Doli nga shtypi libri ‘Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit’ nga Musa Sabedini

Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin: “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, dhe me etikë profesionale.

Sipas autorit, libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë, i përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online që sjell ky risk, sa delikat e sfidues, aq edhe i shpejtë dhe dobiprurës për botën bashkëkohore.

“E doja kaherë një libër, një literaturë të saktë dhe të freskët në lidhje me Gazetarinë Online, po realisht akoma ose nuk është e kompletuar kjo materie, ose ende na duhet kohë, për ta kuptuar qartë, drejtë dhe natyrshëm konceptin mediatik, mbi të qenit Gazetari Online. Vet fakti se në botën bashkëkohore dominon ekrani, dhe monitor, kjo kulturë e re dominuese e ka shtyrë anash gazetarinë apo mediat fizike, gazetën”, ka thënë autori Sabedini.

Autori i librit profesor Musa Sabedini në parathënien e librit ka shkruar se libri dedikuar gazetarisë online në Kosovë e rajon, ka për qëllim të shpërfaq të mirat, anët negative, anën pozitive që krijon ky gjigant brilant, që po depërton në çdo qenie krijuese, për shkak të shpejtësisë marramendëse, që ka dhe depërtimit në botën dhe intelektin e çdo njeriu.

Recensenti Safet Zejnullahu ka thënë se libri do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë.

“Libri “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i autorit Musa Sabedini, është një lajm i mirë dhe një kontribut shumë domethënës për pasurimin e literaturës akademike në studimet e medias online. Ky libër, që është ndër të parët në këtë fushë, vjen nga autori që ka mbi 35 vjet përvojë pune aktive në gazetari dhe 12 vjet përvojë pune si mësimdhënës në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT. Peshën librit ia shton edhe fakti se autori Sabedini, është tash e 13 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa ka po kaq vite, që drejton një portal online”, ka thënë recensenti i librit Safet Zejnullahu.

Libri synon të tregojë për standardet e reja të raportimit online, për sfidat që ka ky rrjet mediatik online shumë i sotisfikuar, por edhe i rrezikshëm dhe me përmbajtje ekstreme e shkelje të etikës.

Libri “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, ka për synim t’i mësoj dhe edukojë jo vetëm studentët, por të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij rrjeti profesionistësh, që kanë përzgjedhur t’i përshtaten kodeve të etikës dhe standardeve profesionale të raportimit online.

Libri është edhe më i dobishëm, në një kohë kur në Kosovë e rajon ekzistojnë qindra portale, uebsajte, rrjete sociale e media tjera online, që veprojnë në mënyrë ligjore e jo ligjore, me respektim të etikës e me shkelje ekstreme të saj.

“Libri pashmangshëm pasuron këtë gjuhë goditëse, pasuron mënyrën e komunikimit në raport me publikun, pasuron gazetarë, redaktorë e botues të portaleve, të cilët edhe mund të përfitojnë nga njohuritë shkencore, e studimore të prezantuara mjeshtërisht në këtë libër, me literaturë të kompletuar dhe krahasuese me vendet e rajonit”, ka shkruar profesor Musa Sabedini.

Përvoja e gjatë dhe ballafaqimi në praktikë me tranzicionin e gazetarisë në Kosovë dhe në rajon, ka bërë që autori të mbledhë dhe të analizojë e të sjellë para studentëve të gazetarisë dhe publikut në përgjithësi, një libër me një përmbajtje shumëdimensionale, që nis me historinë e gazetarisë online e përmbyllet me sfidat e gazetarisë para inteligjencës artificiale.

Lexuesi do të gjejë brenda këtij libri të dhëna dhe hulumtime të shumta që autori i ka bërë me vite të tëra, të cilat do t’i ndihmojnë ta kuptojë çfarë është gazetaria sot, ku janë të metat dhe përparësitë e gazetarisë së internetit. Dhe, më kryesorja, ku po shkon gazetaria dhe a do të jenë në gjendje gazetarët ta ruajnë profesionalizmin përballë teknologjisë, mundësive të pafundme të saj, si dhe përballë një publiku gjithnjë më të informuar sipërfaqësisht dhe përherë e më kërkues për “tema të lehta”, të cilat e ngufasin gazetarinë profesionale. Dhe e rrezikojnë atë seriozisht!

“Libri “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i autorit Musa Sabedini, do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë. Përveç material i duhur për studentët e gazetarisë, ky libër do të shërbejë si bazë e mirë edhe për studimet e ardhshme në këtë fushë”,. ka shkruar profesor Safet Zejnullahu.

Ndryshe libri ka 493 faqe ndërsa botues është UBT./KultPlus.com

Publikohet “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, nga profesori Musa Sabedini

Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin: “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve e hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, hetuesve, prokurorëve e gjyqtarëve me etikë profesionale.

Sipas autorit, libri ka ardhur si rezultat i punës shumëvjeçare në gazetari, e ndërtuar nga përvoja e gjatë edhe gjatë raportimit nga fusha të ndryshme nga tereni, duke përfshirë këtu qindra procese e seanca gjyqësore, edhe të karakterit ndërkombëtar.

“E kam parë të udhës që ky libër të dali në dritë dhe t`i prezantohet studentëve të gazetarisë, ekspertëve dhe studiuesve të kësaj fushe, redaktorëve e kryeredaktorëve të medias së shkruar dhe asaj online, me të vetmin qëllim dhe synim, që të njohim profesionalisht problemin dhe mënyrën e të raportuarit për situatat e ndjeshme e të jashtëzakonshme”, ka thënë profesori Sabedini.

Profesori Musa Sabedini ka theksuar se raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.

“Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale dhe të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është pak e mundimshme në rrafshin profesional. Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve”, është shprehur Sabedini.

Profesori, gazetari dhe publicisti i njohur dhe fituesi i disa çmimeve në gazetarinë hulumtuese ka thënë se: ”E kam parë të udhës që ky libër të dali në dritë dhe t`i prezantohet studentëve të gazetarisë, ekspertëve dhe studiuesve të kësaj fushe, redaktorëve e kryeredaktorëve të medias së shkruar dhe asaj online, me të vetmin qëllim dhe synim, që të njohim profesionalisht problemin dhe mënyrën e të raportuarit për situatat e ndjeshme e të jashtëzakonshme. Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online janë vërejtur defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen. Ky libër, nuk do të thotë që është i përkryer ose që nuk ka nevojë për prezantime shtesë, por jam i sigurt se për studentët dhe ata që e kryejnë gjatë gjithë jetës këtë profesion delikat, do të kenë mundësi që të jenë të pagabuar gjatë raportimit”.

Gjithnjë sipas autorit nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda. “Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, andaj kjo agjendë dhe ky libër iu mundëson ta njihni më afër problemin, ta trajtoni me dinjitet e përgjegjshmëri çfarëdo dukurie jetësore, sociale, ekonomike, politike, kulturore e religjioze. Libri i titulluar: ”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, patjetër që i referohet problemeve në teren që has çdo gazetar. Etika mbetet problemi më delikat i mënyrës së raportimit, sepse jo përherë mediet e kryejnë misionin dhe detyrën me ndershmëri e relevantë” ka thënë ai.

Profesori Musa Sabedini gjithashtu ka thënë në parathënien e librit se:”Libri përbëhet nga shembuj të shumtë, raste konkrete për të gjitha kategoritë e ndjeshme, duke filluar me Kapitullin e parë, që flitet për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike”.

Edhe në Kapitullin e dytë autori ka trajtuar dhe analizuar më shumë raportet medie, polici, prokurori dhe gjykatë, pastaj termet juridike, i ndaluar i përkohshëm, i dyshuar, i burgosur, i akuzuar, i dënuar, i dëmtuar, hetimet policore, veprimet policore, kallëzimi penal i policisë, obduksioni i kufomës, ngritja e aktakuzës, raportet media – prokuror, përkufizimet juridike, dilemat e gazetarëve, udhëzues, manual e agjenda për të shkruarit nga gjykatat, avokatët mbrojtës, publiku, i pandehuri, organogrami i gjykatave, roli i Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Prokurorial të Kosovës, udhëzues praktik për shkrimet për mediet online, TV e Radio, njohja me seancat gjyqësore, trupin gjykues, fjalët përfundimtare gjatë një seance gjyqësore, llojet e aktgjykimeve dhe aktgjykimet e Gjykatës së Apelit.

Kurse në Kapitullin e tretë janë dhënë informacione më koncize për përkufizimet, termet dhe nocionet juridike, veprat penale të terrorizmit, krimeve të rënda si dhe nocionet më shpesh të përdorura në gazetari.

Ndryshe botues i librit është UBT dhe i ka 532 faqe, teksa recensentë të librit janë profesorët Ahmet Maloku dhe Safet Zejnullahu, sipas të cilëve libri është kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie, si dhe do të shërbejë për si literaturë profesionale për një kohë të gjatë.

Recensenti i parë profesori Ahmet Maloku ka thënë se libri ofron përgjigje për shumë pyetje të teorisë dhe praktikës metodologjike, e cila ka në fokus mediat përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme.

“Libri përfaqëson një nga dorëshkrimet e rralla që trajton këtë lloj përqasjeje shkencore në kuptimin e përcaktimit, studimit dhe kërkimit të fenomenit të raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, dhe pikërisht për këtë ka vlerën dhe njohjen e tij shumë domethënëse shkencore dhe profesionale”, ka thënë Maloku.

Sipas Malokut vepra shkencore “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” ofron përgjigje për shumë pyetje të teorisë dhe praktikës metodologjike, e cila ka në fokus mediat përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme.”Në këtë mënyrë jepet një kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie. Libri përfaqëson një nga dorëshkrimet e rralla që trajton këtë lloj përqasjeje shkencore në kuptimin e përcaktimit, studimit dhe kërkimit të fenomenit të raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, dhe pikërisht për këtë ka vlerën dhe njohjen e tij shumë domethënëse shkencore dhe profesionale. Përveç kësaj, duhet theksuar rëndësia e përmbajtjes, qëndrueshmëria dhe qartësia e gjuhës në të cilën është shkruar vepra, e cila lehtëson përvetësimin e njohurive, jo vetëm për njerëzit nga sektorët e gazetarisë, drejtësisë, viktimologjisë, kriminologjisë, kriminalistikës, mjekësinë ligjore, psikologjisë, psikologjisë forenzike etj., të cilëve ajo fushë u është e afërt shkencërisht dhe profesionalisht, por edhe me publikun më të gjerë” ka thënë Maloku.

Maloku ka vlerësuar se vepra është jashtëzakonisht e dobishme dhe ka aplikimin e saj të gjerë, duke pasur parasysh se, në kushtet moderne të jetesës, çështja e gazetarisë shtrihet pothuajse në të gjitha sferat e jetës.

“Gjithashtu, përmes këtij libri, autori ka treguar një shkallë të lartë njohurish shkencore në fushën e gazetarisë, pastaj në metodologjinë e shkencave shoqërore, por edhe në fushën e drejtësisë, sepse pa një kombinim të tillë të e njohurive nga disa fusha shkencore, nuk do të ishte e mundur të krijohej një vepër shkencore kaq e dobishme dhe e shquar, që do të jepte një kontribut të rëndësishëm në studimin mediave përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme” ka thënë Maloku.

“Autori Musa Sabedini ka një përvojë të gjatë të punës së drejtpërdrejtë nga raportimi nga terreni, si në kohë pushtimi, në kohë aparteidi në median e Kosovës, në kohë lufte, në kohë të gazetarisë së kontrolluar të pasluftës dhe në epokën e internetit. Këtë përvojë ai e ka përdorur për të mbledhur brenda kopertinave të këtij libri shembuj të panumërt të gabimeve e të shkeljeve etike të bëra në media, qoftë qëllimshëm, qoftë padashtas. Një punë shumë voluminoze e autorit tregon përkushtimin e tij, pikë së pari, për të bërë vetë gazetari profesioniste, por edhe për t’u ndihmuar të tjerëve për ta bërë të njëjtën gjë. Qofshin ata gazetarë fillestarë, qofshin me përvojë”, thuhet në fjalën e recensentit Safet Zejnullahu.

Zejnullahu mendon se ata që do të përfitojnë më së shumti nga ky libër janë studentët, gazetarët e ardhshëm. “Që në hapat e tyre të parë, ata do të mësojnë qasjen profesionale ndaj secilës përmbajtje gazetareske. Më e rëndësishmja, nga ky libër do të mësojnë atë që besoj e ndihmon më së shumti një gazetar. Do të mësojnë si të mos shkruajnë!

Përmbajtja e këtij libri ua mundëson këtë. Në vargun e librave hulumtues të gazetarisë, libri i autorit Musa Sabedini “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, besoj se do të shërbejë si literaturë profesionale për një kohë të gjatë” ka shtuar Zejnullahu.

Profesori Musa Sabedini ka falënderuar rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizin, si dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në forma të ndryshme që ky libër të dale i kompletuar profesionalisht./ KultPlus.com

Tashmë jemi të gjithë të barabartë, sepse virusi po godet të gjitha shtresat

Nga Musa Sabedini

Pandemia e njohur si COVID 19 na ka dhënë shumë shembuj dhe përvojë se jeta është e tillë për aq sa ke hapësirë veprimi e jetese. Tashmë jemi të gjithë të barabartë, sepse virusi po godet të gjitha shtresat. Pse janë të logjikshme deklarimet e Anthony Faucit dhe pse mediat duhet të jenë të kujdesshme në raportimet e tyre. Vjeshta dhe dimri mund të jenë edhe më sfiduese për mediat kosovare, sepse termet e raportimit kërkojnë logjikë të shprehjes. Mediet e kanë lodhur publikun duke ofruar lloj-lloj eksperti e duke krijuar konfuzione të çuditshme. Fauci lehtësisht e ka ndryshuar qëndrimin e tij profesional nga “Vala e dytë” në “Sfidë”. A duhet mediat kosovare të ndjekin këshillat e Faucit?!

Kur doli në skenë virusi vdekjeprurës me shumë të panjohura, ishte një sfidë e re edhe për të gjitha shtresat dhe kategoritë brenda popullit. Tashmë po mësohemi të jetojmë e veprojmë në kushte të barabarta. Virusi nuk po njeh as paranë, as miliarderë, as milionerë, as pushtet e as presion. Gati veçse jemi mësuar të jetojmë në mesin e të barabartëve dhe kjo do të jetë një përvojë e mirë për shekujt vijues.

Pandemia na dha mundësi të njohim ekspertë, virologë, infektologë, epidemiologë, mikrobiologë, kimistë, farmacistë, politikanë, të gjithë në stilin e tyre duke dhënë vlerësime e duke ofruar alternativa. Shumica pothuajse kanë dështuar, sepse realisht virusi nuk linte asnjë mundësi për ndonjë parashikim emergjent.

Këta ekspertët tanë realisht vetëm munden me u marrë me statistika se sa dhe kush po vdes gjatë ditës, sepse për të pasur ndonjë rezultat studimor, duhet të rrinë larg politikës e larg konferencave të shtypit.

T`i kthehem asaj çfarë do dua të them me pak fjalë rreth autoritetit të ekspertit të lartë të sëmundjeve infektive Anthony Fauci. Edhe ky ekspert bëri jo pak herë deklarata të pamatura dhe shpesh të nxituara, por megjithatë bota dhe Trump shpresat i kishin tek versioni i tij, i cili shpesh konsiderohej edhe ekstrem.

Fauci duke parë ndjeshmërinë që kanë deklaratat e njerëzve kompetent në stilin:”Vjeshta nis me fazën e dytë të pandemisë”, ose “Vendi po përgatitet për valën e dytë” e shumë tituj të tillë të ngjashëm, të cilët po e terrorizojnë publikun, vendosi që të bëjë një hap para në deklarimet e tija publike. Fauci po sugjeron që në vend se të thuhet “Vala e dytë” të zëvendësohet me termin: ”A jemi të përgatitur për sfidën e vjeshtës dhe dimrit?”.

Realisht deklarata e Faucit i përshtatet shumë medieve dhe raportimeve të tyre shpesh herë të ngutshme dhe neveritësese. Mediet online, në veçanti duhet të mësojnë, të edukohen, të përshtaten me realitetin që është krijuar tash e gjashtë muaj. Mediet duhet të kujdesën për shëndetin e popullatës më shumë se mjeku dhe sfera shëndetësore. Publiku shpesh ka nevojë edhe për ndonjë tekst të butë, të drejtë, këshillëdhënës, edukues gjithsesi, këshilla profesionale, sesa tekste dhe tituj bombastik që ndikojnë negativisht në psikikën e qytetarëve.

Media në përgjithësi duhet të përzgjedh fjalorin gjatë raportimit, duhet të ketë kujdes maksimal nga ajo që publikohet dhe thuhet, është urgjente që media të krijojë një agjendë për mënyrën e raportimit, duke respektuar kriteret dhe standardet aktuale të mënyrës së raportimit.

Ne shpesh mendojmë se ekspertët tanë ose ata që janë të thirrur të japin konstatime profesionale janë të përgatitur dhe të sinqertë në atë që e thonë, por në fakt ka prej kësaj kategorie që shpesh ua kanë huqur në ekstrem. Aty ku për virusin mediet citojnë infermieret dhe politikanët, aty s`ka bereqet.

Pra, media ka obligim të jetë e përgjegjshme, e përgatitur në maksimum që sfida e vjeshtës dhe e dimrit të jetë më e lehtë dhe më shumë aktive në raportimet e drejta.

Kur media raporton drejtë, saktë, dhe në mënyrë objektive, i mbetet publikut pastaj ta vlerësojë se çfarë duhet të përzgjedhë. Ne edhe në kohën e pandemisë kemi krijuar diferenca gjatë raportimit. Qytetarët shpesh bëhen nervozë, reagojnë në mënyrë të ndryshme për raportimet tona dhe ata shpesh detyrohen që t`i përzgjedhin qoftë portalet, gazetat apo TV e Radiot si mjete të informimit dhe komunikimit.

Pse, sepse shpesh disa media online i kanë tejkaluar kufijtë e etikës dhe ndërgjegjes profesionale. Pra, bëhuni pjesë e raportimit profesional, bëhuni pjesë e raportimit të shëndoshë dhe të “ëmbël” e të saktë për publikun dhe lexuesin tuaj.

Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT./ KultPlus.com