ReMusica në natën e parafundit solli perlat e periudhës së Barokut

Festivali “ReMusica” të premten është kthyer prapa në kohë, në periudhën e Barokut me artistët Safet Berisha, Kaltrina Miftari, Shabi Behramaj, Donika Rushiti, Adorel Haxhiaj dhe Artemida Qarri-Haxhiaj, me koncertin tematik “Prishtina Baroque Night”, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje e cila solli një program të pasur, që i takon kësaj periudhe tashmë është bërë traditë e përvitshme e festivalit. Koncert solli vepra të kompozitorëve si Henry Purcell, Heinrich Schutz, Francesco Cavalli, George Frederic Handel, George Frideric Handel, Tomas Luis de Victoria, Grzegorz Gerëazy Gorczycki, John Farmer, John Stainer dhe Josquin des Prez.

E kësaj periudhe ka vite që i është dedikohen kontratenori, Safet Berisha, i cili pikërisht për shkak se e ka për zemër këtë stil mundohet që çdo vit në kuadër të festivalit të sjellë program të pasur dhe të ndryshëm nga ai i viteve të kaluara.

“Unë dhe Kaltrina ka vite që i dedikohemi këtij stili i cili i përket një periudhe të caktuar kohore. Unë edhe për shkak të zërit që e kam, jam i kufizuar, pra repertori të cilin unë e interpretoj është kryesisht i kësaj periudhë, me përjashtime edhe të disa kompozitorëve modern”, u shpreh ai për KultPlus.

Tutje ai tregoi sesi ky stil tani është rikthyer dhe interpretohet shumë në Perëndim dhe ky koncert është edhe një përpjekje për ta kthyer pikërisht këtë stil edhe në Prishtinë.

“Është një stil muzikë i cili dekadat e fundit në botë e ka pasur një rikthim mirëpo siç dihet të ne si Ballkan jemi pak më mbrapa. Tashmë veprat e barokut po risjellën dhe madje ato edhe po interpretohen me instrumentet autentike të asaj periudhë. Mirëpo ne me këto mundësit tona dhe së bashku me instrumentistët po mundohemi të ringjallim barokun edhe në Prishtinë duke bërë atë që po e bënë perëndimi sot. Është një muzikë atraktive, me harmoni dhe melodi të bukura”, tregoi ai.

Sopranoja Kaltrina Miftari tregoi për KultPlus se ajo dhe Safet Berisha ka një vit që punojnë për këtë program dhe sjellja e këtyre veprave nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Për këtë koncert, unë dhe Safeti, ka një vit që punojmë për përzgjedhjen dhe përpunimin e programit pasi që veprat ne muzikën e vjetër (renesanse&barok) shpesh nuk janë të shkruara në partiturë si tersi, dhe zakonisht kanë nevoje për përshtatje dhe lejnë hapësirë për improvizim nga interpretuesi. Me ansamblin kemi bërë rreth një muaj prova dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i mire si me ta, ashtu edhe me Festivalin ReMusica, festival ky i cili vazhdon ti ndjeke dhe është në hap me trendët botërore në muzikën artistike”, tha ajo.

Një problematikë të tillë, pra mënyrën e interpretimit të partiturës e hasin edhe instrumentistët shoqërues e të cilët këtë natë ishin pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj dhe violonçelisti Adorel Haxhiaj. Ashtu siç tregon edhe pianistja, një pjesë e madhe e asaj që dëgjohet është përshtatje apo improvizim nga vet instrumentisti, i cili në bazë të një vije të vetme melodike të dhëne nga kompozitori, duhet krijuar shoqërimin e mëtejshëm.

“Zgjedhja për të interpretuar muzike barokiene, do të thotë të kesh shije tejet të sofistikuar nga pikëpamja artistike muzikore, e kjo rrjedhimisht kërkon edhe një publik të sofistikuar që përjeton dhe shijon këtë lloj muzike. Muzika e barokut është njëlloj matematike e muzikës, e cila përveç tjerash kërkon jo vetëm energji por dhe koncentrim e memorie të fortë interpretuese, ndaj jo shume artistë zgjedhin ta performojnë atë”, tha ajo për KultPlus.

Sipas saj artistët duhet të kuptojnë edhe detyrimet e tyre si profesionistë muzikorë, e kjo nënkupton që herë pas here të sjellin në skenë epoka të ndryshme, për të qenë sa me pranë edhe brezat e rinj të cilët jodomosdoshmërish kanë pasur rastin të shijojnë edhe muzikën e bukur barokiene.

Nata përmbyllëse e edicionit të 17-të të Festivalit ReMusica ka ndodhur mbrëmë ku në kishën “Shën Ndou”, në Ulpianë ka performuar Kori i Filharmonisë së Kosovës në kuadër të festivalit./ KultPlus.com