Muzeu i Qytetit të Mitrovicës shënoi 66 vjetorin e themelimit, ia dedikon Sulejman Muratit

Në kuadër të Javës për Trashëgimi Kulturore Evropiane, Muzeu i Qytetit të Mitrovicës shënoi 66 vjetorit e veprimtarisë së vet, duke ia dedikuar të parit të këtij institucioni, themeluesit Sulejman Muratit, përcjellë KultPlus.

Sulejman Murati (1923-1990), ishte themeluesi i Muzeut të Qytetit të Mitrovicës që në vitin 1952. Ai ishte i diplomuar për Etnografi në Universitetin e Beogradit dhe që nga viti 1952 emërohet Drejtor i Muzeut të Qytetit të Mitrovicës, duke ia dedikuar punë profesionale muzeut për më shumë se tre decenie.

Pas një performance në piano u lexua historiku i shkurtër i muzeut si dhe biografia e Sulejman Muratit. Ndërkaq enkas për këtë aktivitet qenë ftuar në panel dy vajzat e Sulejam Muratit, ish Drejtoresha e muzeut Znj. Turkanas Konjusha, si dhe miku e bashkëpunëtori i tij Z. Asllan Kryeziu të cilët ndanë kujtime nga më të ndryshmet për të pranishmit në sallë.

Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar u treguan dimensione personale, profesionale si dhe dedikimi i Sulejman Muratit për qytetin e Mitrovicës. Vajzat kujtuan dedikim e babait për muzeun, për qytetin si dhe pasurimin e diapazoneve të tyre me histori qysh në moshë të re. Konjusha kujtoi dedikimin dhe dashurinë e Sulejman Muratit për punën në muze dhe se sa preokupohej me degradimet e trashëgimisë kulturore arkitektonike në qytet. Në anën tjetër miku i tij dhe bashkëpunëtori Kryeziu çmoi lartë guximin e tij drejt mbledhjes të gjithë asaj pasurie të trashëgimisë kulturore në një kohë kur nisma të tilla shantazhoheshin nga sistemi qeverisës i asaj periudhe, si dhe rikujtoi se ishe pikërisht Sulejman Murati ai i cili u kujdes për mbledhjen e eksponateve të ndryshme nga familja e Isa Boletinit, të cilat me vite i mbajti në muze dhe tashmë gjinden në kullën muze të Isa Boletinit.

Ky manifestim u pritë me dashamirësi nga bashkëkohësit e tij të rrallë, studentët e rinj dhe qytetarët e Mitrovicës.

Veprimtaria shkencore e Sulejman Muratit si autor dhe bashkëautor

“Dëshmi të Luftës për Liri”, libër i cili u botua në vitin 1986;

“Luftëtaret e rënë dhe viktimat e terrorit fashist në Mitrovicë dhe rrethinë 1941-1945.

“50 Shekuj të Mitrovicës” – 1971

“Historia e Mitrovicës sipas koleksioneve muzeore”

“Historia e Mitrovicës nga lashtësia deri në ditët e sotme”

“Mitrovica dhe rrethina” 1978-1979;

“Mitrovica e Titos 1945-1980” Monografi

”Kombinati Trepça” Monografi – 1974.