Letra e panjohur e Musine Kokalarit: Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja

Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës

Nga Uran Butka

Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për të. Meqenëse këto sprova ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht.

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijen e shkrimit dhe veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabejn, Xhuzepe Skiron, Angelo Leotin etj., letërkëmbim tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës “L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykim kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose nxitje, se nuk ka një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) “Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vështëron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla “Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”, Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve” etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare, apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narrativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegjëlve një libër, që të mos i lodhë dhe vehten e tyre të mos e gjejnë në një botë të huaj. Në një botë shqiptare, në një vatër, ku edhe të mëdhënjtë të thonë se vërtet kështu kemi rrojtur. Kur e kam shkruar, nuk kam qenë unë, po një Musine e vogël dhe si e tillë- me mendime të thjeshta dhe gjuhën pyetje-përgjigjeMë duket që kam mundur të hyj në shpirtin e të vegjëlve” – përsiat Musineja.

Po ju dërgoj ‘Dasmën gjirokastrite’ – i shkruante ajo Kolesë në një letër të mëparshme – “por jo të gjithë, mbasi ende nuk ka mbaruar. Puna ecën ngadalë në shtypshkronjë. U rri në kokë punëtorëve, por megjithëkëtë ka disa gabime. Të shohim sesi do ta gjeni ju”…

Letra e sapozbuluar, mban datën 8 shkurt 1945, është e panjohur dhe e papërfshirë në botimet e Musinesë. Ajo e shkruan këtë letër në çastin më të mjeruar të jetës së saj. Dikush mund të mendojë se koha më e tmerrshme e jetës së saj ishte ajo e burgut të Burrelit, më pas e internimit të gjatë dhe e sëmundjes së rëndë të kancerit që i mori përfundimisht jetën. Por jo, këto periudha të vuajtjes së parrëfyer të jetës së saj ajo i kishte përballuar me dinjitet, me forcën e karakterit, të vetmisë dhe të lirisë së brendshme.

Shpirti ka nevojë për vetminë për të qenë i lirë” – shkruan ajo. “Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërkohë që ajo është brenda nesh”.

Në letrën që po shqyrtojmë, gjejmë momentin më të keq shpirtëror të jetës së saj, “e goditur rëndë, e mbuluar me zinë dhe në dallgën më të madhe të jetës”.

Sapo regjimi komunist i kishte pushkatuar pa gjyq vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesim Kokalarin. “Plumbat që shtrinë përdhe Muntazin dhe Vesimin të vdekur, na kanë goditur edhe ne, nuk na lënë kufoma të gjalla për jetë, për të vuajtur gjithnjë sa të jemi në jetë” – shkruan hidhur ajo në këtë letër.

Musineja ishte nga një familje e njohur e Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar më 1942, që botonte dhe përhapte vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova – djepi i Shqiptarizmit” të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë e të tjera.

Vetë Musineja ishte një intelektuale që ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit, kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ndërkohë qe kishte kulturë perëndimore, ishte demokrate dhe kundërshtare e çdo ideilogjie e praktike totalitare.

“Në odën time të vogël” – shkruan ajo në ditarin e saj – “përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…”

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944, terrori i kuq me urdhër të tij dhe zbatuar nga Kristo Themelko, pushkatoi pa gjyq e pa faj pranë hotel “Bristol”, 11 personalitete të shquara të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezërit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Po ashtu u pushkatuan pa gjyq Syrja dhe Emin Kokalari, Hivziu vdiq në burg dhe Isai në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pafundësisht.

Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen Muntaz Kokalari, vëllai i Musinesë, tek një letër më 9 nëntor 1944, që e kishte shkruar për znj. Makbule tri ditë para pushkatimi të tij:

“Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale.Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vete; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..”

Dhe i asgjësoi.

Musinenë e vrau shpirtërisht persekutimi absurd e kriminal i familjes së saj. “Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja” – i  shkruante ajo S.Kolesë.

Njëherësh, edhe fati hidhur i ndërprerjes së dhimbshme të krijimtarisë së saj:

“Sot mora nga shtypi librin e parë dhe po jua dërgoj. Ta kini për vete si kujtim të punës sime më të mirë, që pandeh se kam bërë, dhe të fundit. E mbani për vete, mbasi nuk e nxjerr në shitje. E para, se është dasmë dhe në zi’ duket qesharake; e dyta, se nuk dua më as të punoj, as të shkruaj”.

Është fjala për librin “Sa u tund jeta” (Dasma gjirokastrite, ku shkrimtarja paraqet saktësisht antropologjinë, ritet, zakonet, veshjet, dialogët, këngët e vallet, lotët dhe gëzimet e dasmës shqiptare, rezultat i një punë të gjatë, pasionante e të palodhshme ndaj folklorit – por në funksion të tekstit letrar) ), libër që M. Kokalari ia dërgonte të porsabotuar Sotir Kolesë si një kujtim të mbramë në një kohë zije, por që e konsideronte edhe si punën e saj më të mirë, që për fat të keq ishte edhe botimi i saj i fundit, sepse nuk mund të shkruante më.

“Përse të punosh? Përse të shkruash? Përse të jetosh?” – klithte shkrimtarja Kokalari, në dëshpërimin e saj të pafund.

Ky dëshpërim, por edhe revoltë njerëzore dhe intelektuale e përfshin edhe atin e saj shpirtëror, Sotir Kolenë, të nderuarin atë – siç i thoshte ajo. Në letrën e përgjigjes së Sotirit (dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Ministrisë së brendshme, Fondi 140, dosja 2912, viti 1945, letër e pabotuar më parë), gjejmë dhimbjen e lotët e Kolesë për humbjen vëllezërve të saj Muntaz dhe Vesim Kokalari, për të cilët “kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne, për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bij që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur”, por gjejmë edhe papajtueshmërinë e tij ndaj persekutimit “me kaqë egërsim”.

Ai i shkruan Musinesë: “Shuplaka e fatit’ që shkrepi mbi ju, zonjëzë dhe mbi der’ të juaj është aq e tmerrshme sa ndofta as emër nuk ka të posaqëm në gjuhën tënë, në gjuhën e një kombi që për të gjat’ shekujve, ka pas’ qënë rrahur dhe pjekur’ e djegur’ ndër cen e rrëbjera. As fjalë ngushëllimi nuk kam ku t’i gjenj se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrën juve dhe të juajve, është nga ata që nuk kan të zbutur me fjal as me lotë. Bashkë me ju dhe me miqt të mirë të derës’ së juaj, kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bijë që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur. Zemërës së juaja dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllimi të kryerët të detyrave të ra dhe të rënda që her’ e prap’ e sotëme ju shtroj mbi gjithë të tjerat edhe faqe pindërvet dhe faqe të miturve dhe nënave të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim”.

Gjithsesi, i urti Kolea, edhe ai në prag të vdekjes, i jep kurajë, forcë dhe uzdajë Musinesë, për ta vazhduar jetën dhe punën e saj, se puna është ilaçi i gjithçkaje, por edhe detyra ndaj vetes, njerëzimit, kombit dhe botës.

Një gurrë ngushullimi gjithë aq të vërtetë do t’ ju falinj puna, kjo detyra e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prejt’ e zemrës, shëndet i trupit dhe pus’ i harrimit për troces të jetës; detyrë faqe vehtes jo vetëm sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet pak a shumë edhe përtej varrit, detyra faqe hjerësvet, që ka njeriu te të vetët dhe faqe atyre që kanë qenë më parë, detyra faqe miqve dhe faqe njerëzimit, detyra faqe kombit, atdheut edhe botës”. /GazetaExLibris/ KultPlus.com

105 vjet nga lindja e intelektuales, Musine Kokolari

Shkruan Mirela Kumbaro

10 shkurt 1917 lindi nje grua, nje lule, nje shkrimtare, nje intelektuale, nje mendje e lirë, nje gjirokastrite.

“Hëm vashë, hëm muzë, hëm hero beteje” e quan Isuf Luzaj vajzën me shifon të zi.

Simbol që përmes brishtësisë i qëndroi diktaturës, Gruaja-Libër,

Musineja mbetet një personazh që intrigon me kombinimin e çuditshëm që përvijohet, midis profilit shumë të rafinuar, siluetes prej Madone, vështrimit të përhumbur, deklaratave të forta, zgjedhjes socialdemokrate, vrazhdësisë së gjyqit politik, teksteve naïve me nënon plakë, kërkimit akademik në një italishte perfekte, nga sokakët e të marrëve te kishat bibliotekë të Romës, nga burgu te pavijoni onkologjik; nga qëndismat e mëndafshta te fjala e dëshpëruar prej mungesës së lirisë.

 “Sa më tepër shkruaja, thotë Musineja, aq më tepër më tërhiqnin ato kohë në të cilat kam jetuar të ashtuquajturën pjesë më  të bukur të jetës sime: fëmijëria”

Gjirokastrite, Grua, Mendimtare, Musineja magjeps sepse, siç e cilëson Lasgush Poradeci, kritikën e tij letare për librin e saj “Siç më thotë nënua plakë”,

ajo “e kapte jetën”.

Unë do i rezistoj tundimit për t’u bërë analizë teksti mendimeve e shkrimeve të Musine Kokalarit, sepse kolege te mi studjues e kane bërë tashmë, por edhe se do t’ia lë këtë një tjetër kohe më të shtyrë kur unë do t’i rikthehem profesionit tim të përjetshëm, librave.

Por dua të ndaj për të disatën herë keqardhjen se, megjithë gatishmërinë e Ministrisë së Kulturës që vuri në dispozicion edhe fondin e nevojshëm për ta restauruar në bashkepunim me familjen dhe trashegimtarët e ligjshëm të Musinesë, ende shtëpia vuan në dhimbjet e rrënimit, jo prej harresës por prej fatkeqësisë së zjarrit.

Në vitin dedikuar Musine Kokalarit në 100 vjetorin e lindjes së saj, Qeveria shqiptare jo vetëm i botoi veprën e plotë Musinesë, dhe shume ndere të tjera më se të miratuara, por ende të pamjaftueshme, jo vetëm hartoi projektin e restaurimit të shtëpisë por vuri ne dispozicion edhe fondin e nevojshëm për restaurim.

Trashegimtarët nuk arritën të bëhen bashkë për ta rijetësuar projektin dhe për të bërë marrëveshjen me Ministrinë e Kulturës.

Ama, nuk e humbas besimin se projekti do ta shohe dritën e realizimit sepse vullneti ynë është i palëkundur, pa dyshim dhe i komunitetit gjirokastrit.

Një rijetësim i tillë do të ishte shembulli më i mirë ku historia do të përzihej me arkitekturën, letërsia me mikpritjen dhe kujtesa me të shkuarën që na kthen drejt së ardhmes, duke shkuar në gjurmët e Musinesë për të mos harruar atë, për të mos harruar viktimat e persekutimit komunist, për të mos e lënë të keqen të përsëritet.

Nuk kam iluzionin se kemi arritur të plotë qëllimin.

Ne tesktet e saj Musineja thotë: “une kam mbetur e zhgënjyer vetëm ato herë që kam arritur së fundi qëllimin për të cilin synoja… duke mos gjetur në realizim atë që më kishte krijuar fantasia”

Kjo është vetëm një etapë.

Dhe askush s’bën dot asgjë vetëm. Bashkë do ta bëjmë./ KultPlus.com

Pasurohet fondi i dokumenteve të Musine Kokalarit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka marrë në dorëzim një material dokumentar prej 3112 fletësh të shkrimtares, të etnografes dhe të veprimtares politike, Musine Kokalari.

Në ceremoninë e aktit të dhurimit ishin të pranishëm Drejtori i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido dhe Bibika Kokalari, e afërt e intelektuales së ndjerë.

Kreu i DPA-së bëri të ditur se mes dokumenteve të dhuruara, gjenden dorëshkrime të rralla dhe të pabëra publike të Kokalarit, një prej personaliteteve publike më të rëndësishëm të kulturës dhe të shkencës shqiptare.

“Dua të falënderoj veçanërisht Bibika Kokalari. E kuptoj që për pasardhësit është shumë e vështirë të ndahen nga këto dokumente, por nga ana tjetër, ndarja nga to vjen nga nevoja e madhe për t’i shpëtuar. DPA-ja i ka kushtet e ruajtjes së dokumenteve dhe mundëson që Musine Kokalari përmes dorëshkrimeve të saj të jetë e qasshme tek çdo studiues dhe rrjedhimisht të mund të përhapen idetë e saj”, theksoi Bido.

Ai i bëri thirrje të gjithë pasardhësve të personaliteteve të mëdha, siç është Musineja, që të dhurojnë dokumente në arkiv sepse është e vetmja formë për t’i shpëtuar ato.

Në fjalën e saj Bibika Kokalari tha se “akti i dhurimit të këtyre dokumenteve vjen i motivuar nga vullneti i diktuar prej Musinesë”.

“Dëshira e Musinesë ishte që një pjesë e dorëshkrimeve të saj të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit pranë Sotir Kolesë, pasi ai ishte mësuesi i saj i parë dhe ajo eci në gjurmët dhe mësimet e tij. Këtu do të gjeni dorëshkrime, shënime politike, etnografike, gjëegjëza, përralla të mbledhura nga të burgosura nga vende të ndryshme të Shqipërisë nëpër burgjet ku ajo kaloi një pjesë të mirë të jetës.”, tha Bibika Kokalari.

Dokumentet e dhururara, të cilat përfshijnë të dhëna mbi themelimin e Partisë Social-Demokrate (PSD), krijime letrare dhe trajtesa monografike, do të kalojnë nën administrimin dhe ruajtjen e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH).

Ky korpus i veprës së Kokalarit i bashkëngjitet kështu fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj./atsh/ KultPlus.com

Kush ishte Musine Kokalari, disidentja qe nuk u dorëzua kurrë

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë ndersa në vitin 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari do te vendosej në Tiranë.

Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate.

Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i asaj kohe, Sali Berisha i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Historia e dhimbshme e jetës së disidentes së burgosur e internuar nga diktatura

Thëniet e saj ishin akuzat e një shpirti të pamposhtur rilindës që sfidonte vdekjen. “Unë s´jam fajtore. S´jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Pas këtyre fjalëve, ajo nuk mund t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës, edhe pse ky i fundit e njihte mirë familjen intelektuale dhe patriotike të Kokalarëve nga Gjirokastra. Madje, Hoxha kishte lidhje gjaku me Musinenë, por ai nuk e kurseu as atë, pasi kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit e saj, në nëntor të vitit 1944. Sistemi i kaluar kishte dhe një inat tjetër me Musinenë.

Fakti që ajo kishte krijuar së bashku me Skënder Muçon, Partinë Socialdemokrate, në vitin 1943, nuk mund të anashkalohej nga sistemi një partiak i Hoxhes. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e kokalari3Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra.

Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.

Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.

Çastet e fundit të jetës

Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s´jam fajtore…”.

Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konseguente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës, ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e raskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri.

“Ç´fat tragjik, shkruan ajo. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.

E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s´kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”. “ Ketu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.

Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë kokalari2nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç´domethënë familje.

Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Falë ditëve që erdhën u mundësua të thuhet e vërteta për personalitete të tillë si Musine Kokalari. Diktatura e burgosi, e internoi, e vdiq, por nuk e varrosi dot. Ajo i mbeti gjallë popullit dhe atdheut, një dritë e pashuar e kulturës shqiptare. Nga piedestali ku e vendosi koha, ajo vazhdon të thotë : “Besa, shpresa, dashuria, ato pra na lartësojnë. Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë”./ atsh/ KultPlus.com