Myzafere Gjinali Hatipi, mësuesja që u shndërrua në aktore teatri

Historinë e saj mund ta lexoni të plotë në këtë intervistë të botuar në revistën ‘Dodona’ me 1995! Ndërsa fotografitë kanë një vlerë të veçantë duke qenë se janë realizuar në foto-studion ‘MARUBI’.

MYZAFERE GJINALI HATIPIN E NJOHIM SI REVOLUCIONARE E LUFTËS, SI MËSUESE DHE INTELEKTUALE E CILA TËRË JETËN IA KUSHTOI PUNËS PËR ÇLIRIMIN, ARSIMIMIN DHE EMANCIPIMIN Ë POPULLIT TONË. RRUGA E SAJ JETËSORE ËSHTË NJË DRAMË MË VETE, PËRPLOT ME NGJARJE, KTHESA E PËRPJEKJE. POR NË SHPIRTIN E KËSAJ LUFTËTAREJE SYPATREMBUR DHE E KËSAJ MËSUESEJE SHEMBULLORE, TËRË JETËN KA DRITHËRUAR NJË DËSHIRË Ë FSHEHTË DHE E PAREALIZUAR DERI NË FUND, DËSHIRA QË TË BËHET AKTORE. NË SHPIRTIN E SAJ PLOT VRULL KËSHTU ZBULOHET EDHE NDJESHMËRIA DHE SKOFIA E NJË FEMRE E CILA E SHTYTUR NGA RRETHANAT HISTORIKO-SHOQËRORE, KA MARRË NJË RRUGË TJETËR TË VEPRIMTARISË DUKE E RUAJTUR GJITHMONË E ME XHELOZI DËSHIRËN RINORE. BISEDA ME ZONJËN MYZAFERE ISHTE E GJERË DHE INTERESANTE. RRUGA E SAJ JETËSORE FILLON DIKU NË HAPËSIRAT KU U LIND NOLI I MADH, DHE VAZHDON Të SHTEGTOJË SIKURSE RRUGA E TIJ NËPËR ATDHE. POR PËR LEXUESIN E »DODONËS« NDAMË KAPITULLIN I CILI LIDHET MË SHUMË ME AKTRIMIN.

DODONA: Zonja Myzafere, megjithëse, shumica e lexuesve tanë ju njohin, ndoshta do të ishte e mirëseardhur nëse do të na tregonit shkurt për zanafillën Tuaj?

M. HATIPI: Unë u linda me 3 kallnor 1917, në Çanakale (në Dardanele, Turqi) dhe aty familja jonë ka qëndruar derisa unë u bëra pesë vjeçe e vëllai im 2 vjet e gjysmë. Babai im, Ismail GJINALI, ka qenë oficer prandaj jeta e tij ka qenë jetë përherë në lëvizje e shpërngulje nga një qytet në tjetrin. Prej Turqisë u shpërngulëm në Durrës, ku na u lind edhe një motër. Prej Durrësi pastaj kaluam në Shkodër, prej Shkodre në Elbasan etj. Im atë dikur u lodh nga këto shpërngulje, dhe filloi të shkojë vetë në qytete tjera ku e transferonin, e ne vazhdonte të na vizitojë shpesh. Ndoshta shkaqet pse e transferonin kaq shpesh qëndronin edhe në natyrën e tij prej burri të ndershëm atdhetar e revolucionar, e si i tillë ishte i padëshirueshëm në hierarkinë ushtarake të asaj kohe. Në lëvizjen demokratike të vitit 1924 ishte në anën e Fan Nolit dhe thellësisht kundër prapambeturisë dhe përkrahësve të mbretit të ardhshëm, Ahmet Zogut.

Një natë ramazani, në Elbasan e kanë burgosur, dhe si përkrahës i lëvizjes demokratike e kanë futur në burg në Tiranë, por atje u sëmur nga një sëmundje e rëndë e syve. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, për tim atë më së miri ishte të largohej. Pasi edhe xhaxhallarët i kisha oficerë ata nga mbiemri Gjinolli, çfarë ishte mbiemri ynë i vërtetë, ta për t’u distancuar nga im atë i cili qe degraduar, mbiemrin e kthyen në Gjinali. Dhe kështu gjithë familja u shpërngulëm në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, prej nga unë i kisha prindërit. E këtu im atë, këmbëngulës që të mësonim vetëm shqip e kurrsesi në gjuhë tjetër, na dërgoi ne fëmijët në shkollën katolike te një murgeshë. Kur loznim me fëmijët tjerë, ata na tallnin duke na thënë se babai ynë ishte “papaz” d.m.th prift, megjithëse ne tek më vonë e kemi kuptuar qëllimin dhe idealin e lartë për të cilin ka gjakuar im atë.

Më vonë u regjistrova në gjimnaz. Vitin e parë e kreva, por posa nisa vitin e dytë e lashë për shkak të thashethemeve. Gratë dhe të vjetrit na fyenin duke na thënë se baba juaj s’ka para të blejë çarçaf për t’na mbështjellë ne vajzat me ferexhe. Për ta lënë shkollën e përdora një strategji pasi e dija se im atë me kurrnjë kusht nuk do të më lejonte ta ndërpresë shkollimin: në shkollë fillova të mos mësoj, nuk shkoja me rregull duke pritur se do të më përjashtojnë e pastaj unë do të mund të hyja në çarçaf e të mos i lija fqinjët të flisnin ato që i flisnin. Babai, duke mos e ditur këtë, shkoi te drejtori i shkollës dhe kërkoi prej tij një nxënës më të mirë për të na mësuar në shtëpi. Megjithëse ishim të varfër, ai atë e pagoi vetëm e vetëm që të na ndihmojë në mësime. Mirëpo dikur e kuptoi se ku ishte puna. Dhe një natë bisedoi me time ëmë, e solli vendimin që të ktheheshim prapë në Shqipëri si emigrantë! Atje ia dhanë një copë toke, por im atë, atë tokë prapë ia fali një bujku sepse tha: “Ai që e punon këtë tokë, atij edhe i takon ajo.” Në Kukës, derisa isha ende nxënëse e shkollës fillore, kërkuan që të bëhem mësuese por im atë nuk më la, sepse dëshironte që unë të vazhdoja shkollimin prandaj s’donte të kisha ndonjë pengesë. Menjëherë, para se ta kryeja filloren, shkoi në Tiranë dhe kërkoi bursë. E kreva normalen dhe u emërova si mësuese së pari në Tepelenë, ku thoshin janë 99 shtëpi e kurrë s’bëhen 100, për shkak se i rrëzon e i shkatërron era e fortë që frynte atje.

Në kohën e pushtimit italian u hap kufiri me Kosovën, dhe shpall parulla: “Kosovarët për Kosovën.” U lajmërova dhe u emërova si mësuese në Prizren. Aty vazhdova veprimtarinë time revolucionare, që e pata nisur në Shqipëri, ku bashkëpunoja më Asim VOKSHIN. Punën me Asimin e pati rregulluar ima atë, i cili kishte ide përparimtare për kohën. Më shtyri te Asimi, kinse të mësoja italishten, duke e ditur se do të edukohesha me ide të cilat i bartte në vete Asimi i madh.

DODONA: Të gjithë Ju njohin si pjesëmarrëse e LNÇ-së, si organizatore dhe si udhëheqëse e demonstratave në Prizren për çlirimin e shokëve tuaj nga burgu. Por është një anë e jetës suaj e cila njihet shumë pak, apo aspak nga lexuesit. Kjo është ëndrra juaj e përhershme jetësore që të bëheni aktore. Ndërsa ju keni aktruar në një varg dramash. Pse s’u bëtë aktore?

M. HATIPI: Marrja me teatrin nuk ishte vetëm dëshirë imja personale, por edhe traditë familjare. Im atë, derisa ishim në Turqi, merrej me organizimin e jetës kulturore të shqiptarëve në Turqi. Kështu, ai me grupin e një shoqërie shqiptare atje, edhe viteve të njëzeta të këtij shekulli, bënte shfaqje teatrore, hapjen e shkollave ku mësohej shqip etj.

Por derisa isha normaliste në Tiranë, erdhi një ekip i cili duhej të bënte përzgjedhjen e nxënësve pasi po hapej Shkolla e Dramës dhe na qitën në oborrin e shkollës si dele. Erdhi një nga ta përfaqësuesit, Nush BUSHATI. i cili më vonë do të na mësojë aktrimin bashkë me të shoqen dhe bënte me gisht: “Zgjidhma këtë, këtë dhe këtë…”. Nush Bushati e kishte të shoqen si duket çekosllovake, e cila ishte gjithashtu aktore, kështu që ajo na mësonte ne femrat, ndërsa Nushi meshkujt. Në provën për aftësi në aktrim më ra të aktroja bisedën me telefon. Të gjithëve na shoshitën kështu dhe në fund ata që kishin talent u pranuan: dhjetë femra dhe dhjetë meshkuj. Ndër femrat isha edhe unë. Por në skenë kurrë s’kemi dhënë shfaqje bashkërisht me meshkujt. Prandaj as sot nuk më kujtohet dot emri i ndonjë mashkulli që u zgjodh atëbotë për aktor.

Ndërsa nga femrat kanë qenë disa korçare, shumë të afërta, të lira e të shoqërueshme. Dhe ndër to ka qenë edhe vajza e drejtorit, quhej Nimete Bala dhe Nafie MEMA, bashkëshortja e ardhshme e poetit të madh, Lasgush PORADECI. Nimete Balës atëherë i pat rënë ta lozë rolin Jean D’Ark (Zhan Dë Ark), ndërsa roli im që duke vënë kurorën në kishë të ik, ngaqë s’e doja burrin, por këtë nuk arritëm ta realizojmë.

Atëherë isha njëzetvjeçare, dhe isha entuziaste. Dëshiroja në çdo mënyrë të bëhesha aktore. Kjo dëshirë mu ndez që atëherë. Mirëpo, ndodh në jetë që një ndeshje e padëshirueshme e kthen rrjedhën e jetës. Kjo ndodhi edhe me atë shkollën tonë të aktrimit. Ishim duke bërë prova për ta realizuar “Romeon dhe Xhulijetën” e Shakespeare-it. E tëra shkonte mirë derisa në sallë nuk hyri ministri, Musa Juka, dhe u ul në rendin e parë. Ne vazhduam t’i bënim provat dhe së shpejti i erdhi radha e skenës në ballkon, në të cilin Romeo i shpreh dashurinë Xhulijetës. Musa Juka u tmerrua nga kjo skenë. U ngrit në këmbë e filloi të bërtasë: “A për këto horrllëqe ne, qeveria paguakemi nga 7 napolona?!” Ishte e vërtetë se ne paguheshim shumë, ngaqë mësueset në muaj merrnin pagë prej 5 napolonash, por kjo duhej të shërbente si stimulim që ne femrat të qëndronim në shkollën e aktrimit. Në atë kohë në skenë gjithmonë rolin e femrës e lozte mashkulli. Por. kjo si duket u desh të mbyllet, sepse me vendimin e vetë ministrit, Musa Jukës, shkolla e Dramës, për fat të keq, u mbyll.

DODONA: Si vazhdoi jeta juaj si aktore, tashmë me shkollë të mbyllur? A përfundoi apo e vazhduat?

M. HATIPI: Paj, jo krejtësisht. Sepse edhe derisa isha mësuese kam aktruar në shfaqje të ndryshme. Një ndër to ka qenë edhe shfaqja “Kosovarja”, në të cilën rolin kryesor e kam luajtur unë. Mandej ka aktruar edhe në shfaqjen “Sikur t’isha djalë”, dramatizim të romanit të Haki Stërmillit, të cilin e bëri im shoq, i ndjeri Tajar HATIPI, në të cilin më duket se kam pasur shumë sukses.

E kam luajtur rolin e Nënës së Maksim Gorkit, regjisore e së cilës ka qenë Sonja NIMANI, e shoqja e Elhami NIMANIT. Krejt këto shfaqje janë shfaqur në Prizren e në Kosovë gjatë vjetëve 1942/46.

DODONA:
Si e ndienit veten në skenë kur dilnit para një publiku i cili ende nuk ishte mësuar mirë me skenën dhe aktrimin?

M. HATIPI: Derisa është shfaqur drama “Kosovarja” dikush prej spektatorëve ka tentuar që ta vrasë “naçallnikun”, rolin e të cilit e lozte Sylejman DRINI, sepse iu kisha dhimbsur unë derisa e vajtoja babain tim të vrarë, (rolin e të cilit e lozte burri im i ardhshëm Tajar HATIPI). E kam vajtuar në mënyrë shumë të bindshme, me gjestikulime e ngashërime që të linin përshtypjen se vërtet e vajtoja një të vdekur. Bëja edhe improvizime. Prapa skenës, i lagia sytë me ujë që të duket se janë duke më rrjedhur lotët.

Pastaj, në dramën “Sikur t’isha djalë”, e lozja rolin e njerkës, por si duket e loza me sukses. pasi nga publiku, nga mllefi dhe zemërimi, dikush më bërtiti: “Shtrigë!” Megjithëse as vetë nuk kam dashur të luaj role negative. Por të tjerët më thoshin se unë çdo rol e lozja me sukses.

Pas Luftës së Dytë Botërore, mua dhe Tajarin na ftuan në Teatrin Popullor, unë u gëzova shumë. Por, atje Tajari nuk pranoi të vazhdojë aktrimin, kështu që edhe mua automatikisht m’u hoq mundësia për të vazhduar punën time si aktore.

burimi: https://medium.com/@valdetegjanamorina/nj%C3%AB-m%C3%ABsuese-e-p%C3%ABrkushtuar-myzafere-gjinali-hatipi-7db4ef0a25cb