Vashat nguten me u bo gra

Nga Arben Prendi.

Taka të nalta,
të holla, thikë,
plagosin trotuarin,
kalimtarët kthejnë kryet me pa,
asgja, asgja, mos u ligshtoni.
Vashat nguten me u bâ gra!

Vashat nguten me u bâ gra,
kozmetikë, inxhina,
gjinj ftojakë kërcnueshëm nën bluza,
sjellje perfekte për robnuese zemrash,
të paprekshme prej lutjes…
E natyrshme apo e panatyrshme kjo ngutje?!
Hë, pra,
nuk e di pse,
vashat e vogla nguten me u bâ gra?!

Përqark bubullojnë hapat, parfumet dhe qeshjet e tyne,
hapa, parfume dhe qeshje tipike për gra,
kofshë poroze, trupa sfungjer, krahë si flugerë ernash,
që rrotullohen pa prâ.

Vashat nguten me u bâ gra!
Trillojnë rrena të vogla për bredhjet e tyne,
sepse i kanë braktisë para kohe lojnat e moshës,
përrallat e tregimet me kukulla mistrece,
mace bishtdredhme,
xixëlloja e Liza në botën e çudinave,
kunorat me lulet e vockla të qershive,
në një stinë që dy herë nuk përsëritet.

Kot nguten,
e pamëshirshme âsht koha.
Ah, sa kanë me u pendue!
Ah, sa kanë me u pendue!/ KultPlus.com