50 milionë euro investime në rindërtimin e monumenteve kulturore, Rama: Procesi i rindërtimit, fuqizim ekonomik

Restaurimi dhe rijetëzimi i monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të prekë disa pika të rëndësishme të hartës së pasurive tona, si dhe do të sjellë shumë më tepër punë, konsum dhe turistë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama i cili nënshkroi me përfaqësues të BE Memorandumin e Mirëkuptimit për investimin prej 50 milionë eurosh miratuar nga BE-ja në kuadër të projektit të Rindërtimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore, pas tërmetit të nëntorit të kaluar. Pjesë e fondit prej 100 milionë euro alokuar nga BE për të ndihmuar ringritjen pas tërmetit, ky investim i dedikohet shkollave, kopshteve dhe objekteve të kulturës të cilat u dëmtuan vitin e kaluar.

Në ventin e mbajtur sot në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, e konsideron këtë projekt si vazhdimësi e procesit të rivitalizimit urban dhe rural që vijon në Shqipëri, duke ndikuar në zhvillimin e secilës zonë sipas pikave më të forta turistike dhe ekonomike të tyre.

“Është absolutisht domethënëse që këtë proces rimëkëmbje dhe rilindjeje të këtyre pikave strategjike për hartën e pasurive tona të paçmueshme ne e bëjmë dorë për dore me Bashkimin Europian. Me BE-në që u gjend pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar në një moment aq kritik dhe u kthye në një stacion ku u mblodhën miq nga mbarë bota për t’u solidarizuar me popullin shqiptar në Konferencën e Donatorëve prej të cilës ne morëm një mesazh emocionues e kuptimplotë solidariteti dhe një kontribut rekord”, – nënvizoi Rama.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “procesi i rindërtimit është një proces për fuqizimin ekonomik dhe social. Dritëshkurtësi e madhe, të mos kuptosh se këto investime janë ekonomi drejtpërdrejtë”.

Sipas tij, ky projekt do sjellë shumë më tepër punë, konsum dhe turistë që do sjellin edhe më shumë të ardhura.”

Rama e konsideroi këtë marrëveshje me BE-në xhevahirin që kurorëzon punën që është bërë gjatë viteve për rijetëzimin e monumenteve kulturore, shumë prej të cilave janë shpëtuar teksa ishin në prag të asgjësimit. /atsh/ KultPlus.com

Analizë e plotë për projektet e restaurimit të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se në mbledhjen e së martës së Komisionit të ardhshëm të Rindërtimit do të paraqitet e gjithë analiza për projektet e nevojshme të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ne tashmë kemi hartuar një plan të detajuar që lidhet dhe me fazat e restaurimit, konsolidimit të monumenteve. Jemi në fazën që jemi gati për ditën e martë në Komisionin e ardhshëm të Rindërtimit të paraqesim të gjithë analizën për projektet e nevojshme”, tha Margariti në konferencën e mbajtur në Kryeministri për prezantimin e projekteve të rindërtimit.

Margariti theksoi se, “specifika e monumenteve është e tillë që duhet të kalojë nëpërmjet një procesi tejet të detajuar, ashtu siç bëmë për planet e detyruara vendore, në të njëjtën mënyrë do të kemi një njësi zbatimi, në këtë rast Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë dhe të huaj do të hartojnë të gjithë  projektet e detajuara, jo vetëm të restaurimit, por mbi të gjitha dhe të konsolidimit”.

“Mendoj që do kemi po ashtu e nevojë për ekspertët e huaj, përderisa për një kohë tejet të shkurtër do të duhet që të analizojmë sidomos me aparatura dhe teknologji të larta territoret e prekura. Kjo punë ka filluar tashmë. Ekspertët e huaj na janë gjendur pranë që në muajin e parë dhe një pjesë e hulumtimit fillestar është bërë , por projekti i detajuar i zbatimit duhet të kalojë në një proces tjetër”, tha Margariti.

“Kemi analizuar koston, fondin e nevojshëm për hartimin e këtyre projekteve dhe jemi gjithashtu duke ndërtuar të gjithë skemën e granteve të atyre partnerëve, të atyre shteteve, të cilat janë shprehur në mënyrë specifike për mbështetjen e trashëgimisë kulturore si rasti i Amerikës, rasti i Polonisë, Zvicrës dhe shteteve të tjera”, u shpreh Margariti.

“Kështu që është një proces që po futet në rrugën ligjore të hartimit të këtyre projekteve dhe shumë shpejt, brenda afateve do kemi dhe koston totale të implementimit të këtyre projekteve”, u shpreh Margariti. /atsh / KultPlus.com