Laureati i Nobelit Orhan Pamuk, nën hetime për fyerje ndaj Ataturkut

Prokuroria e Smirnës ka hapur një hetim për romanin e fundit të shkrimtarit nobelist turk, Orhan Pamuk, për fyerje të supozuara që përmban teksti kundër themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Hetimi u hap pas ankesës së avokatit të Tarcan Uluk, sipas të cilit “Veba Geceleri” (“Netët e murtajës”) përmban jo vetëm fyerje ndaj Ataturkut, i konsideruar si krim në Turqi, por edhe gjuhën e urrejtjes.

Ankesa që shkaktoi hetimin i referohet edhe disa deklaratave në lidhje me kurdët dhe armenët që Pamuk publikoi në një gazetë zvicerane dhe për të cilat ai ishte në gjyq në të kaluarën me akuza të ngjashme.

“Pamuk nxiti urrejtje ndëretnike dhe ndjenja armiqësie pasi kishte folur për vdekjen e një milion armenëve dhe 30 000 kurdëve të vrarë midis fundit të Perandorisë Osmane dhe në vitet pas themelimit të Republikës në 1923”, thuhet në aktakuzë.

Por shkrimtari nobelist i ka mohuar akuzat: “Unë nuk kam shkruar asgjë që ka implikime me Ataturkun dhe nuk i pranoj akuzat”, tha shkrimtari prokurorit, sipas raportimeve të mediave të ndryshme turke.

Në Turqi, përbuzja ndaj Mustafa Kemal Ataturkut dënohet me burgim deri në pesë vjet./A2/KultPlus.com