Pas dy dekadash, bashkë me të pagjeturit, mungon edhe drejtësia

Uranik Emini

“Qe 23 vjet t’u pritë, 1620 persona të pagjetur”, është thirrja përmes të cilës organizata “Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut”, ka shënuar sot Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë me një aksion simbolik në sheshin e qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Formimi i numrit 1620 me lule të verdha nga qytetarët ishte qëllimi kryesor i kësaj proteste ose ndryshe edhe si një lloj thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që të bëjë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në shtetin më të ri të Evropës.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Marigona Shabiu, ka thënë para mediave se përmes kësaj proteste janë përpjekur të bëjnë presion ndaj Qeverisë së Kosovës që të shtojë intensitetin e punës në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve në Kosovë.

“Sot është Dita Kombëtare e Personave të Pagjetura dhe ne si organizatë çdo ditë e shënojmë këtë ditë si thirrje e jona për të bërë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për të shtuar intensitetin e punës së saj në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturëve në Kosovë. Aktualisht i kemi 1620 persona të cilët figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë nga të gjitha grupet etnike, e për ne kjo çështje është shumë shqetësuese”, ka thënë fillimisht ajo.

Tutje, Shabiu ka shtuar se edhe pas 23 viteve nga lufta, shoqëria kosovare po vazhdon të pres se çfarë ka ndodhur me këta persona.

Përveç të zhdukurve mungon edhe drejtësia

“Ne konsiderojmë se kjo çështje po shtyhet shumë, kjo çështje po politizohet shumë, si nga ana e Kosovës dhe asaj e Serbisë dhe kërkesa jonë kryesore është që kjo çështje të trajtohet me prioritet dhe të trajtohet si çështje humane. Pra, të zhvendoset nga fokusi politik dhe të mos përdoret si çështje politike për të fituar pikë politik nga të dyja palët, por të trajtohet si çështje humane dhe përfundimisht të gjithë këta persona që figurojnë si të zhdukur të dihet e vërteta se çka ka ndodhur me ta si dhe pastaj të vazhdohet më tutje në vendosjen e drejtësisë në krimet që janë bërë ndaj këtyre personave”.

Ky aksion është një nga aksionet e shumta të organizuara nga Nisma për të Rinjtë dhe të Drejtat e Njeriut dhe qëllimi i tyre parësor është t’u tregojë familjarëve që kanë humbur të dashurit se kjo çështje nuk është e izoluar brenda mureve familjare, por gjithnjë e më shumë kërkohet që e vërteta dhe drejtësia për këta persona të vihet në vend.

Lulet dhe ribonat e verdhë

“Vendosja e numrave 1620 me lule ngjyrë të vedhë ribonave, është simbolikë e çështjes së personave të pagjetur, ngjyra e verdhë simbolizon në nivel ndërkombëtarë çështjen e personave të pagjetur dhe ne kemi menduar që t’i përfshijmë qyetetarët në thirrjen e protestën tonë ndaj qeverisë në zbardhjen e personave të pagjetur”, ka thënë Shabiu.

Thirrja ndaj Qeverisë së Kosovës

“Është një aksion simbolik që tenton të përfshijë qytetarët, të punojnë në këtë çështje, por mbi të gjitha kjo është thirrje kryesore që i drejtohet Qeverisë së Kosovës për të bërë më shumë në këtë drejtim”, përfundoi ajo.

Gjatë viteve të fundit, në Kosovë janë zhvilluar disa gërmime për të gjetur mbetje mortore nga të zhdukurit e luftës së fundit, ndërkaq, në Rezallë të Skenderajt, më 9 tetor të vitit të kaluar janë rivarrosur mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99, mbetje të cilat u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Shërbimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për persona të zhdukur, që nga viti 1999 ka trajtuar çështjen e personave të zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë, dhe që nga viti 2003 ka ndihmuar Kosovën përmes identifikimit të bazuar në ADN, fillimisht në bashkëpunim me Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe që nga dhjetori 2008 në bashkëpunim me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Që nga viti 2001, KNPZH-ja ka ofruar gjithashtu asistencë teknike për Qeverinë e Serbisë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur nga konflikti i Kosovës. Deri më sot, ICMP-ja ka lëshuar raporte identifikimi të ADN-së për Serbinë, UNMIK-un dhe më vonë EULEX-in. /KultPlus.com