Qiriu i sjellë nga varri i Nënës Terezë në Kosovë, do të shtegtojë në vendin ku ajo fitoi thirrjen për tu bërë murgeshë

Me rastin e 90-vjetorit të nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës për Indi, Qiriu i sjellë nga varri i saj në Kalkuta nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovë, do të shtegtojë në Shenjtëroren e Letnicës, më 14 gusht 2018, në vendin ku Nënë Tereza e fitojë thirrën për t’u bërë murgeshë e pastaj edhe misionare në shërbim të të varfërve.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, pas shugurimit të Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë (më 5 shtator 2017), në nëntorin e kaluar pati shtegtuar te varri i Shën Nënë Terezës në Kalkuta për të falënderuar Zotin për dhuratën e Katedrales, që me ndërmjetësinë e saj u ngritë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Gjithashtu, nijeti i ipeshkvit ishte të lutej për të gjithë bamirësit që e kanë ndihmuar ndërtimin e kësaj shenjtërore, e në këtë mënyrë, të shpërblehen për sakrificën, përkrahjen dhe dashurinë e vazhdueshme që e kanë treguar gjatë dhjetë vjetëve të ndërtimit të saj.

Te varri i Shën Nënë Terezës në Kalkuta, ipeshkvi ynë ka ndezur një qiri dhe ka kremtuar meshën e shenjtë me argjipeshkvin e Kalkutës dhe me motrat e Nënë Terezës. Atë qiri – simbol i dritës së Nënë Terezës – ipeshkvi e ka sjellë me vete në Kosovë.

Në ndalesën e tij në Vatikan, në meshë me Papa Françeskun në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Ditën Botërore të të Varfërve, qiriu u bartë në procesion, bashkë me dhuratat eukaristike, që u bë simbol i dritës dhe dashurisë së Nënës për të varfëritë e gjithë botës.

Pas kthimit të tij në Kosovë, i njëjti qiri, më 26 nëntor 2017, në meshën e së dielës, është bartur në procesion te altari kryesor i Katedrales, dhe pas homelisë, ipeshkvi në procesion me meshtarë, ministrantë dhe fëmijë e ka vendosur te Relikti i Gjakut të Nënë Terezës, me flakën e të cilit është ndezur Qiriu i Nënë Terezës, i cili qëndron i ndezur pandërprerë dhe jep dritën e dashurisë së Nënës.

Që atëherë, besimtarë e njerëz vullnetmirë kanë mundur ta porositin Qiriun e Nënë Terezës për nijete të tyre personale, me anë të cilit nijetet e tyre bashkohen me lutjet e bashkësisë në Shenjtërore.

Më 14 gusht 2018, në Vigjiljen e Zojës së Letnicës, qiriu do të shtegtojë në Letnicë, i bartur nga Shenjtërorja Shën Nënë Tereza.

Shtegtimi i Qiriut do të bëhet në këtë mënyrë:

Nga Prishtina do të shkojë deri në Kishën e Zemrës së Krishtit në Viti, nga do të shtegtohet këmbë deri në Letnicë. Nisja bëhet në ora 13:30. Shtegtimit i prinë Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga meshtarë, rregulltarë e rregulltare dhe nga populli i Zotit. Gjatë shtegtimit Qiriu do të bartet i ndezur, fillimisht nga ipeshkvi e pastaj nga meshtarë dhe besimtarë të famullive, të cilët do të janë të pranishëm në shtegtim. Arritja në Letnicë parashikohet të jetë në ora 16:30-17:00, ku do të priten shtegtarët nga Rektori i Shenjtërores dhe të devotshmit e Zojës së Letnicës.

Qiriu do të vendoset fillimisht në Shenjtërore te altari i Zojës, e në ndërkohë do vendoset pranë figurës së Shën Nënë Terezës dhe reliktit të saj. Në këtë mënyrë, ky qiri do të mbetet gjithnjë i ndezur në këtë Shenjtërore, ku Gonxhe Bojaxhiu para 90 vjetëve e pati ndezur te kjo Zojë qiriun dhe në dritën e tij i lutej asaj ta ndihmojë të vendos t’ia kushtojë jetën Zotit si misionare në Indi.

Pas meshës së mbrëmjes (ora 19:00) Qiriu do të bartet në procesionin tradicional rreth objekteve të Shenjtërores së Letnicës e do të mund të nderohet nga të gjithë shtegtarët dhe devotshmit e Zojës së Letnicës dhe Shën Nënë Terezës.

Ju thërrasim të na bashkoheni në këtë shtegtim të rëndësishëm për të shënuar 90-vjetorin e nisjes së Nënë Terezës në Indi, që edhe ne të bëhemi sot shtegtarët e dritës dhe dashurisë së Zotit në vendin tonë./drita.info

Në vazhdim po sjellim pjesë nga libri në botim: Dodë Gjergji, Rrëfimi i një shtegtari. Një javë në Kalkuta, Drita 2018, i cili shpjegon domethënien, kuptimin dhe rëndësinë e shtegtimit të Dritës së Qiriut nga Letnica në Kalkuta dhe nga Kalkuta në Letnicë.

“E tërë jeta e Gonxhe Bojaxhiut është një ecje në dritën e Krishtit. Jeta dhe vepra e saj u bënë dritë e pranisë së Zotit në botë dhe zjarr i kësaj dashurie në mesin e njerëzve. Tërë jetën e saj mund ta lidhesh me dritën e një qiriu. Unë i lutem Zotit që Nënë Tereza të vazhdojë të jetë “dritë e pafikur” në zemrat e secilit prej nesh, në familjet tona, në Kishën tonë, në popullin e saj shqiptar dhe në gjithë botën.

Ndaj, në rrëfimin mbi shtegtimin tim në Kalkutë, po ju sjell edhe historikun e shtegtimit të kësaj drite nga Letnica në Kalkuta dhe nga atje te ne në Letnicë, më 14 gusht 2018.

Më 27 gusht të vitit 1910, në Katedralen e Zemrës së Krishtit në Shkup, Kolë dhe Drane Bojaxhiu mbanin para duarve një foshnjë të vogël, që një ditë më parë kishte dalë prej kraharorit të së ëmës. Aty i priste Don Zef Rama, për të pagëzuar Gonxhen e vogël të Bojaxhinjve, së cilës ia ngjitën emrin Agnezë. Në momentin e pagëzimit, në shpirtin e kësaj foshnje u ndez drita e fesë, që është Krishti. Për të simbolizuar këtë dritë, Don Zefi ndezi në qiriun e Pashkëve, një qiri të vogël prej dylli të bletëve dhe ua dha prindërve. Ai i porositi që ta mbanin të ndezur dritën e Krishtit që ai kishte ndezur në Zemrën e Gonxhes nëpërmjet pagëzimit, në mënyrë që të mos fiket nga furtunat e jetës.

Kola vdiq i ri (1919), por Nënë Dranja kujdesej që porosia e Don Zefit të shkonte në vend. Ajo angazhohej të mbante të ndezur dritën e fesë në zemrën e Gonxhes, duke e edukuar atë, me urti, bujari, ndershmëri dhe besim. Ajo kujdesej që të merrte përdore e ta çonte në Kishën e Zemrës së Krishtit, që të lutej nën dritën e qirinjve të lterit. Famullitari në çdo vigjilje të Pashkëve, duke ngritur dritën e qiriut, ia kujtonte asaj që Krishti është drita e botës dhe se në pagëzim, ajo e kishte marrë këtë dritë brenda zemrës së vet. Gonxhja duke e vështruar dritën e qiriut, për ditë e më shumë, arriti ta shihte Krishtin e pranishëm në jetën e saj. Kur u rrit ajo shtegtonte nga Shkupi në Letnicë, te shenjtërorja e Zojës së Bekuar.

Atje, Nënë Dranja ia jepte një qiri me dyllë blete, që ta ndezte në qiriun e lterit të kësaj shenjtoreje. Nën dritën e qiriut dhe asaj drite që Don Zefi kishte ndezur në zemrën e saj të pafajshme, arrinte të depërtonte në brendinë e asaj dhe të shihte se si Krishti, që në pagëzim e deri atëherë, vazhdonte ta ndizte flakë dashurinë e Tij brenda zemrës së saj. Çdo 14-15 gusht, vit pas viti, drita e qiriut dhe shkëlqimi i brendshëm i dritës së fesë, përpiqeshin në uratën e saj dhe e bënin gjithnjë e më të qartë kërkesën e zjarrit të dashurisë, që ndizej në zemrën Gonxhes.

Rrezet e para të shkëlqimit të kësaj drite krijonin një përsiatje të brendshme, që ajo fillonte të kuptonte si kërkesë e Dritës – Krishtit. Eja pas meje!

Në vigjiljen e festës së Zojës Madhe[1], më 14 gusht të vitit 1928, nën dritën e qiriut, ajo përfundimisht pa rrugën e vet drejt të varfërve të Indisë. Kurse, me dritën e fesë zjarri i dashurisë që tash ishte ndezur flakë, kuptoi që Krishti-Drita e botës, po e ftonte që ta çonte zjarrin e dashurisë së Tij te të varfrit e Indisë. Ajo nuk mundi t’i rezistonte më shkëlqimit të kësaj drite, dhe tha: “Po dua! Do të vij pas teje!”

Me entuziazmin e kësaj dashurie dhe duke ndjekur rrezet e kësaj drite, Gonxhja, më 6 janar 1929, arriti në Kalkuta si motër murgeshë (e motrave të Loretos). Me shkëlqimin e dritës së fesë personale dhe me dritën e arsyes së një intelektualeje, me anë të uratës pranë qirinjve të ndezur në kishëzën (kapelën) e Motrave të Loretos, ajo shihte se si zjarri i dashurisë për Krishtin, sa rritej e shtohej. Një ditë, teksa po shkonte në ushtrime të shpirtit, ku kishte mundësi të reflektonte mbi fuqinë e brendshme të dritës, gjatë udhëtimit me tren, para syve të saj, shpërtheu DRITA e qiriut të bletëve, që mbante në dorë në Letnicë dhe flaka e dashurisë së zjarrit brenda saj. Aty në vegim pa Krishtin – Dritën e botës, i cili po i thoshte: “Vogëlushja ime, të kam zgjedhë dhe të kam përgatitë për vete: Eja, bëhu drita ime. Tani, ti do të jesh dritë.”

Që nga ky moment, ajo pranoi që të jetë DRITA e Krishtit, të shkojë rrugëve të Kalkutës dhe ta ndezë flakë këtë dashuri për të mjerët, të varfërit dhe të braktisurit në zemrat e njerëzve të botës. Nga kjo ditë e deri në vdekje, ajo u bë dritë e dashurisë në zemrat e njerëzve, kurse pas kalimit në amshim, si shenjtëreshë, rrezaton të njëjtën dritë prej qiellit. Nën shkëlqimin e dritës së dashurisë që ajo rrezatoi në mesin e njerëzve, të varfërit panë Zotin që i do, të pasurit arritën të shihnin vlerën e pasurisë së tyre, nëpërmjet gëzimit të bamirësisë, të dijshmit dhe të pushtetshmit e botës, në veprën e saj shihnin dorën e Zotit, kurse brenda Kishës, ajo u bë yll i bamirësisë, zjarr i dashurisë dhe dritë feje e shprese për çdokënd.

Pasi kaloi në amshim, vepra dhe ndërmjetësitë e saj në lutjet e njerëzve, filluan të shihen rrezet e para të ndërmjetësisë së saj nga qielli. Këndej, shumë njerëz, anembanë botës, filluan t’i luten asaj për ndërmjetësim.

Varri i saj në Kalkuta vazhdoi të jetë prania së saj në mesin e të varfërve. Njerëz nga vendet e ndryshme të botës, vazhdojnë të shtegtojnë te varri dhe atje ia ndezin një qiri shpirtit të saj, me shpresën që nën dritën e atij qiriu, do të shohin dritën e fesë që ajo kishte dhe zjarrin e dashurisë që ajo mbartte brenda zemrës së vet. Me të njëjtin nijet, shtegtova edhe unë, u përkula para varrit të saj, ndeza qiriun dhe iu luta që të ndezë të njëjtën dritë shprese, dashurie dhe paqeje në popullin tim.

Të njëjtin qiri e mora me vete për ta sjellë në Shenjtëroren që ia kushtuam asaj muaj më parë në Prishtinë. Në të vërtetë, nuk ishte qëllimi i qiriut, por i dritës së tij, pasi doja që me dritën e këtij qiriu, të ndiznim qiriun tonë Shenjtëroren e Prishtinës. Në kthim nga Kalkuta, u ndala në Romë, dhe qiriun e ndezëm në meshë me Papa Françesku, në ditën botërore të të varfërve. Prej Vatikanit, këtë qiri e solla në Shenjtëroren tonë në Prishtinë, ku të dielën, më 26 nëntor, ndezëm qiriun e Nënë Terezës, pranë reliktit së gjakut të saj.

Kështu, kjo dritë nuk do të fiket kurrë brenda kësaj Kishe. Gjaku i gjakut tonë dhe drita e fesë së Nënë Terezës do të jenë të pranishme gjithmonë ndër ne. Secili njeri vullnetmirë, i cili dëshiron të ndezë në zemrën e vet një rreze shprese, këtë dritë feje ose këtë zjarr dashurie, do të mund të bëjë këtë gjë duke ndezur qiriun e vet. Nën dritën e këtij qiriu, çdonjëri do të mund t’i lutet asaj, që Zoti të ndezë në zemrën e tij/saj, atë dashuri feje që ndezi në Gonxhen e Bojaxhinjve, në mënyrë që të arrijë të bëhet një Nënë Tereze për familjen e vet dhe për njerëzit që e rrethojnë.
Kjo dritë, më 14 gusht të vitit 2018, në 90-vjetorin e nisjes së saj për Indi, do ta rikthejmë në Letnicë, nga edhe është nisur. Në këtë ditë, çdo besimtar do të ketë mundësinë, që në dritën e këtij qiriut të ndezë qiriun e vet dhe me ndërmjetësinë e Marisë Virgjër e Shën Nënë Terezës, do të mund t’ia kushtojë familjen e vet Zotit tonë, Jezu Krishtit.”

Pesë vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë

Nga Don Lush Gjergji

Akoma sot ka njerëz ndër ne që dyshojnë për vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë. Javët e fundit është rizgjuar “kërshëria” e disa medieve që duan të “vërtetojnë” me fakte vizitat në fjalë, përkundër publikimeve të herëpashershme në media të shkruara dhe libra. Për lexuesit e Dritës, Mons. Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës, na i risjell edhe njëherë faktet me fotografi të vizitave të Nënë Terezës në Kosovë.

Shën Tereza jonë ishte pesë herë në Kosovë:

1. Vizita e parë e Nënë Terezës ishte më 9-12 korrik 1970. Gjatë kësaj vizite ka qenë në këto vende: Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

Ndër personalitete të atëhershme kishtare ka takuar: Imzot Joakim Herbut, ipeshkëv, Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, e shoqëruar nga Mons. Nikollë Mini, famullitari i atëhershëm i Przrenit dhe kushëriri i saj. (Rreth kësaj vizite më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, DRITA, 1990, botimi i dytë, f. 233-235).

Mons. Nikollë Mini gjatë intervistës me Nënën Tereze (Prizren, 12 korrik 1970)

2. Hera e dytë ishte 28-30 mars 1978 vizitoi: Shkupin, Ferizajin, Prizrenin, Letnicën dhe pati shumë takime edhe me popull:

Mesha me popull dhe kler në barakën në “Bitpazar” në Shkup; fjalët përshëndetëse të Imzot Joakim Herbut dhe Imzot Nikë Prela; Fjala e Nënës Tereze; Biseda e Nënës Tereze me televizionin e Shkupit; Përshtypjet pas takimit me Nënën Tereze. (Më gjerësisht lexo, Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 235-249).

Nëna Tereze në kapelë në “Bitpazar” (Shkup, 28 mars 1978).

3. Hera e tretë ishte 26 – 29 qershor 1980: Shpallet “Qytetare e Nderit” të Shkupit dhe pati shumë takime publike:

Me kryetarin e Shkupit, Metodi Antonov; nënkryetarin e KE të RSM-së Vasil Tugjarov; vizitoi varrin e babait të saj Kolë Bojaxhiut; jetimoren e Shkupit; takimin me gazetarë.

Me 27 korrik 1980 ishte në Binçë:

Mesha me popull, me fjalën e rastit të Imzot Joakim Herbut, Imzot Nikë Prela; dhe fjala e Nënës Tereze; Vizita e Nënës Tereze në Letnicë;

Më 28 korrik 1980 Nëna Tereze në Prishtinë: takimi në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës me kryetarin Bahri Oruçi, nënkryetarin Pajazit Nushi dhe bashkëpunëtorët.

Më 29 korrik 1980 largimi i saj nga Kosova, Prishtina. (Më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 249-279).

Intervista e Avni Spahiut me Nënë Tereze (Prishtinë, 26. 06. 1980).

Nëna Tereze me Bahri Oruçin (Prishtinë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze me murgesha dhe meshtarë (Shkup, 27. 06. 1980).

4. Hera e katër ishte në Kosovë 22-23 tetor 1982, me vizitë në Shkup, Letnicë, Ferizaj, Prizren, Zllokuqan dhe Pejë.

Gjatë kësaj vizite Nëna Tereze e hapi kuvendin e “Misionareve të Dashurisë”, me ftesë të famullitarit të atëhershëm, të ndjerit Dr. Don Gjergj Gjergji.

Nëna Tereze në kishën “Shën Katarina” (Pejë, 22 tetor 1982).

Nënë Tereza me Imzot Nikë Prela, meshtarë dhe motra të Kosovës (Pjeë, 22 tetor 1982).

5. Hera e pestë gjatë qëndrimit të saj në Zagreb 17-19 korrik 1986, ishte në vizitë private motrave të saja në Pejë dhe në disa vende tjera (18. 07. 1986).

Me atë rast i dhurova Nënës Tereze monografinë “Lule për Nënën” dhe pata një intervistë me të për revistën tonë “DRITA”. (Intervista dhe fotografitë janë botuar tek Revista “DRITA”, nr. 7-10, 1986, f. 8-9).

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986)