Ellis Marsalis, prijësi i rilindjes së xhazit

Ellis Marsalis Jr., pianist dhe edukator që u bë forcë prijatare e rilindjes së jazzit në fund të shekullit XX.

Marsalis ka kaluar dekada të tëra si muzikant dhe mësues në New Orleans, para se dy djemtë e tij të mëdhenj, Wyntoni dhe Branfordi, që mishëronin një përtëritje të freskët të jazzit tradicional, të fitonin famë kombëtare në fillim të viteve ’80.

Përkushtimi i zotit Marsalis për bebopin e gjysmës së shekullit dhe pasardhësve të tij për një kohë të gjatë e ka bërë atë njëfarë jabanxhiu në qytet me një besnikëri shtrënguese për rrënjët e hershme të jazzit.

Megjithatë, ai siguroi respektin e kolegëve muzikantë falë dhuntisë së tij të patjetërsueshme si pianist dhe kompozitor dhe mënyrës së tij të rreptë dhe mbështetëse si mësues. Sapo ata shkelën skenën kombëtare, mbrojtja që Marsalisët i bënë jazzit të kulluar i bëri ata renegatë të një lloji tjetër. Trumbetisti Wynton shpalosi me guxim devocionin e të atit për heronj si Charlie Parker dhe Thelonious Monk, madje ai fshikulloi publikisht kundër përzierjes së ligshtë mes jazzit dhe rockut që e zhvendosi me të madhe jazzin akustik në fund të viteve ‘60 dhe ‘70.

Të pashëm, eruditë dhe jashtëzakonisht të dhuntishëm, fëmijët e zotit Marsalis dhe shumë muzikantë të rinj të jazzit që i mësoi – përfshirë Terence Blanchard, Donald Harrison Jr., Harry Connick Jr. dhe Nicholas Payton – u bënë prijatarë në lëvizjen tradicionale në rritje, përhumbshëm e quajtur edhe si “Luanët e rinj”.

“Im atë ishte një gjigand prej muzikanti e mësuesi, por edhe një baba i madh”, ka thënë në një kumtesë Branford Marsalis. “Ai vuri gjithë çka kishte për të na bërë më të mirët”. Si mirënjohje për ndikimin e patriarkut dhe për dhuntitë e tij, “National Endowment for the Arts” më 2011 i emëroi Marsalisin dhe të bijtë e tij si mjeshtër të jazzit.

Ai konsiderohet si një prej ndereve më të larta për një muzikant amerikan të jazzit, dhe deri asokohe ai ishte dhënë vetëm në baza individuale. Në këtë pikë Maraslisët konsideroheshin gjerësisht si familja mbretërore e jazzit. Wynton ishte bërë drejtor artistik që themeloi jazzin në “Lincoln Center”, organizatë e shquar jofitimprurëse që i kushtohet jazzit, dhe ai fitoi çmimin “Pultizer” për muzikë më 1997. /KultPlus.com

Lindja e muzikës Jazz, mjeti edukativ dhe forca për paqen

Muzika xhaz është ndër më të dëgjuarat e të gjitha kohërave. Vlerat e xhazit shkojnë përtej bukurisë së kësaj rryme. Ajo shihet si mjet edukativ dhe forcë për paqen, bashkimin, dialogun dhe bashkëpunimin mes njerëzve. Xhazi është një lloj muzike shumë intelektuale, e cila shquhet për një teknikë të veçantë, improvizime dhe fantazi. Ajo ndikon te mënyra e të menduarit, krijon ndjenja dhe emocione të veçanta te njeriu dhe ata të cilët e njohin këtë lloj muzike kanë në përgjithësi njohuri të mëdha edhe për llojet e tjera të muzikës. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja që e karakterizon e bëjnë xhazin një lloj arti të veçantë në vetvete.

Origjina e muzikës së xhazit është shumë e pazakontë. Zhvillimi i saj ishte dinamik dhe i ndritur, i shoqëruar nga ngjarje të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme, të cilat ndikuan në zhvillimin e artit muzikor të botës.

Instrumentet më të përdorura të muzikës xhaz janë: saksi, tromba, tromboni, bateria, kontrabasi, ksilofoni dhe, mbas viteve ’70, instrumentet elektrike. Në zemër të muzikës xhaz është një kombinim i improvizimit me një melodi muzikore të menduar më parë, jo domosdoshmërisht të regjistruar. Përdorimi i përhershëm i veglave ritmike me qëllim krijimin e një ritmi themelor, si edhe krijimin e melodisë xhaz, nën përsëritjen e përhershme sikurse individuale (solistike) apo kolektive (improvizimi), e bëjnë këtë lloj muzike shumë unike dhe rrallë të konkurrueshme me llojet e tjera të muzikës kudo në botë.

Instrumenti i trombës ka një vend shumë të rëndësishëm në muzikën xhaz. Tromba si një instrument shumë i veçantë për muzikën në përgjithësi, është edhe simboli i muzikës xhaz. Krahas instrumenteve të tjera, ajo është përdorur nga shumë kompozitorë të xhazit. Përveç një numri instrumentistësh të mëdhenj në instrumente të ndryshme, një rol të madh kanë luajtur edhe trombistët amerikanë Louis Armstrong, Dizzy Gillespie, Miles Davis, ndërsa në ditët e sotme këtë rol vazhdojnë ta luajnë Wynton Marsalis dhe Arturo Sandoval.

Xhazi është një stil muzikor që u shfaq në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të 20-të. Xhazi është shkrirje e të shprehurit muzikor laik e shpirtëror të afroamerikanëve dhe e elementeve muzikore evropiane. Kjo lloj muzike filloi në jug të Shteteve të Bashkuara dhe më vonë u përhap në mbarë botën. New Orleans-i është vendlindja e xhazit dhe veçanërisht Sheshi “Kongo”, të cilët simbolizojnë hapat e para të shkëlqimit të kësaj muzike. Karakteristikë e tij është ritmi i çrregullt, forma josimetrike, sinkopat e shpeshta dhe intervalet e zbritura e të zvogëluara. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika xhaz ka marrë edhe disa elemente nga muzika popullore amerikane. Mund të përmendim disa forma të ndryshme të saj, si: “New Orleans Jazz” që daton në fillim të viteve 1910, “Gypsy Jazz” nga vitet 1930-1940, “Bebop” nga mesi i viteve ’40, “Cool Jazz”, “Soul Jazz”, “Avant-gard Jazz”, “Boogie Woogie” e të tjerë.

Jelly Roll Morton, Buddy Bolden, Kid Ory ishin ata që bënë tranzicionin e muzikës popullore afrikane në format e para të xhazit.

Një nga datat më të rëndësishme në zhvillimin e muzikës xhaz ishte dita e 26 shkurtit 1917. Atë ditë, në studiot e regjistrimit të qytetit të Nju-Jorkut pesë muzikantë, përfaqësuesit tipikë të garës “Europoid”, bënë regjistrimin e parë të xhazit. Pas këtij regjistrimi të dëgjuar në të gjithë Amerikën, nga grupi legjendar “Original Dixieland Jazz Band”, e gjithë popullsia e këtij vendi të madh ishte e tronditur dhe habitur nga ai tingull i pazakontë, i cili pushtoi shtëpitë diskografike gjithmonë e më shumë dhe u kthye në një markë amerikane që pushtoi botën, duke sjellë fitime marramendëse.

Një nga grupet e para të xhazit e viteve ’30, që më pas, për nga stili, u ndoq edhe nga shumë të tjerë, ishte orkestra e njohur nën drejtimin e mjeshtrave të muzikës xhaz si Glenn Miller, Duke Ellington, Fletcher Henderson, Count Basie dhe Benny Goodman. Duke Ellington në vitet ’40 të shekullit të kaluar, në punën e tij është bazuar në traditat e muzikës popullore latinoamerikane, duke e zgjeruar edhe më shumë muzikën xhaz.

Muzikantë të talentuar dhe interpretues të xhazit, si Charlie Parker, Dizzy Gillespie, Thelonious Monk dhe shumë të tjerë eksperimentuan me zhanrin “Bebop” dhe “Bop”, duke e bërë xhazin edhe më shumë të kuptueshëm nga masat. “Bebop” ngelet ndër më të njohurat edhe në ditët tona.

Në mesin e viteve ’60, zhvillimi i xhazit, si tendencë stilistike në muzikë, ka shkuar në dy drejtime të ndryshme. Një ndër to është stili “West Coast”, ndërthurje kjo e ritmeve klasike dhe moderne të asaj kohe, por me bas të rëndë dhe tejzgjatje të notave të çrregullta. Këngëtarja që sot thuajse e sjell atë lloj muzike tek ne është Lana Del Ray. Drejtimi i dytë është “Soul Jazz”, ku kombinohen bazat e “Bebop”-it dhe traditat negro folklorike, ritmet e zjarrta dhe meloditë fetare, këngët e nipërve amerikanë të atyre që luanin notat e para të xhazit nëpër lagjet e thella, ku lindi kjo lloj muzike, të ashtuquajturit muzikantët shpirtërorë.

Xhazi është popullor në shumë vende të botës. Kudo ka yje, të cilët janë të rrethuar nga një ushtri tifozësh, por disa emra janë bërë një legjendë e vërtetë. Ata janë të njohur dhe të dashur nga të gjithë. Kur mendon për xhazin, mendja të shkon menjëherë te Louis Armstrong-u, Aretha Franklin, Rey Charles, Billie Holiday, Ella Fitzgerald, Janis Joplin, etj. Xhazi live është sot ndër më të preferuarit dhe më të paguarit në lokalet më luksoze të shtresave të larta në botë, por edhe në baret e vogla tradicionale të ShBA-së, Europës e Azisë, ku çdokush mund të shkojë për të kaluar disa orë me miqtë për të dëgjuar muzikën “soul”, muzikën e shpirtit. Muzika xhaz i ka rezistuar të gjitha kohërave, duke u bërë pa dyshim frymëzim edhe për muzikën moderne të ditëve të sotme.

Ndërron jetë legjenda e muzikës jazz

Ka ndërruar jetë legjenda e muzikës ‘Jazz’, Ellis Marsalis Jr. Vdekja e tij erdhi nga komplikimet e krijuara nga koronavirusi. Legjenda e New Orleansit vdiq në moshën 85 vjeçare, ka treguar djali i tij për “New York Times”.

“Ellis Marsalis ishe një legjendë. Ai ishte një mësues, një baba dhe një ikonë. Fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar artin, gëzimin dhe bukurinë që ai ka shfaqur për botën”, tha në një deklaratë kryetari i bashkisë së New Orleansit të mërkurën në darkë. / KultPlus.com

Koronavirusi i merr jetën yllit të muzikës jazz

Ylli i muzikës jazz, Manu Dibango ka ndërruar jetën ditën e sotme në Francë për shkak të koronavirusit.

Lajmin e ka konfirmuar producenti i tij për AFP.

86-vjecari nga Kameruni, ishte i njohur sidomos për hitin e vitit 1972 ‘Soul Makossa’.

‘Ai vdiq herët në mëngjes në një spital në rajonin e Parisit’, njoftoi Thierry Durepaire.

Dibango lindi në 1933 në Douala, Kamerun. Ai ndoqi shkollën e mesme në Francë dhe filloi të mësojë instrumente: së pari pianon, pastaj saksofonin – për të cilin u bë më i njohur.

Ai u transferua në Bruksel dhe vizitoi Evropën me Afrikën Jazz nën grupin e bandës Joseph Kabasele, dhe kaloi kohë në Kongo dhe Kamerun para se të kthehej në Paris në 1965.

Karriera e Manu Dibango filloi në vitet ’50 dhe u bë një muzikant i njohur në të gjithë botën.

Ai kishte energji dhe dashuri për muzikën, prandaj bëri një turne me Symphonic Safari në vitin 2019 duke miksuar xhazin dhe muzikën klasike.

Ai përziu stilet kozmopolite nga Afrika dhe Evropa në shkrirjen e tij, duke rezultuar në hitin e tij më të madh, Soul Makossa, me një linjë të flaktë saksofoni mbi një rrahje dhe vokalet e folura të Dibango, të shkruara fillimisht për turneun e futbollit të Kupës së Kombeve Afrikane të 1972.

Deri tani, në Francë ka 19,856 të infektuar dhe 650 viktima nga virusi Covid-19. / KultPlus.com

Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës Jazz

30 prilli njihet si dita ndërkombëtare e muzikës Jazz , e cila festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e Jazzit si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve.

Për të shënuar këtë datë, në shumë vende bëhen organizime të ndryshme duke u promovuar këtë rrymë të muzikës, e cila nëpër botë është mjaft e popullarizuar.

UNESCO ka caktuar 30 prillin për këtë ditë, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor të 2011-ës.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ndikon për një ormë tjetër të menduarit të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë.

Instrumentet më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentet elektrike mbas viteve 70-të. / KultPlus.com

Saxophonist. Man playing on saxophone against the background of sunset