“Jetojmë shumë në të ardhmen, në kurriz të së tashmes”

Oliver Burkeman

Pyetja e nënkuptuar në reflektimet që bëjnë shumë njerëz në fillim të janarit është: si kam për qëllim ta përdor – apo si duhet ta përdorim në mënyrë kolektive – vitin e ardhshëm? Ju mund të përgjigjeni: për t’u rikthyer në formë, për të gjetur një bashkëshort, ose për të fituar një milion dollarë duke u shitur idiotëve online, lakra virtuale. Ose mund të mendoni t’i përkushtoheni aktivizmit, apo edhe thjesht të ruani shëndetin mendor në këto kohë të vështira.

Sidoqoftë, vlen të përmendet se të gjithë këta objektiva të ndryshëm fillojnë nga i njëjti supozim, aq themelor sa na shpëton të gjithëve: domethënë, mënyra më e mirë për t’u marrë me kohën është ta konsiderosh atë si diçka për t’u përdorur.

Por a është vërtet kështu? Problemi është se, nëse e konsiderojmë kohën vetëm si diçka për ta përdorur, ne përfundojmë duke jetuar të përqendruar përgjithmonë në të ardhmen. Sa më shumë që përpiqemi të nxjerrim diçka nga jeta, aq më shumë jemi të angazhuar emocionalisht, duke pritur momentin kur do ta arrijmë atë objektiv që, domosdoshmërisht, nuk është kurrë tani. Me fjalë të tjera, sa më shumë përpiqemi ta bëjmë jetën kuptimplotë, aq më e pamundur bëhet nxjerrja e një kuptimi për të tashmen.

Iluzioni i përjetësisë

John Maynard Keynes e ka shpjeguar fare mirë në një ese të famshme të vitit 1930 (në të cilën, duhet thënë, ai gjithashtu pretendote se në atë pikë të historisë njerëzit duhej të punonin vetëm 15 orë në javë). “Njeriu i përqëndruar në një objektiv,” shkruan ai, “gjithmonë përpiqet të sigurojë një pavdekësi të rremë dhe iluzore të veprimeve të tij, duke e projektuar interesin e tij përpara në kohë. Ai nuk pëlqen macen e tij, por kotelet që do të lindë; me thënë të vërtetën, madje as kotelet, por kotelet e koteleve, e kështu me radhë deri në pafundësi”.

Nëse ana pozitive e këtij qëndrimi është se ne mendojmë që kemi më shumë kontroll mbi jetën tonë, ana negative është se ne kurrë nuk e shijojmë atë.

Disa mësues spiritualë që i përmbahen filozofisë së “jo-dualiteteve”, do të shkonin më tej. Ata do të thoshin se vetë ideja e “përdorimit të kohës” bazohet në ndarjen iluzore, midis “nesh” dhe kohës që ne po përpiqemi të përdorim.

Nga një këndvështrim individual, gjithçka që ekziston në një moment të caktuar është vetëm ajo që ne po përjetojmë: një ndjesi gjilpërash që shpojnë në këmbë, pamja e tryezës së kuzhinës, alarmi që ra në rrugë, një farë acarimi i paqartë, nëse dikush na kërkon të marrim në konsideratë këto idetë e çuditshme të epokës së re. Pra, a nuk është pak e çuditshme të themi se disa nga këto perceptime jemi vetë ne, dhe prandaj duhet të vëmë në funksion perceptimet e tjera, në një farë mënyre, për ta përdorur kohën mirë? Pse mos ta lëmë mënjanë këtë ide stresuese?

Në librin mbi jo-dualitetin (e titulluar përsosmërisht) “Udhëzime të kondensuara në mënyrë radikale për të qenë ashtu si jeni”, Jay Jennifer Matthews e thotë troç: “Ne nuk mund të marrim asgjë nga jeta. Nuk ka asnjë vend ku mund ta marrim këtë gjë. Nuk është një xhep i vogël i vendosur jashtë jetës, të cilit mund t’i vidhnim furnizimet dhe t’i hiqnim mënjanë. Jeta që po jetojmë këtë moment është këtu, nuk ka një mjedis jashtë saj”.

Pjesërisht, më duhet ta them, kjo gjë më pëlqen sepse më kujton batutën e komikut Steven Wright: “Nuk mund të kem gjithçka. E ku do ta vija, po të kisha?” Por është edhe një tregues i qartë i faktit që, thellë-thellë, qëllimi i vetëm i pothuaj çdo gjëje, është vetë gjëja. / KultPlus.com

Pse ka kaq shumë burra mediokër, që mbajnë poste të rëndësishme drejtuese?

Nga Oliver Burkeman

Përse kaq shumë burra të paaftë bëhen udhëheqës? Kjo pyetje, e përdorur nga psikologu Tomas Shamorro-Premuzik, si titulli i librit të tij të ri “Pse bëjnë kaq shumë burra të paaftë, bëhen udhëheqës? – duket provokativ (dhe pikërisht për këtë arsye autori me siguri që do të akuzohet se dëshiron vetëm të tregojë ndjenjat e tij).

Por pyetja është më e thellë, nga sa mund ta mendoni. Sigurisht, njëra nga përgjigjet është seksizmi. Por duhet të ketë më shumë se sa kaq. Askush nuk dyshon se ka burra kompetentë, dhe me sa duket në një numër të mjaftueshëm, për të udhëhequr qeveritë dhe korporatat botërore. Por nëse bota është shumë seksiste, pse nuk janë pikërisht burrat më të aftë në krye?

Në shumicën e fushave të jetës, seksizmi e ul nivelin e kompetencës që kërkohet nga burrat, për të pasur sukses. Por gjithësesi, sërish do të pritej që të talentuarit të çanin më lehtë përpara, se sa budallenjtë. Në vend të kësaj, shikoni se ç’ndodh përreth.

Nga libri i Shamorro-Premuzhi, rezulton se në këtë fenomen kontribuojnë dy elementë të dallueshëm. I pari është seksizmi; i dyti një vështirësi e përgjithshme në zgjedhjen e udhëheqësve kompetentë, të të dyja gjinive, krahasuar me të paaftët.

Ne zakonisht mendojmë se tipare të tilla si besimi i tepruar dhe egocentrizmi, janë shenja të aftësive të mëdha, edhe nëse ato janë në fakt një shenjë e diçkaje negative. Ato duhet “të shihen si një sinjal paralajmërues”, dhe ndërkohë na inkurajojnë të themi:”Çfarë personi karizmatik! Ndoshta ka stofin një udhëheqësi!”.

Burrat arrijnë në shkallët më të larta të karrierës, sepse është më e mundshme, që këto tipare të shfaqen tek ata.

Gjithashtu, studimet tregojnë se gratë gjykohen më tepër, kur tregojnë besim tek vetja. Por elementi më i jashtëzakonshëm i kësaj çështje, është që edhe një zyrë personeli  që nuk është seksiste, do të përfundojë duke promovuar një numër disproporcionalisht të lartë të burrave mediokër, të paktën derisa ata do të vazhdojnë ta konsiderojnë guximin dhe vetëvlerësimin si dëshmi të talentit (libri i eksploron më thellë këto tipare, si inteligjenca emocionale, qetësia, elasticiteti dhe vetëdija, të cilat në fund të fundit flasin për një udhëheqës efikas).

Kjo mënyrë për t’i parë gjërat, na shtyn ndërkohë të lëmë mënjanë, të paktën për momentin debatin e pafundëm mbi kontrastin ndërmjet talentit natyror dhe atij të kultivuar, dhe se çfarë roli ka gjenetika, duke supozuar se ka një të tillë, në faktin se ka më shumë burrat se sa gra që lëvizin drejt karrierave dhe vendeve të caktuara të punës.

Cilado qoftë ideja juaj në këtë drejtim, sigurisht që në fund do të preferoni njerëzit kompetentë, ndaj atyre që janë të paaftë. Ne të gjithë mund të jemi dakord që udhëheqësit duhet të zgjidhen, bazuar në aftësinë e tyre reale menaxheriale. Dhe arsyetimi i Shamorro-Premuzik, nënkupton që nëse mund të sillemi më shpesh në këtë mënyrë, do të ketë akoma më shumë gra që do të mbajnë poste të rëndësishme, si dhe burra më kompetentë, që sot tejkalohen në garë nga tipat narcistikë.

E gjitha kjo e thekson problemin e këshillave që u jepen grave, të tilla si determinizmi, ambicia dhe promovimi i aftësive të tyre, për të kapërcyer paragjykimet në vendin e punës dhe për të përparuar në nivelet drejtuese:ato rrezikojnë të jenë për gratë një nxitje për të imituar pikërisht karakteristikat jofunksionale të atyre burrave, që rezultojnë të jenë udhëheqësit më të këqij.

Ndoshta mund të jetë një lloj përparimi, zëvendësimi i gjysmës së drejtuesve të keqij meshkuj në biznes, me sa më shumë gra të këqija si drejtuese. Por me siguri gjëja më e mirë, do të ishte zëvendësimi i të gjithë personave të paaftë me njerëz plot vlera:një ndryshim, që do të përfshinte promovimin e një numri shumë më të lartë grash. Veçse, mos prisni që këtë revolucion ta drejtojë brezi ynë aktual i liderëve.

“The Guardian” – Bota.al