Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka çelur ekspozitën “Origjina dhe Artizanati” që vjen me një koleksion objektesh me vlerë të lartë historike e estetike, përfshirë punime prej metalesh të rralla dhe aliazhesh dekorative.
Këto objekte, të cilat datojnë nga shekuj të ndryshëm, pasqyrojnë mjeshtërinë e artizanëve shqiptarë në punimin e metaleve dhe përdorimin e motiveve simbolike, të lidhura ngushtë me traditën kishtare dhe jetën shpirtërore të asaj kohe.
“Janë objektet e metalit, të ndryshme, metale të çmuara por edhe aliazhe të ndryshme. Vijnë nga format religjioze deri tek ato të përdorimit të përditshëm apo ato të zbukurimit. Kemi përzgjedhur rreth 40 objekte të cilat janë të ekspozuara”, u shpreh Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë mbetet një nga pikat më të vizituara të rajonit dhe një destinacion i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të prekin nga afër pasurinë shpirtërore dhe artistike të së kaluarës.
“Numri më i lartë i vizitorëve është pikërisht në sezonin veror dhe vendin e parë si vizitorët më të dedikuar janë ato francezë”, tha Prifti.
Ky Muze ka një fond të pasur prej gati 8 mijë objektesh të ndryshme, ku 6500 janë ikona, koleksion ky më i madhi në numër e më interesanti në vlera historike, fetare dhe artistike në Shqipëri e më gjerë, shkruan rtsh.
