Rama: 75 mijë turistë vizituan Muzeun Etnografik të Krujës

Muzeu Etnografik i Krujës, monument kulture i kategorisë së parë ka hapur dyert për turistët me mbi 3000 artefakte të ekspozuara që tregojnë për trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, mënyrat tradicionale të jetesës së shqiptarëve dhe zakonet e tyre përgjatë shekujve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky muze i rilindur, falë financimit të Bashkimit Europian.

Rama bëri të ditur se ky thesar arkitekturor dhe atraksion turistik është vizituar deri më tani nga 75 mijë turistë ose me 110% më shumë, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023-shit.

I vendosur në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764, ky muze paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.

Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Banesa është monument kulture e kategorisë së parë.

Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara./atsh/KultPlus.com

Restaurohet Muzeu Etnografik i Krujës, Gonxhja: Trashëgimia kulturore mbështetje për ekonominë

Muzeu Etnografik i Krujës, i financuar nga Bashkimi Evropian, përmes programit EU4Culture, hapi dyert e tij për publikun.

Në ceremoninë e inaugurimit, pas një pune restauruese, mbështetur edhe nga UNOPS, ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato si dhe përfaqësuesja e UNOPS, Freya von Groote.

“Nga bedenat e kalasë së Krujës vetëm dy herë janë parë 150 mijë të huaj brenda një viti. Herën e parë në 1466, në rrethimin e dytë të Krujës, dhe hera e dytë është 2024 kur 150 mijë turistë të huaj pritet të vizitojnë këtë qytet”, u shpreh ministri Gonxhja i cili shtoi se, për shumë kohë Shqipëria nuk ka ditur të shfrytëzojë potencialet e paimagjinueshme që ka, ndërsa sot falë vizionit të qeverisë, kemi hyrë në një epokë ku turizmi nuk zhvillohet më sporadikisht, por në të gjithë vendin dhe përgjatë gjithë vitit.

Sipas ministrit, të dhënat e deritanishme tregojnë se turizmi kulturor ka shënuar më shumë rritje se sektori i turizmit në tërësi.

Shifrat zyrtare tregojnë se numri i vizitorëve në institucionet kulturore është rritur me 70% në të gjithë vendin, ndërsa në Qendrën Muzeore të Krujës numri i vizitorëve është rritur me 75 mijë, ose 110% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023.

Gonxhja tha se ky transformim nisi me restaurimin e pazarit, vazhdoi me kompleksin muzeal dhe më tutje me rinovimin e plotë të Muzeut Etnografik të Krujës.

Ky rinovim e bën këtë muze një epilog të denjë të shëtitjes që nis nga pazari, vijon me kështjellën, Muzeun e Gjergj Kastriotit, bujtinat etj.

Ministri kujtoi se 6 familje u mbështetën në Krujë falë nismës së qeverisë shqiptare me Bonusin e Rijetësimit, brenda një viti, me një fond prej 25 mln lekësh.

Ky program do të shtrihet dhe në eksperienca që kanë të bëjnë me biznese si bujtinat e shtëpitë e mikpritjes.

Ministri Gonxhja kujtoi se, Kruja është qyteti me numrin më të vogël të të ikurve, fakt i cili është domethënës pasi trashëgimia kulturore është një shtytës për ekonominë duke lidhur komunitetin me këto qendra.

“Më vjen mirë që jam pjesë e një mazhoranse e cila në pak vite, ka nxitur ngritjen e 10 muzeumeve të reja e po aq janë në plan në të ardhmen”, deklaroi ministri Blendi Gonxhja, në ceremoninë inauguruese.

I vendosur në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764, ky muze paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë. Me mbi 3000 artefakte të ekspozuara, vizitorët mund të eksplorojnë mënyrat tradicionale të jetesës së shqiptarëve dhe zakonet e tyre gjatë shekujve.

Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Banesa është monument kulture e kategorisë së pare. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara./atsh/KultPlus.com

Muzeu Etnografik i Krujës në proces restaurimi, rihapet në tetor

Punimet restauruese në Muzeun Etnografik të Krujës vijojnë me ritmin e arritjes së objektivit për hapjen tetorin e ardhshëm.

Sipas projektit EU4Culture, qindra objekte janë duke u paketuar për t’u ruajtur në mënyrë të sigurtë, ndërsa punimet e konservimit të ndërtesës janë në vazhdim.

Muzeu është një nga disa objekte të trashëgimisë kulturore që po restaurohen në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

“Kostoja e ndërhyrjes do të jetë 510 000 euro dhe muzeu do të hapet sërish për publikun e turistët tetorin e ardhshëm”, bën të ditur EU4Culture.

Punimet do të përfshijnë dyshemenë, çatinë, tavanin, të gjitha dyert dhe dritaret. Pjesë e punimeve restauruese do të jetë edhe pastrimi e forcimi i mobilieve dhe pikturat murale të shekullit të XVIII.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.

Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989./ atsh / KultPlus.com