“The Chicago Tribune” ka botuar, të enjten e 23 shkurtit 1922, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me telegramin e veçantë që Woodrow Wilson i ka dërguar asokohe Ambrose Kelly-t, botuesit të vetëm të një gazete amerikanë në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Wilson vlerëson Shqipërinë
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ambrose Kelly nga Mechanicsville, N.Y., i cili gëzon dallimin si botuesi i vetëm i një gazete amerikane në Shqipëri dhe një nga gazetat e pakta të çdo lloji në atë vend, sapo ka marrë një telegram nga Woodrow Wilson, duke i uruar mbarësi në botimin e tij.
Gazeta, e përjavshme, i kushtohet punës së Kryqit të Kuq të të Rinjve në Shqipëri dhe botohet në shtypshkronjën e qendrës së trajnimit manual për fëmijët shqiptarë nga organizata amerikane e fëmijëve. Ajo mban emrin “Yuniatieta – Tungjatjeta”, që në shqip do të thotë “How do you do – Si je”.
“Interesimi im dhe simpatitë e mia kanë qenë thellësisht të angazhuar në fatet politike të Shqipërisë dhe asgjë nuk do të më ofronte kënaqësi më të madhe sesa t’u bëja atyre një shërbim shtesë nëse do të kisha fatin të kem këtë mundësi në të ardhmen.”
Në kabllogramin e z. Wilson nuk mungojnë gjithashtu përshëndetjet për punonjësit e Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri./KultPlus.com
“La Revue Diplomatique” ka botuar, të shtunën e 1 janarit 1927, në faqen n°7, intervistën me Iliaz bej Vrionin në Paris mbi interpretimet asokohe në qarkullim të traktatit italo-shqiptar, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Traktati i Tiranës
Deklarata të z. Ministër të Shqipërisë në Paris
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Firmosja e Konventës së Tiranës mes Shqipërisë dhe qeverisë italiane ka ngjallur kudo njëfarë emocioni.Disa shohin vënien nën kthetra të Republikës së vogël Ballkanike nga Italia.Disa njerëz që pretendojnë se janë të informuar mirë kanë arritur deri aty sa kanë folur për një protektorat italian mbi Shqipërinë.
Një gazetë amerikane i ka përmbledhur këto thashetheme në një seri artikujsh, të cilët “Le Matin” i ka përmbledhur për t’i përdorur për lexuesit francezë.Sipas autorit, marrëveshjet më të errëta i paraprinë nënshkrimit të konventës;presidenti i Republikës së Shqipërisë, vetë Shkëlqesia e Tij Ahmet Bej Zogu, nuk kursehet nga mendjemprehtësia e tij, më i etur për informacione të bujshme sesa për dokumente autentike.
Edhe pse të gjithë e kuptuan menjëherë pabesueshmërinë e këtyre historive, njëfarë shqetësimi megjithatë vazhdon në mendje të ndryshme.Dorëheqja e ministrit serb të Punëve të Jashtme, megjithatë, sugjeron se fqinji jugosllav, së paku, do të ishte mjaft i gatshëm të dyshonte për pafajësinë e qëllimeve të zotit Musolini. Në këto kushte, çfarë mund të konkludojmë ?
Për të informuar lexuesit tanë, menduam se do të ishte mirë të pyesnim përfaqësuesin e Republikës Shqiptare në Paris për mendimin e tij të zyrtar mbi interpretimet që qarkullojnë mbi Traktatin e Tiranës.Shkëlqesia e tij, Iliaz Vrioni na priti menjëherë në legatë në rrugën de la Pompe me mirësjelljen e zakonshme dhe atë humor lozonjar që josh menjëherë bashkëbiseduesin.Dhe këtu është pothuajse saktësisht përshkrimi i dialogut që u zhvillua :
— Shkëlqesi, është folur shumë për Traktatin e Tiranës.Supozimet më të jashtëzakonshme, siç e dini, kanë gjetur veshë të gatshëm.Çfarë nuk tha Le Matin?Lexuesit tanë do të ishin të lumtur të mësonin nga goja juaj zyrtare se çfarë përfundimi mund të nxirret nga gjithë kjo zhurmë.
— Epo, asnjë. Dhe, me një buzëqeshje të vetëdijshme, Shkëlqesia e Tij Vrioni shton :Ju kujtohet ky film që disa vite më parë bëri bujë në të gjithë Nju Jorkun dhe në të gjithë Parisin.Quhej, nëse më kujtohet mirë, Misteret e Nju Jorkut.Në të vërtetë, besoj se është një vazhdim i paprecedentë i këtij filmi që gazeta amerikane dhe Le Matin donin të na jepnin.Nuk ka asnjë fjalë, as hijen e një fjale, të vërtetë në gjithë këto thashetheme.Traktati i Tiranës nuk është gjë tjetër veçse një konventë e thjeshtë miqësie, ashtu si shumë prej tyre janë nënshkruar prej disa kohësh.Ajo vjen nga fryma e Lokarnos.Ne jemi një popull i vogël paqësor, por xhelozë për pavarësinë tonë.Nuk do të pranojmë kurrë të tjetërsojmë pjesën më të vogël të saj.Për më tepër, Traktati i Tiranës është i pari i një serie. Jemi shumë pranë nënshkrimit të konventave të ngjashme me të gjithë ata fqinjë tanë që janë të gatshëm ta bëjnë këtë.
— A është e vërtetë që Anglia fillimisht kishte një pikëpamje shumë të zbehtë për negociatat në zhvillim dhe se vetëm pas intervistës në Livorno ajo dha pëlqimin e saj për bisedimet ?
— Prapë imagjinatë. Në kohën e nënshkrimit të traktatit kam qenë pikërisht në atdheun tim. Ju siguroj se as pas dhe as para Livornos Anglia nuk shfaqi ankthin më të vogël për negociatat tona me Italinë. Me siguri do ta kisha ditur pasi jam akredituar në Londër në të njëjtën kohë si në Paris.
Përveç kësaj, vërtet nuk e kuptoj pse Anglia do të fyhej nga qëllimet tona. A nuk është Traktati i Tiranës një vazhdim logjik i politikës së Lokarnos dhe Thoiry-t? Si mund të fyhen z. Chamberlain dhe z. Briand kur na shohin ne praktikojmë këtë politikë të gjerë paqeje, interpretuesit e shquar të së cilës ata janë ?
— Megjithatë, fqinjët tuaj jugosllavë duket se janë shumë të shqetësuar për marrëveshjen tuaj me Italinë. Ata shohin ndikimin e Italisë mbi Shqipërinë. A nuk kanë druajtjet e tyre njëfarë pamjeje të besueshme, të paktën nga pikëpamja ekonomike ?
— Ju siguroj se asgjë, absolutisht asgjë nuk i justifikon këto druajtje, ne jemi të gatshëm të lidhim me fqinjët tanë jugosllavë një marrëveshje të ngjashme me atë të Tiranës.Vendi ynë ka shumë pasuri të pashfrytëzuara.Për t’i zhvilluar ato duhet t’i drejtohemi mbështetjes dhe mbi të gjitha kapitalit të huaj.Nuk është faji ynë që Italia na ofron kushtet më të mira.Ne gjithmonë shkojmë drejt interesit tonë.Kush mund të na fajësojë, me të drejtë?Nuk përjashtojmë askënd.Jugosllavia gjithashtu ka marrë koncesione, miniera bakri.
— A nuk u keni bërë apel eskpertëve të huaj ?
— Në një mënyrë metodike, jo. Por ne kemi disa oficerë të xhandarmërisë angleze dhe veçanërisht mësues francezë që kanë organizuar dy shkolla të mesme, njëra në Korçë dhe tjetra në Gjirokastër. Këto institucione funksionojnë shumë mirë dhe ju tregojnë se sa rëndësi i kushtojmë përhapjes së ndikimit intelektual të Francës mes nesh.
— Një pyetje të fundit, zoti ministër. Janë përhapur edhe thashethemet për një rikthim monarkik të afërt në Shqipëri. Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij Ahmed Bej Zogu, i është besuar synimi për ta shpallur veten Mbret të Shqipërisë. Çfarë mendoni për këtë zhurmë ?
— Është një zhurmë krejtësisht absurde. Mund t’i jepni asaj mohimin më formal dhe të plotë.
— Dhe e njëjta gjë, pa dyshim, me projektin e martesës italiane ?
— Pa asnjë dyshim. Ka njerëz, mes atyre që janë të interesuar për ne, që kanë vërtet shumë imagjinatë.
Dhe intervista përfundon me këto fjalë të fundit, të thëna nga Shkëlqesia e Tij Iliaz Vrioni me një buzëqeshje të imët ironike./ KultPlus.com
“Combat” ka botuar, të mërkurën e 9 shtatorit 1964, në faqen n°4, intervistën ekskluzive të Pierre Paraf (shkrimtar dhe gazetar francez) zhvilluar asokohe me Gogo Kosmën (zëvendësministër i Tregtisë së Shqipërisë), të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
VII. Me Z. Gogo KOSMA, Zëvendësministër i Tregtisë
Nga Pierre Paraf
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Z. Gogo Kosma, zv.ministër i Tregtisë i Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili kishte në krah z.Theodor Fundo, Drejtor i Përgjithshëm i Eksporteve, më shpjegoi me dashamirësi, për të mirën e lexuesve të Combat, linjën e përgjithshme të tregtisë së jashtme e vendit të tij.
“Shqipëria, më tha ai, dëshiron të zhvillojë tregtinë e saj me të gjitha vendet, pavarësisht ndryshimit në regjimet politike, sepse është në interes të ekonomisë sonë,sepse kjo paqe përmes tregtisë, ashtu si paqja përmes kulturës, përbën një nga fazat e mirëkuptimit më të gjerë e më të thellë midis popujve.
Ajo ka shumë produkte eksporti dhe ka nevojë për të importuar pajisje për të përshpejtuar industrializimin e saj.
Ky bitum për të cilin ka folur Herodoti
Në fushën e mineraleve kemi krom, bitum natyral. (Ky bitum, për të cilin tashmë fliste Herodoti, i cili në mbrëmje hidhte flakë rrugëve dhe kalonte për të stimuluar barkun e grave që nguronin të lindnin.)
Nëntoka jonë përmban gjithashtu ferronikel, bakër, naftë bruto dhe nënprodukte të saj.
Grupi ynë i dytë i produkteve të eksportueshme vjen nga bujqësia jonë. Duhani, frutat, perimet e konservuara.
Ne gjithashtu mund të dërgojmë jashtë vendit leshin dhe lëkurat, drurin dhe nënproduktet e drurit (parket, kompensatë…),artikuj artizanalë si qilima dhe objekte argjendi të gdhendura, pije, duke përfshirë rakinë dhe ekstrakte të bimëve mjekësore.
Nga ana e saj, Shqipërisë ka nevojë të importojë letra të të gjitha llojeve, produkte kimike për prodhimin e ilaçeve, produkte të petëzuara (të mbështjellura), kamionë dhe të gjitha llojet e pajisjeve industriale.
Aktualisht, klienti më i madh i Shqipërisë është Kina. Por ne vazhdojmë të tregtojmë me vendet socialiste : Poloninë, Çekosllovakinë, Bullgarinë, Rumaninë (me përjashtim të Bashkimit Sovjetik). Kuba, e cila na dërgon sheqer, së bashku me Italinë, Austrinë, Finlandën, si dhe me Marokun, Algjerinë, Malin, Ganën, Irakun dhe Republikën e Bashkuar Arabe.
Për sa i përket Anglisë, si Gjermania Federale, tregtia jonë është e kufizuar në shkëmbimet ndërmjet firmave private. Bisedimet janë duke u zhvilluar me Danimarkën për t’i furnizuar asaj doreza lëkure nga bagëtia e imët.
Sa i përket Francës, marrëdhëniet tona tregtare janë vetëm në vitin e dytë. Pra, ky është vetëm një fillim. Por, deri më tani, për gjysmën e parë të vitit, shifra e eksporteve në Francë është e rendit të një milion e gjysmë dollarësh (7 milion e gjysmë franga) dhe parashikojmë një rritje të konsiderueshme për muajt në vazhdim dhe veçanërisht për vitet e ardhshme.
Shqipëria dhe Franca janë të bashkuara nga një “traktat” i tregtisë dhe lundrimit dhe një traktat tregtar. Ne kemi eksportuar veçanërisht bitum (bitumi shqiptar ka mbuluar trotuaret e bulevardeve të Parisit) dhe duhan (për 1100 ton); shalqinj, lesh dhe lëkura. Në Francë, blemë karton për paketimin e letrës së cigareve, hekur të bardhë (llamarina) për fuçitë e bitumit dhe, së fundmi, 60 kamionë Renault, ku një anije e flotës sonë shkoi për t’i marrë në Le Havre.”
Zëvendësministri i Tregtisë, në përfundim të kësaj interviste, shprehu shpresën që këto shkëmbime të zhvillohen për shumë materiale të pajisjeve industriale. Z. Gogo Kosma synon të punojë efektivisht në fushën e tij për të forcuar marrëdhëniet që duhet ta bashkojnë më ngushtë Shqipërinë me Francën./ KultPlus.com
“La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 13 janarit 1821, në faqen n°4, shkresën e Ali Pashë Tepelenës drejtuar asokohe mbretit të Anglisë bashkë me një portret të tijin, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Portreti i Ali Pashës
Përshkruar nga ai vetë, përkthyer nga greqishtja moderne.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Rreth një vit më parë, Aliu i famshëm bëri (ka urdhëruar t’i pikturojnë) portretin e tij, të cilin thuhet se do t’ia dhuronte mbretit të Anglisë (mund të bëhet fjalë për mbretin George IV, i ngjitur në fron më 29 janar 1820, pas vdekjes së babait të tij, mbretit George III). Ai paraqitet në të duke mbajtur në dorë një letër në të cilën kishte shkruar në greqishten e re një shkresë të vogël, të cilën ia diktoi njërit prej sekretarëve të tij, dhe e cila është pikturuar (shkruar) me shumë vërtetësi, në një stil të përmbledhur, të qartë dhe origjinal. Ja përkthimi i kësaj shkrese vërtet kurioze :
“Unë kam lindur në një tokë të Shqipërisë, e quajtur Tepelenë, nga prindër fisnikë, djalë Pashai. Babai im, si dhe paraardhësit e mi, i shërbenin rajonit, duke ndihmuar banorët e tij. Me vdekjen e babait tim, unë mbeta vetëm në moshën gjashtë vjeçare.
Atëherë miqtë dhe armiqtë, dhe të gjithë ata që kishin marrë favore nga babai im, u kthyen kundër meje si luanë të furishëm për të më prerë fytin.Por i Plotfuqishmi që kishte vendosur tashmë që unë të jetoja gjatë dhe të ngrihesha në një gradë të lavdishme, më hoqi nga dhëmbët e tyre dhe më ruajti nga çdo e keqe.Ai jo vetëm që më dha hua krahun e tij të fuqishëm, por gjithashtu më mundësoi të shkatërroja disa nga armiqtë e mi me luftë, ose t’i largoja ata.Kështu, me vullnetin e Zotit, kam fituar aq shumë lavdi, saqë sovrani im më ka mbuluar me nderime, me pasuri dhe kam grumbulluar thesare të pashtershme.
Pasi u ngjita në majën e madhështisë dhe të pasurisë, shfarosa të gjithë armiqtë e mi, disa i përmbysa duke i ndjekur me hekur e zjarr, të tjerët i ktheva në skllavëri, nënshtrova gjithë Shqipërinë, nënshtrova disa rajone, pushtova, asgjësova të poshtërit dhe vrasësit;I kam nderuar të drejtit; I rrita të vegjlit; I kam pasuruar të varfërit dhe kam përulur krenarët (mëndjemëdhenjtë).
E megjithatë, megjithëse isha bërë jashtëzakonisht i pasur dhe i lavdishëm, nuk u kënaqa kurrë; etja ime për ar dhe lavdi ishte e pashuar.
Erdha, pashë dhe kalova. Ika dhe humba pasurinë dhe lavdinë, e kuptova qartë se çdo gjë këtu poshtë është e zbrazët dhe se gjithçka në këtë botë është vetëm kotësi.”
“Giornale di Udine” ka botuar, të premten e 4 nëntorit 1927, në ballinë, një shkrim një lidhje me konfliktin asokohe të Federatës panshqiptare “Vatra” me federatën imagjinare “Bijt e Shqipërisë”, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Protestat e një shoqërie të paqartë shqiptare
Burimi : Giornale di Udine, e premte, 4 nëntor 1927, ballinë
Romë, 3 nëntor.
Kryetari i Federatës Shqiptare Vatra, e cila është shoqata e madhe e emigrantëve shqiptarë në Amerikë dhe që ushtron një ndikim të konsiderueshëm ekonomik dhe politik në Shqipëri, ia komunikoi Shkëlqesisë së Tij Kreut të Qeverisë, tekstin e telegramit të mëposhtëm drejtuar Lidhjes së Kombeve nga Vatra :
“Disa muaj më parë një grup armiqsh të qeverisë shqiptare që jetonin në Boston krijuan një Federatë imagjinare shqiptare të quajtur “Bijt e Shqipërisë”, me idenë për të gjeneruar konfuzion me Federatën Shqiptare Vatra.Kjo Federatë e re imagjinare vazhdon të dërgojë herë pas here protesta në Lidhjen e Kombeve, të shkruara në një anglishte të dobët.Kjo ka ndodhur sërish këtë javë, me dërgimin tek Lidhja të një proteste kundër Paktit të Tiranës.Ju lutemi vini re se Federata Shqiptare Vatra, një institucion i vjetër dhe një zëdhënës serioz i shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, nuk ka asnjë lidhje me protesta të tilla;ajo në çfarëdo mënyre dëmton pavarësinë e saj.—Me respekt, firmos : AQILE TASI, Kryetar i Vatrës.”
“Istanbul” ka botuar, të shtunën e 17 qershorit 1939, në ballinë, një shkrim në lidhje me mbërritjen e princit Xhelal Zogu dhe suitës së tij në Stamboll, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbërritja e vëllait të ish-mbretit Zog
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Princi Xhelal Zogu, vëllai i Mbretit Zog të Shqipërisë, mbërriti dje nga Jugosllavia me familjen e tij dhe njëzet e tetë anëtarë të suitës së tij.
Ata ndodhen në hotelin Euzipek. Princi shoqërohet edhe nga Murat Galoshi, i cili luftoi gjatë pushtimit të Shqipërisë kundër italianëve në krye të milicive vullnetare, të Muhtar Galoshit, vëllait të tij dhe djalit të tij, Ramadanit. Me të njëjtin tren mbërriti edhe koloneli Hysen Selmani, ndihmësi i mbretit, i cili u nis për në Jugosllavi për të rikthyer princin.
Ne e dimë se princi Xhelal Zogu luftoi kundër italianëve gjatë pushtimit të vendit dhe më në fund u detyrua të strehohej në Jugosllavi.
Dje, princi bëri këto deklarata për gazetarët :
“Ne e konsiderojmë Turqinë si shtëpinë tonë të dytë.Unë dua të vendosem këtu. Jemi përpjekur ta mbrojmë atdheun tonë deri në fund. Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur materialisht. Së shpejti do t’ju tregoj më shumë.”
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Komandantët që shoqëronin princin Xhelal shkuan dje në Pallatin Pera ku biseduan me Mbretin Zog.
Ramadani, i biri i Muhtar Galoshit, bëri këto deklarata për shtyp :
“Nuk e kemi humbur shpresën. Ne do të kthehemi një ditë në atdheun tonë. Për më tepër, forcat pushtuese janë në qytete. Ata nuk mund të depërtonin në zonat malore. Gjatë një shfaqjeje në Shqipëri të një filmi të organizuar së fundmi nga italianët, një numër i madh studentësh duke parë foton e mbretit u ngritën në demonstrata në favor të tij, duke brohoritur për të. Italianët, duke kuptuar reagimin e prodhuar nga kjo propagandë, arrestuan një mijë e pesëdhjetë studentë shqiptarë që morën pjesë në demonstratë dhe i dërguan në Itali. Ata arrestuan gjithashtu 104 persona mes fisnikëve shqiptarë. Aktualisht po protestojmë vetëm kundër këtyre veprimeve. Por nuk duhet harruar se asnjë shqiptar nuk është miku i atyre që kanë pushtuar hapin (derën) e tyre.”
Këto ditë do të mbërrijnë në Stamboll edhe Abaz Kupi, komandanti i vullnetarëve në frontin e Durrësit, që luftuan kundër italianëve dhe drejtori i sigurimit z. Kurt Kurti./ KultPlus.com