Nesrete Kumnova i bashkohet protestës së Rogovës për shkarkimin e Driton Selmanajt

Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, edhe sot do të vazhdojë protestën për të kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij lidhur me çështjen e të pagjeturve.

Rogova, për të pestën ditë me radhë, duke filluar nga ora 12:00 do të qëndrojë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në sheshin “Skëndërbeu” të Prishtinës.

Mirëpo, kësaj radhe pankartën “Selmanaj ik” do ta mbajë në duar edhe Nesrete Kumnova, Kyetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Në fillim ato do të mbajnë 30 minuta heshtje, pastaj në ora 12:30 do të prononcohen për media.

Kumnova, e cila tashmë për dy dekada thërret për drejtësi për të pagjeturit, do të bashkëngjitet si përkrahje për thirrjen e RrGK-së dhe të qytetarëve që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt.

“Në letrën që RrGK i ka dërguar kryeministrit Avdullah Hoti më 23 nëntor, kemi përmendur gjerësisht çdo arsye pse deklarimi i Selmanajt është fyerje për qytetarët dhe interesin e tyre”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

“Sot, prania e Kumnovës bart simbolikën e zërit të çdo familjeje të mbi një mijë e 600 personave që ende janë të pagjetur që nga lufta në Kosovë. Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe sot kjo protestë do të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat për luftimin e pandemisë COVID-19″, thuhet në fund të komunikatës. / KultPlus.com

Fjalët e Nesrete Kumnovës për të birin: Më kanë mbuluar rrudhat e jetës, por s’jam lodhur së kërkuari zbardhjen e fatit tënd


Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, Nesrete Kumnova, ka kujtuar 20 vjetorin e vrasjes së djalit të saj Albionit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kumnova shkruan: “Biri im i dashur, mbi dy dekada të kam kërkuar rrugëve të vendlindjes sate, Gjakovës dhe Kosovës, që u çlirua me gjakun tënd dhe të gjithë të rënëve, por askund nuk të gjeta!

Nuk arrita të gjej asnjë shenjë që të çmallem me ty, të flas me ty! Me kënd të flet nëna, që për dy dekada më kanë mbuluar rrudhat e jetës por asnjëherë nuk jam lodhur e as nuk kam ndaluar së kërkuari zbardhjen e fatit tënd, bir!”

Përpos të birit, në shtëpinë e familjes Kumnova u rrëmbyen edhe nipi i Nesretes, Artan Efendija, dhëndri Gëzim Deva, fqinjët Lutfi e Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi.

Postimi i plotë:

Sot është 31 marsi, biri im Albion, dita kur shënon njëzetë e një vjetorin e kobshëm, të rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes tënde nga duart kriminale të policisë serbe.
Biri ynë, Albion, në shtëpinë tonë ku ndodheshin të strehuar, bashkë me ty, u rrëmbyen, vranë dhe zhdukën, nga policia serbe edhe nipi im Artan Efendija, dhëndri Gëzim Deva, fqinjët, Lutfi e Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi!
Biri im i dashur, mbi dy dekada të kam kërkuar rrugëve të vendlindjes sate, Gjakovës dhe Kosovës, që u çlirua me gjakun tënd dhe të gjithë të rënëve, por askund nuk të gjeta!
Nuk arrita të gjej asnjë shenjë që të çmallem me ty, të flas me ty! Me kënd të flet nëna, që për dy dekada më kanë mbuluar rrudhat e jetës por asnjëherë nuk jam lodhur e as nuk kam ndaluar së kërkuari zbardhjen e fatit tënd, bir!
Dhe sot, 21 vjet më pas, sërish nuk mund të dalim as tek pragu i derës, nga një tjetër armik i padukshëm që sërish na mbylli në shtëpitë tona e që po merr jetë të pafajshme në mbarë globin!
Mbase shpresonim se më në fund do të përfundoj çështja e zbardhjes së fatit tënd por nga ky armik I padukshëm, mbase u ndal edhe procesi i kërkimit të fatit tënd dhe të gjithë atyre që rezultojnë të zhdukur!
Sot e çdo ditë më shumë, jam e zhgënjyer nga të gjithë ata që janë përgjegjës dhe nuk u angazhuan mjaftueshëm sa për të na qetësuar zemrat tona të plagosura, të sjellin më në fund trupin tënd dhe të të vizitoj tek varri yt i cili të pret vite me radhë!
Nuk e kuptoj si mund të vazhdoj jetën pa ty, pa asnjë gjurmë, por ja që nënën e mban krenaria për qenien tënde, për gëzimet që na i dhurove, për sukseset sa ishe në jetë!
Biri im, Albion, vetëm krenaria që të patëm dhe që u flijove për lirinë e Kosovës, e mund dhembjen tonë të madhe!
Albion, biri im, sot nëna nuk mund të dalë as në qendër të qytetit dhe të protestoj, të flas botërisht për dhembjen dhe pikëllimin, pritjet dhe zhgënjimin!
Atdheut ia fale jetën, atdheu të pret të prehesh i qetë në tokën e lirë! / KultPlus.com