Kur buka ndahej kafshore-kafshore, dhimbja e refugjatëve në Muzeun Virtual

Alberina Haxhijaj

Në Muzeun e Kosovës mbrëmë kanë zënë vend dhjetëra valixhe. Çdo njëra nga to mbante afër vetes fotografin e rrëfimtarit dhe rrëfimin e tij të luftës të cilin të pranishmit mund ta dëgjonin. Rrëfime të cilat vinin në pah gjëra që kanë qëndruar të heshtura ndër vite, copëza kujtimesh që refugjatët e luftës së fundit në Kosovë i mbajnë brenda vetës. Histori të pa treguara në mungesë të momerializimit dhe dokumentimit të përvoja të refugjatëve që janë larg heronjve dhe martirëve.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut-Kosovë, bëri mbrëmë lansimin e Muzeut Virtual të Refugjatëve pikërisht me këto rrëfime. Rrëfime, të cilat dëshmojnë edhe një herë se eksodi i refugjatëve gjatë luftës së fundit në Kosovë është pjesë thelbësore e së kaluarës dhe të së tashmes, duke marrë parasysh se rreth 1 milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Një muze i cili do të kontribuojë në njohjen simbolike të vuajtjeve të civilëve nga të gjitha grupet etnike, gjatë luftës së Kosovës. Gjithashtu, përmes kësaj nisme synohet që të nxiten debate publike dhe gjithëpërfshirëse për të kaluarën dhe të rritet empatia sociale duke shpërfaqur rrëfime të ndryshme.

Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) tregoi se muzeu përbënë një seri të intervistave që janë mbledhur deri tani. Ajo po ashtu theksoi se presin që të përfshijnë edhe rrëfime të tjera dhe se janë të hapur për të diskutuar me njerëz të cilët dëshirojnë që rrëfimin e tyre ti plasojnë në këtë platformë.

“Një platformë e cila do të shërbejë për të nxitur debat dhe për tu fokusuar në pjesën personale të asaj se çfarë ne kemi përjetuar në të kaluarën tonë të dhimbshme. Një platformë e cila po tenton të krijojë disa narrativa, ndryshe nga ato që jemi mësuar që t’i lexojmë nëpër libra, dëgjojmë në shkollë apo media. Ndryshe nga narrativat të cilat kanë bazë rrëfime të ndryshme nacionaliste, rrëfime glorifikuese, zakonisht të ushtarëve burra”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër Bjeshka Guri po ashtu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut u shpreh se njerëzit në Kosovë kanë parë mjaft gjatë luftës mirëpo ka ardhur koha që t’i tregojnë ato që i kanë parë.

“Vetëm duke biseduar dhe duke treguar se çfarë na ka ndodh ose çfarë kemi parë mund të ballafaqohemi me të kaluarën. Një e kaluar e cila po na ndjek prapë se prapë dhe që po shfaqet në mënyra negative sado që mendojmë se nuk po na ndikon aq shumë. Kurdo që është biseduar për luftën edhe për përjetimet tona si qytetar të rëndomtë gjithmonë ka pasur tendenca me u minimalizu dhimbja edhe traumat që i kemi përjetuar. Lufta është kapitalizuar nga ushtarët dhe të ashtu quajturit heronj ”, u shpreh ajo duke theksuar se në anën tjetër ky muze tenton të bëhet zëri të gjithë.

Për psikologen Xhevahire Balaj, realizimi i një muzeu të tillë ndikon shumë pozitivisht pasi që të ofron një mundësi për të ndaluar dhe reflektuar se cilat kanë qenë me të vërtetë pasojat e luftës dhe cilat janë përvojat e njerëzve të zhvendosur.

“Asnjëherë nuk kemi diskutuar si ka qenë me qëndru 20 ditë në mal apo në kufi. Përvoja dhe përjetime traumatike të cilat reflektojnë edhe në aspektin personal por edhe komunitar edhe nacional”, u shpreh ajo duke theksuar përvojat e të zhvendosurve dhe të përndjekurve me dhunë.

Në këtë muze fillimisht janë të përfshira rrëfimet nga: Rasim alija, Zoran Makimovic, Ibrahim Gashi, Festim Avdyli, Daut Qulangjiu, Albert Lekaj, Valbona Bylykbashi, Nita Zeqiri, Myrvete Guri, Mersie Kameri, Blerina Muqolli, Dardan Hoti, Fatlum Sadiku, Fjolla Dumani, Gent Muhaxheri dhe Lavdim Zymberi. Projekti përkrahet nga ambasada Zvicerane në Prishtinë./ KultPlus.com