Olsa Domi shpalosë “Universin” në romanin e saj të parë, shpreson të jetë një instrument inkurajimi

“Brenda Universit Tim” është libri i parë i shkrimtares 14 vjeçare nga Gjakova, Olsa Domi. Libri shpalosë evolucionin personal të autores në një periudhë kohore prej një viti, duke trajtuar tema të ndryshme, si jeta, perspektiva, pozitiviteti, perfeksioni dhe paragjykimet, që shfaqen në trajtën e trupave qiellorë të universit në të cilin jeton vetë ajo, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, Domi ka shpjeguar fillesat e këtij libri si dhe ka folur për temat që trajtohen në të. Ajo ka deklaruar se ideja për botimin e këtij romani erdhi pas frymëzimit që kishte marrë nga leximi i librit “Të jetosh, të dashurohesh, të kuptohesh” nga autori Leo Buscaglia.

“Librin ‘Brenda Universit tim’  fillova ta shkruaj duke i ruajtur dhe renditur hartimet e mia me datat përkatëse në një folder. Në fillim kam synuar që folderi të jetë një arkivë e pasurisë sime letrare, por pas frymëzimit që morra nga libri “Të jetosh, të dashurohesh, të kuptohesh” nga autori Leo Buscaglia, si dhe me fitimin e vendit të dytë në garën Ndërkombëtare për Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, u inspirova që pse jo, kjo arkivë të shndërrohet në një libër”, është shprehur Domi.

Ajo më tutje tregon se një nga karakteristikat e këtij libri është fakti se është përdorur e njëjta fjalë për fillimin e shkrimit të hartimit të parë dhe të fundit.

“Një karakteristikë tjetër është se, hartimi i parë, si dhe hartimi i fundit, fillojnë me të njëjtën fjalë, “Wow”, deklaroi shkrimtarja.

Libri ‘Brenda Universit Tim’ në parathënien e tij përmban kritikat e mësuesve të shkrimtares. Domi ka shpalosur edhe arsyen se pse ka vendosur që këto kritika të jenë në parathënien e librit të saj.

“Vendosa që parathënia të përmbajë kritikat e disa mësuesve, sepse opinioni dhe roli i tyre në rrugëtimin tim kanë pasur inpakt të madh sa i përket motivimit për këtë pasion timin”, shprehet ajo.

Olsa Domi gjithashtu ka thënë se libri u dedikohet të gjithë lexuesve që dëshirojnë të zbulojnë universit e tyre unik. Ajo shpreson që ky libër të jetë një instrument inkurajimi që lexuesi të çmojë vlerën e të qenit i veçantë dhe vetvetja.

Shkrimtarja e re nga Gjakova ka shtuar se çfarëdo projekti që do të sjellë e ardhmja do të ketë lidhshmëri me shkencat. Sipas saj njëlloj sikur ka krijuar një korrelacion mes fizikës dhe astronomisë në librin e saj të parë, do të vazhdojë të mbajë një lidhshmëri të tillë me shkencat, e mbi të gjitha me astronominë. / KultPlus.com