Mbi 7 milionë euro kostoja e dëmeve në monumente nga tërmeti në Shqipëri

Mbi 7 milionë euro llogaritet të jetë kostoja e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i nëntorit në monumente. Këtë shifër e ka dhënë ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti. Sipas saj, shifrat mund të lëvizin gjatë punës që do të bëhet ditëve në vazhdim.

“Kemi një kosto që u llogarit 7 milionë euro. Por tash janë duke u shtuar edhe kosto të tjera. Është një kosto e lartë, por dinamike. Mund të shtohet edhe më tepër. Për rastin e Krujës po vazhdon studimi gjeologjik”, ka thënë ajo. Sipas saj, dëmet që ka shkaktuar tërmeti në monumente kulturore mund të kenë edhe pasoja të tjera pos atyre financiare. Ka thënë se dëmet krijojnë ndjesi jo të mirë, panik e po ashtu mund të shkaktojnë ulje të fluksit të vizitorëve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka ndarë 800 mijë dollarë për punimet që do të bëhen në Kalanë e Krujës.

Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të nëntorit që kishte rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.

Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat.

Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin, Anastasi, në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.

Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.

Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt. /atsh / KultPlus.com

Monumentet e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri të rrezikuara nga përmbytjet

Në kushtet e emergjencës civile për shkak të përmbytjeve që kanë prekur vendin, monumentet e trashëgimisë kulturore nuk mbeten jashtë hartës së dëmtimeve.

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve kanë publikuar një listë të monumenteve të cilat po monitorohen me kujdes ku më të rrezikuarat janë: Ura e Golikut në Korçë si dhe Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës, një monument kulture e cila është në zonë të përmbytur.

Forumi Bizantin (Macellum Forum), në Durrës për shkak të reshjeve ka rrëshqitje të dherave dhe disa gurëve të mbushjes së trotuarit. Janë marrë masat e menjëhershme për sistemimin dhe përforcimin e skarpatës.

Raportimet nga Butrinti dhe Parku Arkeologjik i Bylisit nuk lënë vend për alarm pasi nuk përbën rrezik dhe nuk ka dëmtime. Ndërsa nga drejtoria Rajonale në Vlorë raportohet se inspektimet në Manastirin, Parqet Arkeologjike (Orikum, Amantia, Finiq), gjendja e deritanishme është normale.

Ashtu si gjithë harta e përmbytjeve, qarku i Fierit ka disa problematika: – Kisha e Shën Kollit në Vanaj, Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë, Kisha e Shën Marisën e Bishtqethëm, Kisha e Shën Gjergjit në Suk, Strum, paraqesin probleme në çatinë e tyre, nga shirat e tepërt.

Në Vithkuq tek Kisha e Shën Mehillit ka pasur lëvizjet e rasave në pjesën e hajatit ku po merren masa për t’i sistemuar, në Vithkuq probleme paraqet Kisha e Shën Gjergjit të cilën e kanë izoluar me mjete provizore. Ndërsa gjendja është në kushte normale në Parkun Arkeologjik në Apolloni, në Muzeu e Pavarësisë në Vlorë reshjet e dendura të shiut kishin përmbytur oborrin.

Si rezultat i bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë gjendja tani është normalizuar./ KultPlus.com