Arkivi i Filmit, kujdes të veçantë ndaj shiritit filmik 35 mm

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ndau në rrjetet sociale një video ku tregon momente nga puna e përditshme në sektorin e mirëmbajtjes së fondit filmik. AQSHF shprehet se po tregohet kujdes i veçantë për shiritin filmik 35 mm. “Falë mbështetjes nga buxheti i shtetit për rinovimin e ambienteve të sektorit të mirëmbajtjes dhe atij të digjitalizimit, tashmë ritmi i punës është rritur edhe më tepër, e si përherë, duke treguar kujdes të veçantë për shiritin filmik 35mm”, shkruhet nga AQSHF.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) është kujdestari ligjor i prodhimit kinematografik shqiptar, i filluar nga viti 1947 e në vazhdim, kryesisht i përbërë nga produksionet nga një njësi e vetme shtetërore, studio “Shqipëria e Re”, e cila filloi aktivitetin e saj në vitin 1952 dhe u mbyll në vitin 1992.

Koleksioni kinematografik i ruajtur në arkiv përmban gjithashtu: Materialet arkivore të mbledhura nëpërmjet procesit të privatizimit të filmave me metrazh të gjatë, filmave dokumentarë dhe kronikave të prodhuara nga studiot e huaja, nga fillimi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, të konsideruara si plaçkë lufte.
• Materialet e filmuara të depozituara sipas dispozitave ligjore që filluan të aplikohen që nga viti 1945, ku përfshihen materialet e prodhuara nga regjisorët e huaj të filmave bazuar në marrëveshjet e reja shtetërore.
• Kopje të materialeve të filmuara të prodhimeve të huaja të blera nga shteti.
• Pamjet e arkivit
• Materialet e marra nëpërmjet shkëmbimit me arkivat e tjera./atsh/KultPlus.com

GKK “rifreskohet” nga Manifesta 14, derisa përmes arkivit rikthen thesaret e saj të paçmuara

Uranik Emini

Arti pamor, kultura dhe edukimi paraqiten në një vijë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila si thesar për kombin, shërben si një institucion ku njerëzit mund të vijnë për të parë nga afër ekspozita speciale dhe programe të tjera publike, të gjitha pa pagesë. Galeria Kombëtare e Kosovës, e themeluar në vitin 1979 më 2 shkurt, si institucioni më i shquar në vend ka mision, vizion dhe vlera të rimenduara që synojnë të nderojnë të kaluarën e vendit, t’i përgjigjen të tashmes dhe të frymëzojnë brezat e ardhshëm me një gjuhë të përbashkët, shkruan KultPlus.

Për herë të parë në historinë e saj disa vjeçare, GKK ka hapur një ekspozitë ku paraqet edhe arkivin e saj, me materiale që datojnë nga viti 1960 e tutje, duke rikujtuar e vënë në pah vlerat e pakrahasueshme që kanë sjellë ndër vite artistët nga vendi më i ri në Evropë.

Si në shumë hapësira të tjera publike, edhe GKK është “pushtuar” me vepra të artistëve vendorë e ndërkombëtarë, në kuadër të “Manifesta 14”, e cila synim ka që të rikthejë hapësirat publike te qytetarët, por edhe përmes institucioneve sikurse Galeria, të arrijë që të futet në zemrën e mendjen e secilit, për të rikujtuar se arti është diçka që të bën të marrësh frymë me një lloj tjetër lumturie.

Duke filluar nga artistja e huaj, Selma Selman me veprën e saj “You have no idea”, GKK hap këtë ekspozitë, duke përcjellur mesazhin e artistes, e cila ka të bëjë me atë se njerëzit nuk e dinë se kush është ajo, nuk e dinë për praninë ose mungesën e dhimbjes në jetën e saj dhe tutje zbulon edhe fuqinë e dinamikën e empatisë, duke hedhur dyshime mbi përshtatshmërinë e saj si bazë për takimin politik.

Diversitet i veprave

Grupi artistik “HAVEIT” kishte performuar para disa ditëve performancën e tyre me gota, që në thelb tentojnë të paraqesin gratë dhe menyrën se si ato nuk janë të “denja” për të bërë pazarin e mëngjesit me shportën plot gota.

Duke vazhduar tutje në sallën tjetër, kukulla gjigante paraqiten në sytë e vizitorëve, të cilat sipas artistit Dardan Zhegrova, janë një formë e lashtë e rrefimtarisë që kanë udhëtuar përgjatë rrugëve të ndryshme nga Azia në Evropë. Zhegrova, i cili si fëmijë është rritur në frymën e teatrit “Dodona”, teatri i kukullave në Prishtinës, tenton të mbështetet në historinë e pasur me kukullat e tij të mëdha me dy fytyra.

Në mesin e disa veprave në GKK, është edhe pjesa e artistes së huaj Alevtina Kakhidze, me veprën “Pushtimi”, e cila vjen nga Kieve dhe jeton në Muziçi. Ajo e përshkruan veten si artiste dhe kopshtare, derisa si pjesë e ekspozitës janë “bimët”, dhe gjatë dekadës së fundit një pjesë e madhe e hulumtimit të saj është fokusar në vëzhgimin e botës bimore. Ajo thekson se “bimët” në habitatet e veta dhe të huaja, duke trajtuar tema si pushtimi, dominimi dhe përkatësia.

Valentina Bonizzi, nga Milani, e cila jeton në Tiranë, ka prezantuar veprën e saj “Homazhe Kafkës”, vepër që tregon një video të inçizuar në një vend dhe paraqitet rrëfimi i një personi, që mbetet, pambarisht në portat e ligjit, duke pritur t’i jepet qasje, por pa ardhur në një përfundim të tillë. Ashtu si Kafka, Bonizzi reflekton po aq mbi zërin që njerëzit kanë përpara ligjit sa mbi shkallën në të cilën ata e përdorin atë.

Mes shumë ekspozitave, veprave të ndryshme, diversitetit të artistëve, si pjesë e padiskuteshme e artit, Galeria e hapi edhe arkivin e saj. Arkivi mbledh, ruan dhe vë në dispozicion dokumentacione në lidhje me të kaluarën, duke përfshirë veprat e disa prej artistëve më të mëdhenj në histori të Kosovës.

“Thesaret e fshehura” të Galerisë

Një rezervuar i jashtëzakonshëm i krijuesve shqiptarë, dalin nga arkivi sikurse “thesare të fshehura”. Koleksioni i veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës, padyshim paraqet vetëm majën e një ajsbergu.

Vëzhguesi i ekspozitave, Xhevat Rrahimi, njoftoj për KultPlus se “Manifesta 14” është një vlerë e shtuar për Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe jo vetëm, duke njoftuar se kanë qenë më shumë se 1 mijë vizitorë që nga hapja e ekspozitave.

Arkivi si thesar i paçmueshëm

“Është hera e parë që arkivi ka dalë si ekspozitë. Në arkivin që e kem na është një thesar i paçmuar që e ruajmë me vite të tëra. Por, nuk mund të them se mund t’i ruajmë si duhet, për shkak të kushteve si janë. Edhe pse niveli i kushteve nga Ministria nuk është në gjendje të mirë, ne shpresojmë që në të ardhmën të bëjmë kushte edhe më të mira”.

Pjesë e (pa)ndashme e Galerisë – arkivi

“Ideja e Ministrisë për një Muze Bashkëkohor daton që nga paslufta, si ide, por ende nuk është e realizueshme. Edhe ne e mirëpresim realizimin e muzeut të artit bashkëkohor, por thesarin e Galerisë, mendoj se më së miri e ruan vetë Galeria dhe njerëzit kompetentë këtu”.

Vizitorët besnik – pjesë e përhershme e Galerisë

“Mund të them që “Manifesta 14″ ia ka shtuar një vlerë Galerisë, por ne i kemi vizitorët e tillë që nuk na braktisin asnjëherë. Kemi vizitorë edhe të nivelit ndërkombëtarë edhe vendorë”.

Kritiku amerikan i artit, Jerry Saltz, thotë se veprat e artit shpesh zgjasin përgjithmonë, ose thuajse shumë gjatë. Por vetë ekspozitat, veçanërisht ekspozitat e galerive, janë si lulet; ato lulëzojnë dhe më pas vdesin, pastaj ekzistojnë vetëm si kujtime, ose të shtypura në revista dhe libra, njësoj sikurse në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku vepra të ndryshme të Lirije Bulliqit, Nusret Salihamixhiqit, Muslim Mulliqit, Ibrahim Kodrës, Gjelosh Gjokajt e shumë artistëve të tjerë, jetojnë brenda mureve të objektit dhe si të tilla, gjithnjë e lënë “aromën” e tyre magjike e të paharrueshme, njësoj si veprat që kanë lënë pas vetes. /KultPlus.com

Filmi “Vdekja e Kalit” bën hapjen e kinemasë së AQSHF-së për shfaqje sipas kërkesave

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka njoftuar se kinemaja e institucionit do të jetë në dispozicion të publikut për shfaqje në ekranin e madh të filmave në ditët dhe oraret e kërkuara nga publiku duke filluar nga e premtja, datë 6 maj 2022.

Programi ‘KINOJONË’ do të nisë me shfaqjen e filmit ‘Vdekja e Kali’ (Saimir Kumbaro 1992) në versionin e tij dixhital të restauruar, një shfaqje që ndodh paralelisht me shfaqjen në arte.tv (mars-qershor 2022), platformë që promovon kinematografinë europiane dhe që e ka shtrirjen territoriale në vendet e EU, EFTA, UK dhe Zvicër. Duke qenë se arte.tv nuk e mbulon territorin shqiptar dhe filmi i restauruar ‘Vdekja e kalit’ nuk mund të shihet nga publiku në Shqipëri, AQSHF do ta verë atë në dispozicion të publikut me shfaqje në sallën e kinemasë në AQSHF.

“Jemi të lumtur që arti dhe kultura mund të kapërcejnë kufijtë që vendos gjeopolitika dhe jemi krenarë që kinematografia shqiptare është tashmë pjesë e kinematografisë europiane duke u promovuar krahas 19 vendeve të tjera në programin ArteKino Classics në arte.tv.”, thuhet në njoftim.

‘Vdekja e Kalit’ (Saimir Kumbaro 1992), shfaqje e versionit të restauruar me introduksion mbi restaurimin dhe prezantime videosh para dhe pas restaurimit vjen më datë 6 maj në ora 18:00. Në këtë ngjarje do të jenë të pranishëm edhe artistët dhe autorët e filmit.

Në njoftim është bërë e ditur që çdo ditë pas datës 6 maj 2022, ju mund të dërgoni kërkesën tuaj për shfaqje në adresën [email protected] duke lajmëruar titullin e dëshiruar nga fondi i AQSHF-së si dhe datën dhe orarin e parapëlqyer. Stafi i AQSHF-së do t’ju kontaktojë për konfirmimin. / KultPlus.com

Dorëzohen në arkiv 350 mijë dokumente të kohës së pushtimit osman të Shqipërisë

Drejtori i Arkivit të Shtetit, Ardit Bido, tha se këto dokumente janë shumë të rëndësishme, pasi hedhin dritë mbi historinë e panjohur të pushtimit osman në Shqipëri.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Arkivave në Stamboll, prej së cilës ka marrë plot 350 mijë dokumente që i përkasin periudhës osmane.

Drejtori i Arkivave, Ardit Bido, tha se këto dokumente janë shumë të rëndësishme, pasi hedhin dritë mbi historinë e panjohur të pushtimit osman në Shqipëri.

Sipas tij, në vazhdim do të vijnë nga Stambolli të tjera dokumente të kësaj periudhe dhe të gjithë historianët e studiuesit do të gjejnë gjithçka në Arkivat shqiptare.

“350 mijë dokumente kanë ardhur nga Stambolli. Dokumentet datojnë nga shekulli XV-XX.

Dokumentet janë me rëndësi historike. Ndërkohë, shumë shpejt do të vijnë të tjera dokumente nga Turqia. Marrëveshja bashkëpunimi me arkivin e Stambollit.

 Gjatë vitit 2016 u morën rreth 5 mijë dokumente. AKSH përmban sot tërësinë e dokumenteve pas pavarësisë, por edhe tërësinë e dokumenteve gjatë periudhës osmane.

Është një mori e jashtëzakonshme dokumentare, që duhet të kalojë në një proces renditjeje. Nga fundit të vitit të ardhshme do jenë gati dokumentet për shfrytëzim.

Kjo bëhet për të pasur një pamje të qartë historike mbi ato gjëra që nuk ishin të qarta. Do kemi gjithë pasurinë kombëtare mbi periudhën osmane.

Asnjë studiues s’do duhet të shkojë në arkiva të tjera, do t’i ketë të gjitha këtu për Shqipërinë në periudhën osmane. Dokumentet që kanë ardhur janë të njëjta me origjinalet.

Asnjë dokument i periudhës osmane nuk është sekret, por janë dokumente që nuk i dinim deri më dje. Ju takon historianëve t’i analizojnë”, deklaroi Bido. / BalkanWeb / KultPlus.com

MEPJ fton ish-diplomatët të kontribuojnë në pasurimin e arkivit

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme fton të gjithë ish-diplomatët që shërbyen në radhët e shërbimit të jashtëm në një periudhë të caktuar si diplomatë të thjeshtë ose si drejtues, apo familjarëve të tyre që të kontribuojnë për të pasuruar më tej arkivën historiko-diplomatike të këtij institucioni me fondet e tyre personale arkivore të krijuara gjatë jetës e punës së tyre si diplomatë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme administron dhe shfrytëzon pasurinë arkivore të krijuar gjatë gjithë historisë së shërbimit të jashtëm shqiptar tashmë mbi 100-vjeçare.
Arkivi i saj radhitet i dyti në vend pas Arkivit Qendror të Shtetit. Fondet e saj të pasura arkivore janë të hapura dhe shfrytëzohen çdo ditë për interesat studimore e njohëse të publikut dhe për nevojat e politikës së jashtme.

Në kuadër të përpjekjeve të këtij institucioni për të njohur publikun dhe studiuesit me vlerat më të mira profesionale të krijuara nga diplomatët shqiptarë gjatë një shekulli, për ti ofruar shkrimit të historisë së diplomacisë sa më shumë burime dokumentare autentike, dhe duke u bazuar në ligjin Nr. 9154, datë. 6.11.2003 “Për Arkivat”, neni 47, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i fton të gjithë ish-diplomatëve që shërbyen në radhët e shërbimit të jashtëm në një periudhë të caktuar si diplomatë të thjeshtë ose si drejtues, apo familjarëve të tyre që të kontribuojnë për të pasuruar më tej arkivin historiko-diplomatik të këtij institucioni me fondet e tyre personale arkivore të krijuara gjatë jetës e punës së tyre si diplomatë.

Në bazë të ligjit çdo dorëzim i fondeve personale arkivore pranë Arkivit historiko-diplomatik të MEPJ do të shoqërohet me një marrëveshje të nënshkruar nga dy palët për kushtet e shfrytëzimit të fondit personal arkivor, dhe me një falënderim publik nga ana e këtij institucioni. Ai do të konsiderohet një kontribut i çmuar i ish-diplomatëve në pasurimin e trashëgimisë historike të shërbimit të jashtëm shqiptar./KultPlus.com