‘Nata e Muzeve’ në Romë, arkivi i Marubit, në qendër të edicionit të pesëmbëdhjetë

Trashëgimia unike fotografike e Arkivit Marubi ishte në qendër të vëmendjes në edicionin e 15-të të “Natës së Muzeve” në Romë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore ndër-evropiane që ftoi qytetarë, turistë dhe artdashës të eksploronin muzetë dhe institucionet kulturore deri në orët e para të mëngjesit, me një biletë simbolike prej vetëm 1 euro.

Shqipëria u përfaqësua me krenari në këtë festë evropiane të kulturës përmes një mbrëmjeje të kuruar me kujdes nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, në ambientin e veçantë të Sala Santa Rita – një prej hapësirave më ikonike të kryeqytetit italian. Programi,i dedikuar Arkivit Marubi, i përfshirë në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës të UNESCO-s, solli para publikut italian dhe ndërkombëtar historinë shqiptare të fotografisë.

Të pranishmit patën mundësinë të shijonin një dokumentar mbi Arkivin Marubi, që solli në ekran rrëfimin e një trashëgimie unike fotografike shqiptare, dhe gjithashtu të përjetonin një ndërthurje muzikore nga sopranoja Ana Lushi dhe pianistja Kozeta Prifti, të frymëzuara nga qyteti i Shkodrës.

Pjesë e mbi 100 aktiviteteve kulturore të ofruara në mbi 60 hapësira të ndryshme në gjithë Romën, mbrëmja shqiptare solli një copëz arti dhe historie nga Shkodra në zemër të Italisë. Reagimet e publikut ishin tepër pozitive, ndërsa shumë vizitorë u ndalën për të admiruar përfaqësimin shqiptar dhe për të mësuar më shumë për fotografinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Kjo pjesëmarrje shënoi një hap të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare në një skenë ndërkombëtare dhe tregoi sërish se arti shqiptar di të flasë fuqishëm edhe përtej kufijve. /atsh/ KultPlus.com

“Nata e Muzeve”, Gonxhja: Mbrëmje plot ngjyra dhe muzikë

Kanë nisur kremtimet dhe përgatitjet për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve e cila është më 18 maj dhe synon të tërheqë më shumë vëmendje ndaj këtyre institucioneve të artit, kulturës e trashëgimisë.

Me këtë rast, ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një listë institucioneve ku do të ketë aktivitete mbrëmjen e nesërme.

“Nata e Muzeve”, 18 maj, në një mbrëmje plot ngjyra dhe muzikë së bashku me Universitetin e Arteve Tiranë dhe me përkrahjen e Bashkive Shkodër, Durrës, Krujë, Korçë, Fier dhe Berat”, shkroi ministri Gonxhja dhe më pas renditi institucionet e angazhuara: Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë; Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë; Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, Berat; Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Shkodër; Kullën Veneciane, Durrës; Muzeun Arkeologjik Apoloni; Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë.

Ndryshe nga ditët e tjera të vitit, më 18 maj, muzetë do të rrinë të hapura në pritje të vizitorëve deri në orën 22:00 dhe hyrja do të jetë falas./atsh/KultPlus.com