Një dokumentar i realizuar nga televizioni kombëtar japonez NHK, në bashkëpunim me RTK dhe regjisorin Rilind Gërvalla, që sjell historinë e guximshme të aktivistes Vasfije Krasniqi Goodman, është shpërblyer me çmimin “Motivues” nga juria prestigjioze japoneze, në mesin e mbi 200 projekteve nga mbarë bota.
Dokumentari, i xhiruar dhe publikuar këtë vit, trajton një kapitull të dhimbshëm të historisë së Kosovës, duke e paraqitur me sinqeritet dhe forcë rrëfimin e një gruaje që guxoi të flasë publikisht për përvojën e saj. Ky vlerësim, sipas Krasniqi Goodman, nuk është thjesht një njohje për punën e realizuar, por një dëshmi se kur e vërteta tregohet me zemër dhe guxim, ajo mund të prekë ndërgjegjen e publikut ndërkombëtar, pavarësisht distancës gjeografike, transmeton KultPlus.
“Ky çmim i dedikohet çdo zëri të heshtur, çdo plage që ende nuk është shëruar. Është nder që përvoja ime u bë pjesë e një rrëfimi që sot inkurajon edhe të tjerët të flasin. E vërteta ka fuqi,” u shpreh Krasniqi Goodman, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.
Ky sukses shënon një tjetër moment ku historia dhe qëndresa e Kosovës marrin vlerësim ndërkombëtar, duke dëshmuar rëndësinë e rrëfimeve autentike në forcimin e ndërgjegjes globale për të kaluarën dhe të tashmen e vendit./KultPlus.com