Mes burgut shtëpiak sot dhe reflektimit të vuajtjeve të martirëve dje, sipas Anton Kcirës

Nga: Leonora Laçi

Nuk mund të mos reflektoja mbi këtë mesazh kaq kuptimplotë, pasi vetë personi që e ka shkruar e meriton vëmendjen për çka ka shprehur, duke bërë një paralelizëm mes qendrimit në shtëpi sot, me vuajtjet e martirëve në burgjet komuniste dje. Apo qendrimin e izoluar të një populli në terrin komunist, nën propagandën komuniste, duke mos pasur mundësi të levizin lirshëm, të njohin botën që i rrethon. Pra e gjithë Shqipëria ishte një karantinë-bunkier që nuk hynte as dilte informacioni. Gjithçka që ndodhte mbytej nga propaganda aty në vend. Sot shoqëria njerëzore ndodhet në një burg të ngjashëm por me armikun e padukshëm, nëse dje ishte armik ideologjia, sot armiku është kudo dhe pa lokacion të saktë. Dom Anton Kçira na jep një mesazh shprese që kësaj periudhe kalimtare t’i shohim anën tjetër të medaljes, qendrimin me familjen, të jemi të bashkuar, të duam njëri- tjetrin, të vlerësojmë lirinë dhe të jemi optimist.

Dom Anton Kçira tashmë në pension, prifti që ngriti kishën katolike shqiptare të Shen Palit, më të madhe në Detroit, Michigan, shkruan: “Këto ditë jam tuj lexu librin “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini” me autorë Tomë Mrijaj dhe Leonora Laçi.

Këto ditë siç po e shifni se tanë bota asht tuj kalu nëpër nji krizë të jashtëzakonshme, të pa përshkrueshme, vuajtje, frikë, shqetësime për jetën si edhe për familjen.

Të gjithë gjindemi në burgun shtëpijak.

Tuj meditu dhe tuj shique vuajtjet e këtij martiri me 38 shokë, që kanë ditë me iu dhanë ujë me pambuk, e në vend të ujit edhe urinën tuj u qesh me ta, e ata pas nji dite pa pi ujë kanë qënë të detyruem me e pi edhe atë. Ose të lidhun gjithë natën për nji pemë që në kohën e dimnit asht desht të i perballojnë kësaj loje të djallit komunist, qe shka s’kanë dijt me ba në trupin e tyre, tuj jua qit vezët e nxehta nën sjetulla dhe ato tuj hy mbrenda në krahnorin e tyre , tuj jua ly varrat me peshgve dhe tuj iu qit kryp në varre e tuj jau çel varret si bagtisë.

Tuj i pas para sysh ato qelija të sigurimit ku asht dasht me ndejt në të ftohtë, nën temperaturë e tuj u torturue për çdo ditë me tortura të pa spjegueshme, tuj ia thye eshnat e trupit për të nxjerrë prej tyre nji shamje Krishtit , por jo, e mandej kanë vazhdu deri në alivanosje torturat e llojllojshme.

Këto ditë po kam kohë me u marrë me vuajtjet e tyre dhe them :”more Zot sa vështirë më duket me nejt në burgun shtëpijak”, e kur mendoj dhe krahasoj jetën time, kam me hangër e me pi. Me nejt në shtëpi të nxehtë dhe të bukur, me hangër shka të duash e me pi shka të duash, edhe na duket zor!? Kthehem e them: – O ju të lum që keni ndejt në qelit tuja të ftohta tuj u torturu si s’del fjalë të përshkruhet, me tortura ju kanë mundue. Pra ju nuk ishit hajna e bandita e kriminela drogista, por njerëz të Zotit, njerëz të lutjes, njerëz bamirës të kombit dhe kulturës shqiptare, por shqiptarët ju torturuan, u knaqeshin me vuajtjet tuja si bishat që pijnë gjakun e presë!

Qe pra vëllezër këto ditë janë ditë shpëtimi për çdo nji nga ne, kemi pas harru familjen, fëmijët, të dashurit, nuk kemi dijt tjetër veç gjumë e punë, por tash bile po kënaqemi me familje dhe tuj pushue në qetësi. Na mungon edhe nji gja, të lutemi së bashku ma tepër, të lexojmë ndonji libër të mirë ku mundemi me u pasunu në jetën tonë.

Baft Zoti që këto ditë të na kalojnë pa dëme në familje, në popullin tonë shqiptar dhe krejt botën, si dhe ky virus të kalojnë mbi ne e jo ndër ne!

Zoti ju bekoft kudo që gjindeni!” /KultPlus.com