “Lasgush Poradeci” do të qëndrojë e hapur deri në datën 25 gusht. Ajo vjen me mbështetjen e Bashkisë Pogradec dhe Qendrës Multifunksionale Pogradec./atsh./ KultPlus.com

Ikona e muzikës greke Glykeria dhe artisti Dasho Kurti elektrizojnë Pogradecin

Tingujt e muzikës greke dhe këngëve shqiptare pushtuan këtë herë sheshin “Odeon” në qytetin liqenor të Pogradecit ku për rreth dy orë performoi koncert Live këngëtarja greke me famë kombëtare, Glyekeria. Rikthyer pas një viti në Shqipëri me zërin e saj brilant artistja greke dhuroi emocione të bukura duke elektrizuar publikun pogradecar.

“Emrin e qytetit të Pogradecit e kam dëgjuar nga im atë. Është një qytet i mrekullueshëm. Kam një lehtësi të këndoj në gjuhë të huaja dhe jam shumë e lumtur që kam mësuar të këndoj edhe në gjuhën shqipe. Është kënaqësi të këndoj këngë në shqip falë muzikantit Dasho Kurti”, tha Glyekeria.

Për organizatoren e koncertit Enkeleida Fejoz evente të tilla janë një mundësi për të zhvilluar turizmin dhe jetën kulturore të qytetit.

“Është një kënaqësi kur publiku ia di këngët këngëtares. I shërben jo vetëm turizmit , por është dhe një marrëdhënie shumë e mirë midis dy popujve duke ditur që arti dhe muzika është një nga urat lidhëze mes dy popujve edhe për trashëgimi, traditë”, u shpreh ajo.

Pas qytetit të Pogradecit këngëtarja së muzikës greke, Glykeria do të vazhdojë turin e saj të koncerteve në Vlorë dhe në Dropull./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Pogradeci pret në mbrëmje gjysmëmaratonën ‘Enkelana’

Bashkia e Pogradecit organizon maratonën “Enkelana”. Bëhet fjalë për një maratonë e cila përfshin dy disiplina: e para, një gjysmëmaratonë prej 21 km, që nis nga fshati Lin, vazhdon përgjatë aksit rrugor buzë liqenit dhe përfundon në qytetin e Pogradecit (lulishtja “1 Maji”, ish-kampi i punëtorëve); disiplina e dytë (10 km), e cila nis nga lulishtja “1 Maji” dhe vazhdon drejt fshatit turistik Drilon, duke përfunduar tek pika e nisjes, në qendër të Pogradecit.

E veçanta e këtij aktiviteti është se zhvillohet në mbrëmje.

Policia ndërkohë ka një plan masash për mbarëvajtjen e aktivitetit “International Half Marathon night Enkelana”.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë do të marrin masa për ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë dhe pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore.

Për këtë qëllim, ata kanë informuar drejtuesit e mjeteve se aksi rrugor Lin-Pogradec-Tushemisht (deri në dalje të qytetit, fshati Buçimas) do të jetë i bllokuar në datën 30 korrik, nga ora 18:30 deri në orën 21:00, me përfundimin e këtij aktiviteti.

Edhe në brendësi të qytetit të Pogradecit do të jenë të bllokuara rrugët “Dëshmorët e Pojskës”, “Kajo Karafili”, “Gani Butka”, “Sul Starovari”. Gjatë orarit të kufizimit të lëvizjes rekomandohet përdorimi i rrugës tjetër alternative, Tiranë-Elbasan-Gramsh-Moglicë-Maliq-Korçë.

International Half Marathon night Enkelana” organizohet nga shoqata “Maraton Albania” dhe bashkia Pogradec, në kuadër të planit të aktiviteteve për pjesëmarrje në maratona kombëtare dhe ndërkombëtare./ KultPlus.com

Letra e Lasgushit për të bijën: Nuk më vjen frikë të vdes, nëse jam në duart e tua

LETRA

Merr. Kostandina Lasgush Poradeci
Lagja e Mburimave, rruga Çeta e Mokrës nr 56

Pogradec.

Kostandinë bijë e dashur edhe trimëreshë e babajt, dola të Hënën më 15 Tetor prej spitalit, Pavjoni XIV ku më suall pas operacionit të kataraktit të syrit t’im të djathtë prej Doktor Ylli Shtyllës. Nata e parë pas operacionit ishte e tmerëshme për mua 24 orë pa gjumë sepse me dhembje të mëdha të syrit, ndjenja pështirosje për të vjellë nga 4 injekcionet rreth syrit dhe medikamentet në sy, e të tjerat, e të tjerat. Si nuk vdiqa natën e parë përveç netëve të tjera, 10 net me rradhë të tjera, që më s’thosha në vehten time do vdes, jo nga frika e vdekjes, meqë gjithë gjëja e gjallë ka frikë prej vdekjes, po nga torturat në trup. Nuk thesha më nga torturat do vdes, po edhe në natën e parë kur nga torturimi thesha me vete do vdes, nuk më vinte frikë të vdes, siç ka gjithë njerëzimi frikë, s’e ndjenja frikën si gjithë njerëzimi atë natë – sepse, bijë e babait, atë natë të kisha ty pranë, vdisja në duart e tua. Kur vdes njeriu edhe kafsha kur vdes, do që të ketë një qënie pranë, ose një njeri të dashur pranë, ose një njeri pranë, edhe kur s’ka as të dashur njeri pranë, as një njeri sidokodo pranë, prek me dorë, me dorën që vdes, atë qënien, atë sendin që ka pranë, atë gurin, atë bluashkën edhe atë fijen bar që ka pranë, kaq keq isha, Kostandinë e babajt, atë natë kur si e dërguar nga engjëlli ti më ardhe bijkë e babait papritur pa kujtuar prej aq larg, prej Poradeci, më ardhe pa të thënë njeri, me inisiativën tënde të guximshme, aq vendimtare aq guximtare. Dhe si më rrinje ti ashtu pranë e lodhur e kapitur ditë e natë, unë të falem nderit tashi babkë dhe t’i puth ëmbël, ëmbël fort syçkat e bukura edhe të mënçme. Kaq po të shkruaj, dua të vi në Poradec çdo ditë, po s’ka kush më gjen maqinë se unë vetë jam pa fuqira prej spitalit.

Të kisha lekë, mirja një takximetër angazhé, isha për tre orë aty, po ku të gjesh lekët. Të përqafon dhe të puth me shumë mall babaj tënd.

Lasgush / KultPlus.com

Ekspozita “Amplitude” udhëton nga Belfasti në Pogradec

“Amplitude” titullohet ekspozita e piktorit Armand Xhika, e çelur në qytetin e Pogradecit. Ky event u shtohet të tjera ngjarjeve kulturore që vijojnë aktualisht në këtë qytet dhe që publikut vendas por edhe turistëve, u gjallërojnë agjendën artistike.

Ekspozita është konceptuar si e ndarë në dy pavijone, dy zhanre të ndërthurura shpirtërisht e artistikisht; abstraksionizëm me akuarel dhe peizazhet me vaj në kanavacë.

Piktori Xhika i lindur e rritur ne Pogradec, prej vitesh jeton në Belfast, Irlandë ku zhvillon dhe artin e tij, por duket se nuk është ndarë kurrë shpirtërisht nga qyteti i lindjes dhe liqeni i tij.

Ekspozita “Amplitude” me kuratore Meri Filen, mori mbështetjen e Bashkisë së Pogradecit dhe është hapur në mjediset e Qendrës Kulturore Multifunksionale, Galeria “Lasgush Poradeci”./ATA/ KultPlus.com

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë po mbahet në Pogradec

Në qytetin e Pogradecit, është duke u zhvilluar edicioni i 12-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Ky edicion, që nisi në datën 20 qershor, do t’u sjellë qytetarëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni rreth 66 filma: filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma me metrazh të gjatë nga 10 vende të Ballkanit.

Kineastët pjesëmarrës në festival përveç Shqipërisë, vijnë nga Turqia, Kosova, Rumania, Serbia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Sllovenia e Greqia.

Këtë vit filmat do të shfaqen përgjatë 6 ditëve, në dy lokacione: filmat që janë në program gjatë paradites do të projektohen në kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa për programin e mbrëmjes, bashkia Pogradec ka mundësuar edhe këtë vit Odeonin, vetëm pak metra larg liqenit.

Edicioni i 12-të i Festivalit është mundësuar falë mbështetjes së Bashkisë Pogradec, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Ministrisë së Kulturës. Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik./atsh/ KultPlus.com

Mali i Thatë në Pogradec, destinacioni i turistëve të aventurës këtë fillimvit

Një grup të rinjsh të apasionuar pas ecjes sportive dhe ngjitjeve malore, kanë zgjedhur si destinacionin e këtij fillimviti malin e Thatë në Pogradec.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili ka publikuar dhe disa foto nga ngjitja e të rinjve në malin e Thatë, i cili ofron një pamje mahnitëse i mbuluar nga dëbora.“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje nga maja e malit të Thatë në Pogradec, ju uroj një ditë mbarë”, shprehet Rama.

Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë dhe gjatë dimrit është i mbuluar nga bora.Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a përrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit.

Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit.

Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike.

Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287 m mbi nivelin e detit.

Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të vet. / KultPlus.com

Fillon ‘Festa e Verës dhe Gështenjës’, promovohet produkti vendas në Pogradec

Promovimi i produkteve tradicionale vendase, është fokusi kryesor i festës së “Verërave dhe gështenjave”, që është çelur sot në Pogradec.

E kthyer tashmë në traditë në qytetin e Pogradecit, kjo festë tërheqë vizitorë të shumtë dhe turistë të huaj të cilët shijojnë produktet vendase.

Festa e “Verërave dhe gështenjave” është shndërruar tashmë në një festë të përvitshme që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë në qytetin juglindor të vendit.

Entela Gusho, nënkryetare e bashkisë Pogradec tha ATSH-së, se ” këto dy ditë dhe netë (29-30 tetor) të mbushura me aktivitete dhe shije të veçantë ushqimesh tradicionale të zonës, janë një ftesë e hapur për të gjithë vizitorët, që të zgjidhin Pogradecin këtë fundjavë”.

Gusho u shpreh se, festa do të kalojë bukur me verë buti, gështenja të pjekura dhe nën tingujt e një koncerti të larmishëm muzikor.

“Edhe këtë vit nuk do të mungojnë tezgat në shërbim të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të tregtojnë verën e tyre apo produkte ushqimore tradicionale. Po ashtu, bizneseve u krijohet mundësia që të promovojnë gatimet e tyre tradicionale, punimet artizanale si dhe të vendosin kontakte për shitjen e prodhimeve të zonës në tregje të reja”, tha ajo.

Prodhimi i verës mbetet një traditë për qytetin e Pogradecit, ndërsa verërat pogradecare në vite, kanë marrë edhe disa çmime ndërkombëtare.Aktualisht juria ka degustuar verërat që janë bërë pjesë e konkursit të Festës së Verërave dhe Gështenjës dhe do të ndaj tre çmime për: Vera më e mirë e kuqe artizanale; Vera më e mirë e bardhë artizanale dhe çmimi i Kantinës më të mirë. /atsh/ KultPlus.com

Miratohet projekti për ndërhyrje restauruese në Urën e Niçës në Pogradec

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konsoliduese, restauruese në Urën e Niçës, në fshatin Niçë, Pogradec.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila theksoi se kjo urë është një tjetër monument kulture i shpëtuar.

“Ura e Niçës është një monument kulture i kategorisë I, punuar në gurë, që paraqet një seri problematikash. Projekti që sapo kemi miratuar parashikon kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese në konstruksion, zëvendësimin e gurëve të dëmtuar, pastrimin e vegjetacionit etj”, tha Margariti.

Ura ndodhet mbi lumin e Niçës në rrethin e Pogradecit. Nga ana kronologjike kjo urë daton në shekullin XVIII./ KultPlus.com

Pogradeci rindërton skenat e filmave të realizuar aty, si atraksion turistik

Janë 15 filma artistikë të Kinostudios dhe dy të RTSH të xhiruar në Pogradec, dhe bashkia e këtij qyteti ka ndërmarrë nismën e veçantë për të rindërtuar skena të tyre.

Duke pasur parasysh suksesin e Teto Ollgës në Tushemisht që tashmë është një atraksion turistik mjaft i njohur dhe frekuentuar, plan i afërt është ndërtimi i skenës së filmit “Mëngjese lufte” që sjell edhe historinë e qytetit të vjetër.

“Bashkia Pogradec krahas prioriteteve të tjera që ka për investime dhe zbukurimin e qytetit menduam të krijojë dhe këndin e filmave shqiptare, sepse janë plot 15 filma prodhim i Kinostudios dhe dy të RTSH, menduam se duke pasur sukses si pjesa e teto Ollgës në Tushemisht të sjellim pjesë nga skena të ndryshme të filmave shqiptare, ajo çka është kryesorja dhe ai filmi për të cilin ka nostalgji çdo pogradecar është filmi “Mëngjese Lufte” pasi shpaloset jo vetëm qyteti i vjetër por një pjesë reale e historisë së këtij”, thotë për “Wake Up” në Top Channel, nënkryetarja e bashkisë Pogradec, Entela Gusho.

Konsiderohet si një nga projektet e afërta të bashkisë, sepse nuk është vetëm një rastësi por është pjesë e realitetit që ka qenë në vitet para Luftës së Dytë Botërore. Kurse, skenografia është bazuar mbi fotot e vjetra të fotografit të njohur Misto Cici në vitin 1925 dhe të arkivave të ndryshme që kanë qenë prezent në Pogradec.

Por krahas këtij projekti të afërt, Gusho përmendi dhe zona të tjera të Pogradecit ku janë luajtur të tjera filma, si zona e Uçkave, shtyllat e ish molit të vjetër, dhe në zona të tjera si pyjet e Dishnicës, liqenet e Lukovës etj. / KultPlus.com

Koleksioni i mjeteve historike ‘Retro’ zbret në Pogradec (FOTO)

Këtë fundjavë në shëtitoren e Pogradecit dhe buzë liqenit, do të ekspozohen për herë të parë mjetet e koleksionit historik shqiptar Retro.

Vizita nis me tinguj të bukur muzike Jazz & Swing, të shtunën që prej paradites e do vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes. Të dielën, përgjatë qytetit në brigjet e Ohrit, do të vazhdojë parada e mjeteve drejt Parkut Kombëtar të Drilonit.

Këtë vit, për ta shijuar edhe më shumë sezonin turistik, Retro mbërrin me flotën e mjeteve të çmuara, të cilave u janë bashkuar për herë të parë edhe koleksionistë nga Shkupi dhe Ohri, që udhëtojnë drejt Shqipërisë.

Aktivitetet RETRO që sjellin kulturën e koleksionimit, të restaurimit dhe të ruajtjes së vlerave të mjeteve historike, vijnë shpesh me një program artistik, të ftuar, DJ e balerina duke sjellë festë, kërcime, interes nga çdo brez e moshë dhe duke krijuar një atmosferë të hareshme për qytetarët e vendit dhe turistët.

Në bashkëpunim me bashkinë Pogradec, shfaqja do të jetë në amfiteatrin e Odeon me grupin “Albanian Jazz Society” të cilët do t’ia shtojnë magjinë dhe elegancën atmosferës së liqenit me muzikë të pakohë.

Të apasionuarit, kalimtarët, turistët e të gjithë kuriozët pas klasikes do të kenë mundësinë t’i shohin dhe të njihen më nga afër me historitë dhe pasionin e madh të koleksionuesve.

Retro do të jetë aty me dëshirën për të shpërndarë këtë pasion e duke e bërë fundjavën një event tejet interesant e për të mos u humbur. /atsh/ KultPlus.com

Rikthehet pas 5 vitesh shkëputje festivali i kukullave në Pogradec

Festivali i famshëm i kukullave në Pogradec “Xinxifilo” rikthehet sërish pas 5 vitesh shkëputje për spektatorët dhe sidomos fëmijët.

Qendra Kulturore Lasgush Poradeci tashmë ka çdo gjë gati për të vënë në skenë të gjitha shfaqjet që do të jenë pjesë e festivalit 4 ditor në qytetin liqenor.

Por ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit pjesë e festivalit do të jenë vetëm trupat teatrore të Shqipërisë.

Eritan Kamolli, drejtor i Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, tha se “festivali ka krijuar tashmë një traditë. Këtë vit do të ketë një pjesëmarrje kombëtare nga trupa e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Vlorës, Beratit e Gjirokastrës”.

Sipas tij, festivali e çel siparin me trupën e Pogradecit dhe fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqet çdo ditë gjatë katër ditëve të këtij eventi, nga ora 10:00 e paradites dhe ora 17:00 e pasdites.

“Shfaqet janë me tematika të ndryshme me aspekte edhe nga jeta e përditshme, që do të tërheqin vëmendjen dhe kureshtjen e vogëlushëve”, – tha Kamolli.

Ndërsa Burinilda Shkurti, një nga aktoret e cila ka qenë pjesë e festivalit në 15 edicione dhe rikthimi i këtij festivali është një emocion i veçantë.

Shkurti tha se ndihej e emocionuar dhe njëherazi e gëzuar që rikthehen në skenë me shfaqje kushtuar fëmijëve.

“Xinxifilo” është një festival kukullash i cili ndër vite ka bërë bashkë trupat e aktorëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Ballkani, këtë vit për shkak edhe të pandemisë nuk u arrit që këto trupa të ribashkoheshin.

Festivali starton mbrëmjen e 16 qershorit./atsh/ KultPlus.com

“Skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet”, pamje nga Guri i Kamjes në Pogradec

Guri i Kamjes është një monument i natyrës pranë fshatit Dardhë të Pogradecit, ku era ka gdhendur në shekuj mikroforma të çuditshme, plot vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe ka krijuar një skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau një material spektakolar të përgatitur nga djemtë e talentuar të “Albania by Drone”.

Guri i Kamjes, një monument i natyrës, ndodhet pranë fshatit Dardhë të rrethit të Pogradecit, në afërsi të Qafës së Lipovës, 1461 m mbi nivelin e detit.

Përfaqëson një formë interesante relievi në trajtën e “një anije që lundron në një det të hapur”.

Është i gjatë rreth 100 m, i gjerë rreth 80 m dhe i lartë rreth 70 m. Forma e tij lidhet me rezistencën më të madhe të konglomerateve që e përbëjnë, në krahasim me argjilat që ndërtojnë territorin përreth tij.

Mbi këtë formë relievi veprojnë proceset e erozionit dhe era, që kanë gdhendur në mikroforma të çuditshme. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe kulturore, turistike dhe didaktike me rëndësi lokale.

Mund të vizitohet sipas itinerarit: Pogradec-Leshnicë-Trebinjë dhe vlen si një destinacion për turizmin e natyrës. /atsh / KultPlus.com