112-vjetori i hapjes së Shkollës Normale të Elbasanit

Sot përkujtojmë 112-vjetorin e hapjes të së parës shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri.

Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan. Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë.

Drejtori i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj.

Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit.

Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga radhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë./atsh/KultPlus.com

111 vite më parë u mblodh Kongresi i Elbasanit

111 vite më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar, shkruan KultPlus.

Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine.

Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.

Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.

Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.

Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore, Kosova, Çamëria apo në çdo cep ku duhej përhapur gjuha amtare, pa të cilën një komb është i destinuar të zhduket. Normalja e Elbasanit mban titullin e lartë “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës./ KultPlus.com