‘Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia’

Poezi nga Niels Hav

Çfarë të bëjmë me poetët?
Jeta është e ashpër me ta,
duken kaq mëshirues te veshur në të zeza
lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.

Poezia është një sëmundje e keqe
rendje e shoqëruar me kokëçarje,
ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet
nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.

Poezia është nje tirane,
I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat
I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara
në mesin e dimrit
ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët
me shall të trashë.
Imagjinoni ç’ torturë!

Poezia është flamë
Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë
Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta,
duroji poetët.
Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë
Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë,
hanë ushqime bajate dhe bar.
Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra
duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse.
Çdo ditë është e shenjtë për ta

Oh të lutem, ki mëshirë për poetët.
Ata janë të shurdhër dhe të verbër.
Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik
në ato pengesat e tyre të padukshme
duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend.
Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon,
të dëgjojë një sirenë të largët.
Trego konsideratë për ta

Poetët janë si fëmijët e prapë
të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja
Lutu për ta,
ata kanë lindur të palumtur.
Nënat e tyre kanë qarë për ta
kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve
derisa hoqën dorë
nga frika se po prishen mendsh edhe ato.

Oh, qaj për poetët.
Askush s’mund t’i shpëtojë ata
kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën.
Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë,
një geto rrëqethëse plot me demonë
dhe fantazma hakmarrëse.

Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere
ju shihni një poet të mjerë
duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë
si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet.
Vrapo dhe ndihmoje atë.
Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park
ndihmoje të ulet në një stol
nën diell, këndo pak për të,
bleji një akullore dhe tregoja një histori
sepse ai ka shumë brenga
Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.

Përktheu: Kujtim Morina / KultPlus.com

Gratë e Kopenhagenit

Niels Hav. Përkthyer nga Kujtim Morina.

Kam rënë prapë në dashuri,
këtë herë me pesë gra të ndryshme gjatë një udhëtimi
në autobuzin nr 40 nga Njalsgade në Østerbro.
Si është të fitosh kontroll mbi jetën e dikujt tjetër në ca rrethana?
Njëra kishte veshur një pallto gëzofi, tjetra një palë cizme wellingtons
Një prej tyre po lexonte një gazetë. një tjetër Hajdegerin,
rrugët po përmbyteshin nga shiu.
Në Bulevardin Amager, një princeshë e bërë qull hyri,
euforike dhe e xhindosur, e humba plotësisht edhe me të.
Por ajo zbriti te stacioni i policisë
dhe u zëvendësua nga dy mbretëresha me shami me ngjyra flakëruese
që flisnin me klithma me njëra-tjetrën në pakistanisht
gjithë rrugës deri në Municipal Hospital ndërsa autobuzi vlonte
në poezi. Ato ishin motra dhe të dyja njësoj të bukura,
kështu që mua më iku truri për të dyja dhe menjëherë planifikova
një jetë të re re në një fshat afër Rawalpindi
ku fëmijët rriten me aromën e bamjes
dhe nënat e tyre të dëshpëruara këndojnë këngë zemërthyese
ndërsa muzgu bie në rrafshinat e Pakistanit.

Por ato nuk më panë!
Ajo që kishte veshur pallton e gëzofit klithi
nën mantelin e saj kur zbriti në Farimagsgade.
Vajza që po lexonte Hajdegerin papritur e mbylli librin
dhe më shikoi drejt në sy me nënqeshje
sikur ajo befas kapi një vështrim të Z Askushi
krejt të parëndësishëm.
Kështu m’u thye zemra për të pestën herë
kur ajo u ngrit dhe la autobuzin me të gjitha të tjerat.
Jeta është kaq brutale!
Unë vazhdova udhëtimin edhe dy stacione të tjera
Gjithmonë përfundon kështu. Gjendesh i vetëm
buzë trotuarit, duke thithur një cigare
i tkurrur dhe disi i palumtur./ KultPlus.com