Shkamb Jaka me ekspozitë personale në Tiranë

Artisti Shkamb Jaka po sjell ekspozitën e tij të parë personale në Tiranë në Tulla- Culture Center të titulluar “Technotopia: Is This Hyperreal?”, dhe kuruar nga Labinot Kelmendi.

Ekspozita do të hapet më datë 29 mars, në ora 19:00.

Rreth ekspozitës e cila pritet të hapet javën tjetër, kuratori Labinot Kelmendi është shprehur se:

Teknologjia dhe Arti prej Antikës nuk kanë qenë të ndara, por shpesh janë përdorur si sinonime në kontekste të caktuara. Ato njëherazi edhe e shenjojnë karakterin produktiv të të-qenit-tonë-në-botë. Në këtë ekspozitë e kemi një bashkim të këtyre dy formave të shprehjes së qenies. Së pari: ekspozita si vendi (topoi) ku manifestohet kjo shkathtësi (techne) poetike (poiesis) dhe së dyti: vepra si një manifestim “tekno-estetikë” sepse formohet një simbiozë mes estetikës që është teknike dhe teknikës që është estetike. Ekspozita nëpërmjet këtij manifestimi tekno-estetikë e merr formën e një teknotopie. Pra, vendi ku piktura nuk është poezi e heshtur por ku transformohet në poetikë të zhurmshme. Si rrjedhojë e kësaj zhurme të bardhë [white noise] ajo e zvetënon raportin mes reales dhe imagjinares, origjinales dhe artificiales e ky moment shenjohet si përjetimi estetik i hiperrealitetit. Përjetimi estetik i hiperrealitetit na mundësohet kur fuzionohet një triptik i komponentëve, ai i pikturës, zhurmës dhe apratuseve që në ekspozitën e artistit Shkamb Jaka janë më se evidente.

Në veprën “Dimesions of Narcicuss” nëpërmjet tropeve që i gjejmë te surealizmi dhe ekspresionizmi na ofrohet përvoja dydimesionale në pikturën aktuale, e si potencialitet nëpërmjet intervenimeve të sipërpërmendura të imazheve teknike mëton të na ofrojë përjetimin katër-dimensional. Interteksti i veprës duket se e përshkruan dimensionin e narcisit hipermodern që nëpërmjet aparatuseve tenton të na heqë barrën e origjinalitetit. Andaj, fuzionimi mes pikturës dhe aparaturës nuk tenton që të projektojë ngjashmëri por përkundrazi hiperngjashmëri si moment i ftohtë i vdekjes së origjinalitetit që do të thoshte Baudrillard. Ky regjim i ftohtë nuk është heshtje por është zhurmë. Heshtja i takon rrafshit të atomeve ngase ato vdesin, ndërsa pjesëzat në formë të bitit i takojnë zhurmës andaj janë eternale. Njeriu është vdekatar kurse imazhi është i pavdekshëm.

Vepra “Frozen Thoughts” është mjaft sinjifikative që ta dekodojmë konceptin e ekspozitës. Ajo paraqet format valore që në shikim të parë ta krijojnë ndjenjën e rripit të Möbius-it. Ndërkaq, Rripi i Shkambit është tjetër, sepse ai gjatë gjithë kohës mëton në formë litanie ta na paraqesë ftohësinë hiperreale. Aparatuset si vepra janë të ftohta e nganjëherë edhe mendimet tona për to. Kjo gjendje ftohtësie është në sinkron me zhurmën e brendshme të artistit, asaj zhurme që në pasiguri si te filmi i Gaspar Noé-së “Enter the Void” kur ne hyjmë në jouissance-in virtual.

Në këtë teknotopi do të ballafaqoheni me neverinë sublime të zhurmës së ftohtë që paraqitet nëpërmjet repeticionit permanent të formave gjeometrike, apratuseve dhe zhurmës së bardhë. Fundja, ekspozita që është transformuar në teknotopi nuk është përgjigje e reduktuar për pyetjet komplekse, por është pyetje komplekse për kompleksitetet. Prandaj, veprat e Shkambit e kanë një sintagmë në formë pyetjeje për ne e ajo është: Is this hyper-real?

Biografi

Shkamb Jaka (1997) ka lindur në Gjakovë. Pas mbarimit të shkollës së mesme atje, ai u zhvendos në Prishtinë për të vazhduar studimet Bachelor dhe Master, ku tani jeton dhe punon. Ai ka studiuar në fushën e Artit Figurativ – Pikturë në Universitetin e Prishtinës dhe ka diplomuar studimet Master në vitin 2023.

Përveç mbajtjes së dy ekspozitave personale, “DisDeKodim” në Menza Ramiz Sadiku, 2020 dhe “Spooky Action at a Distance” në Paper Gallery, 2021, ai ka prezantuar punën e tij në ekspozita të ndryshme kolektive, ka qenë finalist i “Artistët e së nesërmes” në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, 2020 dhe 2023, pjesëmarrës në ekspozitën “Bazuar në një ngjarje të vërtetë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, 2021 si dhe së fundmi me prezantimin e punës në ekspozitën “SOLO” në Qendrën e Praktikës Narrative, 2023.

Interesat kryesore artistike të Jakës shkojnë nga vëzhgimi i sjelljes njerëzore, tek përvojat personale, tek teoritë dhe eksperimentet e ndryshme shkencore. Tani fokusi i tij është te fizika kuantike, metafizika dhe krijimi i vendeve utopike, bazuar në gjetjet e reja shkencore, duke i përkthyer ato në art vizual. / KultPlus.com

Bashkëpunimi i parë i “Marubit” me Fondazione Alinari, sjell ekspozitën dedikuar Japonisë

Muzeu “Marubi” dhe Fondazione Alinari per la Fotografia do të sjellin së shpejti një ekspozitë të veçantë kushtuar Lindjes së Largët, me titullin “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy italianë në Lindjen e Largët”. Ekpozita do të kurohet nga Fondazione Alinari per la Fotografia, me konsulente shkencore Rossella Menagazzo-n.

Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë mes dy institucioneve dhe shfaq punët e dy autorëve të rëndësishëm për historinë e fotografisë italiane dhe botërore. Autorët në fjalë, ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, Japoninë në veçanti, duke kontribuar kështu në përhapjen e fenomenit kulturor të Japonizmit në Evropë.

Fondazione Alinari per la Fotografia (FAF) ruan trashëgiminë fotografike të Vëllezërve Alinari, një nga studiot më të vjetra fotografike në botë, e themeluar në Firence, më 1852. Arkivat e FAF përmbajnë 5.5 milionë fotografi, teknika e të cilave përfshin që nga dagerrotipia, deri tek fotot digjitale nga të gjitha anët e botës. / atsh / KultPlus.com

Fitim Haziri hapë sot ekspozitën “Reagimi i përsosur”

Shtëpia e Evropës në Prishtinë sot merr një pamje të re me ekspozitën “Reagimi i përsosur” të artistit Fitim Haziri, shkruan KultPlus.

Me vizatime me ngjyrë të kaltër, laps dhe të zezë në letër, Fitim Haziri portretizon silueta njerëzore, raportin e tyre me njerëzit, hapësirat dhe mendjen.

Në ekspozitën “Reagimi i përsosur”, përpjekjet skulpturore të artistit ndërthuren me thelbin të cilin e paraqet në vizatime, duke krijuar një eksplorim të thellë të përmbajtjes dhe teknikës. Përdorimi i nuancave të kaltërta me ndërveprimin strategjik të dritës është përcaktues i ndikimit të këtyre punëve. E karakterizuar si një kërkim i vetvetes, ekspozita ”Reagimi i përsosur” shpaloset përmes siluetave ndjellëse të figurave njerëzore dhe, herë pas here, përmes gjuhës, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme – duke formuar një rrëfim sa personal aq edhe kolektiv.

Fija e përbashkët në mediume të ndryshme e natyrës instinktive të vizatimit, qoftë në letër, në mënyrë dixhitale ose me ngjyrë, përdorimi i qëllimshëm i një ose dy ngjyrave në imazhe simbolizojnë konvergjencën e trupit dhe mendjes, duke i dhënë një cilësi të qetë portretizimit të siluetave njerëzore. Pjesa qendrore e ekspozitës, “Reagimi i përsosur”, zhytë shikuesit në një ndërveprim dinamik midis trupit dhe mendjes. Figurat njerëzore, të përshkruara në forma dhe pozicione të ndryshme, shfaqen si pika qendrore, duke lënë një energji të pashlyeshme të perceptuar në nuancat e kaltërta  – një simbol i lirisë së pakufishme dhe këndvështrimeve të pafundme. 

Teknika e Hazirit shpalos natyrën e brendshme të vizatimit, duke kapur elementë të mbetur që pësojnë një transformim vizual. Ngjyrat monokromatike bëhen një vegël e qëllimshme. Ekspozita kalon në fushën e skulpturës, duke paraqitur një rrëfim vizual të procesit, që e pozicionon shikuesin si një pjesëmarrës aktiv. Kjo përmbledh përvojën e kapërcimit të realitetit, duke kultivuar një vetëdije akute të realitetit që ne jetojmë sot, duke i ftuar shikuesit t’i rezistojnë mbikonsumimit të sugjerimeve algoritmike dhe në vend të kësaj të zhyten në aktin e përjetimit, duke lejuar lojën e dritës të artikulojë narrativen e saj.

Ekspozita e cila vjen e kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, hapet sot, më datë 15 mars, në ora 19:00 në Europe House Kosovo. / KultPlus.com

Besart Zhuja vjen me ekspozitën e parë personale

Artisti Besart Zhuja ka njoftuar se do të hapë ekspozitën e tij të parë personale të titulluar “Eks – 180 shkallë – Pozitë”, përcjell KultPlus.

Në këtë ngjarje do të shpalosen disa prej poezive të librit “Ri-zgjohem”, disa poezi të reja e konstalacione artistike – të gjitha të mishëruara në temën “180 shkallë”.

Ngjarja do të mbahet më datë 21 mars, në ora 20:00, në ambientet e banesës personale të artistit Besart Zhuja, lokacionin e të cilës mund ta gjeni në këtë link.KultPlus.com

Hagji Xhoni vjen nesër me ekspozitën personale “Beteja” në KultPlus Caffe Gallery

Hagji Gjoni do të prezantohet me ekspozitën personale “Beteja”, ekspozitë që do të hapet nesër, më 6 mars në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Me këtë ekspozitë, Hagji Xhoni do të shpërfaqë punën e tij ne skulpturë, që simbolikisht, secili punim, në thelb ka tregimin për të rënët. Figurat  janë të sendërtuara në frymën e një teatri simbolik, përmes së cilave evokon ide mbi imazhet e hapësirave të thurura me tela gjembor që diktojnë dhunë në zhvillimin e trungut të lules dhe të shpërndarjes së aromës së dashurisë në përmasa ndërnjerëzore.

Në rastin konkret, “figurat e kuajve”, paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda apo formulë e shtigjeve garuese, apo deshifrim i të fortëve.

Ndërsa, përmes figurës së “qiririt” parainskenon kufinjtë e dhembjes dhe të përlotjes, ndërsa, ”thesi me grurë” përkon me provebrin ”Çka mbjellë korrë” – metafor për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë ndërsa njeriu do të ngelej me thes në shpinë si hamalli i Muslim Mulliqit duke projektuar shtegëdaljet për vete.

Hagji Gjoni, është skulptor i veçuar tashmë. Simbolikën e luftës e ka të sendërtuar në detaje mikroskopike, rrënjët dhe petalet e lules i integron brenda kurthit të robërisë, i ka të lidhura me zingjirët e tankseve, në interpretime tjera ato duken dhe si tespi, të karakterit biblik – simbolik parasegjithash.

Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite do të bëhet më 6 mars, në ora 19:00. Kjo ekspozitë është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte kurse kuratore e ekspozitës është Ardianë Pajaziti./ KultPlus.com

Piktori Vangjo Vasili me ekspozitë personale në Pogradec, shpalosi peizazhe plot ngjyra

Piktori i mirënjohur Vangjo Vasili ka hapur një ekspozitë në qytetin e Pogradecit.

“Pogradeci i poetëve dhe piktorëve të shquar, është kthyer në një qytet ku ngjarjet artistike janë gjithmonë e më të shpeshta, falë edhe mbështetjes të veçantë të kryebashkiakut Ilir Xhakolli”, u shpreh prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, së bashku me të tjerë figura të shquara të qytetit, artistë e drejtues të pushtetit vendor.

“Në këtë ekspozitë, Pogradecin dhe liqenin e pamë me sytë e piktorit, nëpërmjet peisazheve të tij plot ngjyra”, shprehet Jole për Vasilin i cili njihet si një nga peizazhistët më të mirë shqiptarë.

Vangjo Vasili është nga piktorët më të vlerësuar e më prodhimtarë. Ai është pjesëmarrës në ekpozita të përbashkëta të piktorëve shqiptarë, por vazhdimisht ka ekspozuar krijimet e tij edhe në ekspozita vetjake, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com

Hapet ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Fatos Kongoli

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, duke pasur gjithmonë në vëmendje promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe personaliteteve që i japin dinjitet asaj, hapi sot ekspozitën “Fatos Kongoli në 80-vjetorin e lindjes”.

Si një takim mes miqsh të vjetër, që ndanë me publikun kujtimet dhe vlerësimet për jetën dhe veprën e shkrimtarit të rëndësishëm të letrave shqipe, me pjesëmarrjen e akademikëve, shkrimtarëve, studiuesve, pedagogëve, botuesve, miqve dhe dashamirësve të kulturës, ekspozita shpalosi materiale e libra të ndryshëm të autorit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Amerikane, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. /KultPlus.com

“Hapat”, ekspozita e artistes Dea Tili në FAB

Galeria FAB inauguroi ekspozitën personale të artistes Dea Tili, “Hapat”. Ekspozita me kurator Ermir Hoxhën, do të mikpresë publikun artdashës deri më datën 2 shkurt.

“Në ekspozitën e artistes së re, Dea Tili, procesi i krijimit vjen dhe një herë përballë nesh në vetë të parë. Me thjeshtësinë lirike të një habitati modest, të vërtetë në përqasjen ndaj subjektit, aq sa dhe kërkimin e një metafore estetike, Dea i afrohet sipërfaqes piktorike me një mision personal, që të pikturojë aktin dhe hapësirën ku ai ngjizet, njëkohësisht, pa një vijë ndarëse mes tyre”, shkruan Ermir Hoxha për ekspozitën “Hapat”.

Në pikturat e Deas shfaqen subjektet, mes atelieve të shkollës, vendit të punës, studiove të artistëve, shfaqen të rrëmujshëm sa edhe të pistë cepat e kavaletave, kompensatat e tavalocave, podiumet, shishet dhe skulpturat e natyrave të qeta. I gjithë ky kaos, i rregullt vetëm në optikën e atyre që e jetojnë përditë atë, për Dean, duket më shumë se një subjekt. Ai është një destinacion i panegociueshëm.

Në “Hapat” e Deas, dominon habitati, vendi i krijimit mbipopulluar nga subjektet rrethanore. Ato janë personazhi i saj kryesor, objekti dhe subjekti me të cilin identifikohet më shumë se me çdo gjë tjetër./ atsh / KultPlus.com

“Man of the castle”, hapet ekspozita e Blerta Kambos në mjediset e COD

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) e hapi sezonin artistik për vitin 2024 me ekspozitën bashkëkohore “Man of the castle” nga artistja Blerta Kambo.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua mbrëmjen e djeshme ndërkohë që ekspozita do të mikpresë artdashësit për 1 muaj, nga 13 janari në 14 shkurt.

“Man of the Castle” (Burrë i kështjellës) është seria fotografike që i jep titullin ekspozitës si dhe përbën krijimin kryesor në të. Seria bazohet në fotografi të ndërtesave me formë të ngjashme me kështjellat të ndërtuara nga meshkuj, që siç pritet, kryejnë detyrën e tyre si burri i shtëpisë, ose burri i kështjellës.

Kambo, më pas, ndërhyn në mënyrë dixhitale duke i kthyer ato në dritë infra të kuqe, e cila njihet edhe si drita e padukshme për syrin e njeriut. Vetia e dritës infra të kuqe kthen çdo gjë rreth e përqark kështjellave në rozë, ngjyrë e cila në qasjen heteronormative nuk është aq “burrërore”. Efekti i kësaj teknike bëhet më i dukshëm kur rrethohet nga natyra, e cila gjithashtu përfaqëson metaforikisht energjinë femërore të grave që jetojnë nën “burrin e kështjellës”, pra dritën e padukshme.

Krijimi i peisazhit të ëndrrave bie ndesh me forcën që këto ndërtesa rreken të përfaqësojnë. Për Kambon, patriarkati, sistemi që nënshtron femrën, është i njëjti sistem që shtyp meshkujt dhe i detyron ata të performojnë e të heshtin emocionalisht.

Manifestimi i toksicitetit maskilist, ose i brishtësisë mashkullore të kudondodhur në botë, por me specifikat ballkanike, vijon me referenca të tjera në ekspozitë: Një skulpturë qelqi rozë: një shkallë e pamundur; perde rozë, referencë ndaj festave që zbulojnë gjininë e një bebi, por edhe të filmit Barbie; tekstet me dritë LED me shprehje popullore misogjiniste dhe një seri screenshot (pamje ekrani) nga Tinder, aplikacioni i takimeve. /ATSH /KultPlus.com

Ekspozitë në 110-vjetorin e lindjes së Petro Markos

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko çelën të premten, më datë 22 dhjetor, ekspozitën “Petro Marko – 110-vjetori i lindjes”, me pjesëmarrjen e familjarëve të shkrimtarit, studiuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, dashamirësve të kulturës etj.

Drejtori i BKSH-së, Piro Misha, dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, duke vlerësuar personalitetin e letrave shqipe, vunë theksin në rëndësinë e veprimtarive të tilla si “forma më e mirë për të kujtuar dhe përcjellë te brezat e rinj gjurmën dhe trashëgiminë e personaliteteve që përbëjnë panteonin e kulturës shqiptare”.

Veprimtarinë e përshëndetën edhe shkrimtarja Diana Çuli, studiuesi Behar Gjoka, si dhe vajza shkrimtarit Arianita Marko, të cilët ndanë me të pranishmit vlerësimet dhe kujtimet për shkrimtarin.

Petro Marko konsiderohet së një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe, i cili ka lënë një trashëgimi të pasur në botime me poezi, tregime, romane, drama, publicistikë, kujtime etj.

Botimet e para të krijimtarisë së tij nisim me gazetat dhe revistat e viteve ’30, si: “Illyria”, “Demokratia”, “ABC”, “Bota e re” apo “Shqipëri e re”, për të vijuar më pas në botimet e veprave të tij. / KultPlus.com

Alban Bujari hap ekspozitën me fotografi të shkrepura gjatë pandemisë

Është hapur ekspozita në lidhje me COVID-19 e fotografit Alban Bujari në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ekspozita shfaq fotografi të autorit që janë shkrepur gjatë kohës së pandemisë, izolimit, karantinimit të zonave të caktuara, kufizimit të lëvizjes e fillimit të vaksinimit kundër virusit, transmeton Klan Kosova.

Në këtë organizim po marrin pjesë qytetarë dhe adhurues të fotografisë të cilët kanë mundësinë të shohin nga afër krejt punën e cila është e shkrepur gjatë pandemisë. / KultPlus.com

“Bebëzat e Mallit”, ekspozita unike për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë vjen më 19 dhjetor

 

Kujtimet e fëmijëve dhe për fëmijët në luftë ofrojnë një hapësirë në të cilën shumëllojshmëria e përvojave të luftës bëhet e dukshme dhe e prekshme për audiencën e gjerë popullore dhe burim për informim të diskutimeve publike rreth arkitekturës institucionale për rehabilitim, njohje, kompensim dhe memorializim. Bazuar në rrëfimet e librit të kujtimit “Fëmijëri të rrëmbyera”, të botuar në vitin 2022, Ministria e Drejtësisë, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur do të instalojnë një ekspozitë unike për fëmijët e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të afektuar nga lufta e fundit në Kosovë me titull “Bebëzat e Mallit – “Oj mam… a po na sheh midis luleve sa mirë jena? Dritë, dritë, dritë, lule, livadhe, qaq t’u keshë ata, t’u nga!”

Koncepti kuratorial i Vesa Sahatçiut për ekspozitën “Bebëzat e Mallit”, që e ka marrë emrin nga një poezi me të njëjtin titull të poetit modern të shekullit të 20-të, Enver Gjerqekut, fokusohet në disa elemente të rrëfimeve që duket se funksionojnë si mënyrë e ruajtjes së kujtimeve dhe si veprime, thuajse rituale, me të cilat familjet gjejnë ngushëllim dhe kërkojnë të bëjnë paqe me humbjen e fëmijës, apo të anëtarëve të familjes. Për më tepër, kjo ekspozitë pyet: Si flasim për humbjen? Si flasim, si mendojmë dhe si e përfaqësojmë humbjen kolektive? Humbjen që përfshinë jo vetëm individët, por komunitetet e tëra?

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 19 dhjetor 2023, në ora 18:00h, në Ndërtesën e ish-Rilindjes në Prishtinë.

Ky projekt është implementuar nga Ministria e Drejtësisë, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, mbështetur nga National Endowment for Democracy, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Diella Valla vjen me ekspozitë, “Arti dhe moda” takohen në KultPlus Caffe Gallery

“Arti dhe Moda” është ekspozita e radhës e piktores Diella Valla e cila përmbledh skica të modës dhe piktura të realizuara gjatë viteve të fundit.

Ekspozita e cila hapet më datë 18 dhjetor në KultPlus Caffe Gallery, do të përfshijë rreth 30 punime, në këtë mes disa skica të modës dhe disa piktura të formateve të ndryshme.

Ekspozita do të prezantojë talentin dhe krijimtarinë e piktores Diella Valla, duke sjellë para publikut një bashkëveprim unik mes artit pamor dhe modës.

Skicat e modës, ngërthejnë në vete ndërlidhjen me pikturën duke shpalosur motive të mozaiqeve, pikturave të piktorëve të mëdhenj botërorë dhe atyre shqiptarë si dhe frymëzime nga brende të ndryshme të modës.

Përqafimi i mozaikëve dhe frymëzimet nga moda janë thelbi i veprave të kësaj ekspozite, duke ndriçuar lidhjen e thellë midis këtyre dy formave të shprehjes artistike.

Esat Valla është kuratori i kësaj ekspozite i cili ka ndihmuar në krijimin e këtij koleksioni të veçantë.

Ekspozita do të hapet më datë 18 dhjetor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.

Ekspozita është e financuar nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

GMK mirëpret ekspozitën gjithëpërfshirëse dhe vetjake të Rina Krasniqit

Galeria e Ministrisë së Kulturës do të mirëpres ekspozitën e parë gjithëpërfshirëse dhe vetjake të Rina Krasniqit, të kuruar nga Bardhi Haliti me titull “Vizatime”, më 8 dhjetor në ora 19:00.

Një koleksion i madh vizatimesh në letër të trashësisë dhe madhësive të ndryshme, duke filluar nga letra të prera në formë katrore, ovale apo të parregullt, të shfaqura në tavolina të bëra enkas për ekspozitë, e përbëjnë pjesën kryesore të ekspozitës.

Të gjitha këto vizatime tregojnë për qasjen e ndërlikuar të Rinës ndaj vizatimit, të formësuar nga imagjinata dhe fantazia e përpiktë. Të gjalla dhe duke luajtur qëllimisht me proporcione, këto vizatime shfaqin një idealizëm specifik, duke i dhënë energji punimeve.

Rina përshkruan punën e saj në mënyre poetike si një varg të mikro ngjarjeve të çmuara që plotësojnë hapësirat e zbrazëta mes ngjarjeve madhore jetësore: një keks të cilin e ndan me fëmijën tënd pas një dite të lodhshme, një libër në faqet e të cilit është një kushtim për babain tënd i cili nuk është më mes nesh, një gjellë e bërë me shumë kujdes, një pemë e mbjellur bashkë, një fotografi e vjetër e pluhurosur, apo të takosh një mik të vjetër deri sa je duke pritur në rend në supermarket. / KultPlus.com

Dardan Zhegrova me ekspozitë personale në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës do të mirëpres ekspozitën personale të artistit Dardan Zhegrova e titulluar “Brand New Ancients”, e kuruar nga Cathrin Mayer.

Ekspozita personale “Brand New Ancients” e artistit Dardan Zhegrova shpaloset në katër kapituj, e vendosur në katin përdhese të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Zhegrova, nga puna paraprake si gazetar e më pas artist autodidakt, eksploron tema të fëmijërisë duke përdorur instalacione tekstilesh, tingujsh e skulpturash që krijojnë skenografi dinamike teatrale.

Kapitulli i parë, “Maze” (2023), i zhyt vizitorët në kujtimet e fëmijërisë së artistit përmes folësve që transmetojnë zërin e Zhegrovës dhe efekteve zanore të zgjedhura me kujdes, të vendosura brenda një labirinti prej pëlhure të tejdukshme bojë vjollce. Kjo paraqitje unike sfidon perceptimet dhe përfshin një fjali të prerë “Si t’i ruajmë të gjitha këto jo si kujtim, por si vend” duke soditur mbi ruajtjen e kujtimeve si vende të prekshme. Ekspozita portretizon ndjeshmërinë e thellë të artistit ndaj ndërthurjeve të jetës, duke rrëfyer përvoja të ndryshme – përfshirë momente prekëse nga pasojat e luftës së Kosovës në vitet e nëntëdhjeta. Takimi me një qenush të trembur mes rrënojash në mënyrë të veçantë bëhet simbol i fuqishëm i bartjes së dhimbjes.

Me shpalosjen e një serie të re, “Entitetet”, skulpturat e Zhegrovës simbolizojnë arratinë rinore, që i ngjan kafshëve lodra prej druri nga fëmijëria e tij. Vizatimet adoleshente të artistit, të përshkruara si krijesa që shërbejnë si arratisje dhe çelësa për një botë tjetër, gjejnë shprehje në këto figura antropomorfe. Instalacioni realizohet brenda një pasqyrimi të fuqizimit dhe shoqërimit, duke u lidhur me shikuesin që simbolikisht mund të bëhet edhe krijuesi i këtyre figurave.

Ndërsa kalojmë nëpër ekspozitë, na del në pah një kështjellë e pikturuar me ngjyrë të bardhë, e vendosur strategjikisht mbrapa instalacioneve çorientuese, që shërben si sipërfaqe strehimi dhe projeksioni. Të frymëzuara nga kujtimet, vizatimet me akuarel në muret e kështjellës i nxisin shikuesit t’i bëjnë ata vetë lidhjet personale. Kjo përputhet me psikologjinë jungiane, ku projeksioni përfshin atribuimin e përmbajtjes arketipike nga psikika e dikujt në elemente të jashtme.

Dhoma e fundit merr qasje minimaliste kur shfaq intervenimin e artistit, “Oneness” (2023), një dritë e fuqishme që reflekton në dysheme. Ky kontrast i qëllimshëm me luksin e hapësirave të mëparshme ndihmon përfshirjen e drejtpërdrejtë të ekspozitës me vizitorët. Megjithatë, përfundimi lë pyetje të hapura për sa i përket transformimit të shikuesit në “The Entities” ose natyrën e pashkruar të kapitullit tjetër, duke nxjerrë në pah rolin e papërcaktuar të autorit në këtë rrugëtim kujtimngjallës.

Kokteji i hapjes mbahet të enjten, 7 dhjetor, nga ora 19:00 deri në orën 21:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita është realizuar me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Në 115 vjetorin e Kongresit të Manastirit, hapet në Prishtinë ekspozita “Një komb, një ABC”

Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë kanë hapur ekspozitën “Një komb, një ABC” në përvjetorin e 115-të të Kongresit të Manastirit apo Kongresit të Alfabetit, raporton Anadolu.

Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, tha se ekspozita nëpërmjet punës së punonjësve profesionalë të arkivave shfaqë materiale të përzgjedhura si foto dhe dokumente të Kongresit të Manastirit që nxjerrin në pah përpjekjet për standardizimin e alfabetit shqip.

“Kongresi i Manastirit përveç që vuri themelet e gjuhës së shkruar shqipe për gjithë hapësirën shqiptare, një e arritur kulmore pas përpjekjesh me vite për ngritjen e vetëdijes kombëtare duke shënuar një nga faqet më të ndritshme të historisë jo vetëm për gjuhën, kulturën apo shkencën, por edhe për përparimin e gjithëmbarshëm të kombit tonë”, theksoi Bislimi.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në Shqipëri, Ardit Bido, tha se me këtë rast festohet formësimi i identitetit kombëtar. Kongresi i Manastirit më 22 nëntor, sipas Bidos, ishte kulmimi i rilindjes shqiptare.

“Shqiptar nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha bashkësitë fetare që formësojnë kombin tonë u bashkuan për të mos u përçarë kombi shqiptar”, theksoi Bido.

Kongresi i Manastirit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, e udhëhequr nga Mid’hat Fashëri mes datave 14 nëntor – 22 nëntor në vitin 1908, që kishte për qëllim standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Këto data përbëjnë ditë përkujtimi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh (Elifba), pa llogaritur nënvariantet. / AA / KultPlus.com

“Stacion” po sjell ekspozitën e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 me artistët e nominuar

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor fton publikun për një ecje dhe bisedë nëpër ekspozitën e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 me artistët e nominuar Renea Begolli, Shkamb Jaka, Arbesa Musa e cila ekspozitë do të hapet më datë 29 nëntor, ora 19:00 tek Klubi i Boksit.

Ngjarja synon të krijojë hapësirë për diskutim me publikun në lidhje me punët dhe praktikën artistike të artistëve të nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023, hulumtimin, përvojën e tyre gjatë procesit dhe lidhjen e ekspozitës me dimensione të tjera shoqërore.

Shpallja e artistit fitues të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të bëhet me 2 dhjetor ora 20:00.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare, mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion – Qendrën për Art Bashëkohor Prishtinë, të marrin pjesë në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” dhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndimi në Residency Unlimited. Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Anëtarë të jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023: Julieta Aranda, artiste, bashkë-themeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e çmimit Artistët e së nesërmes 2022, me angazhim në Berlin dhe Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me angazhim në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Driton Selmani, artist, Prishtinë, ka zgjedhur tre artistët të nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023, artisët e rinj Renea Begolli, Shkamb Jaka, Arbesa Musa.

Sipas deklaratës së jurisë për tre artistët e nominuar, vepra e Renea Begollit e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj. Shtresimi në veprën e saj duket se pyet, si mund të përkthehet qielli i së ardhmes në të tashmen? Cilat janë shtresat që eksplorimi tekniko-shkencor njerëzor përpiqet t’i shtojë botës natyrore? A janë e ardhmja dhe territoret qiellore që mund të kontrollohen dhe përcaktohen nga njerëzit?

Artistja e nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023 Renea Begolli (1998) është artiste pamore dhe studiuese që punon në Prishtinë, Kosovë. Puna e saj artistike eksploron intimitetin, gjininë, kujtesën, izolimin, trupin, hapësirat, çështjet ekologjike dhe sociale, të shprehura kryesisht përmes pikturave, vizatimeve dixhitale, instalacioneve dhe video-artit. Në vitin 2021, ajo u diplomua në Pikturë (BA), në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës dhe në Universitetin Bournemouth, BA (Hons) në Sociologji dhe Antropologji Sociale, një shkëmbim një semestral me Erasmus+. Monedha (shtator-tetor 2023). Begolli aktualisht po punon si Asistente Kuratoriale për Bienalen e Kievit, Vjenë 2023, si pjesë e programit Artist-in-Residence në MuseumsQuartier në Vjenë. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, ajo ka punuar në Iniciativën e Historisë Gojore si studiuese dhe arkiviste. Në vitin 2022, ajo ka punuar edhe si koordinatore e programit dhe bashkëkuratore për Kosovën në Arkivin Sekondar. Si artiste, Renea ishte pjesë e disa shfaqjeve të artit në grup dhe pati një shfaqje solo këtë vit të titulluar “Pragu” në Galeria Qahili.

Punimet e saj u ekspozuan në disa ekspozita kolektive: “Pavijoni i Arteve Pamore”, Varg e Vi(Gjilan, 2022), “Hybrids in Sight”, në Termokiss(Prishtinë, 2022), “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në një histori të vërtetë” në Galeria Kombetare e Kosovës(2021), “Breathe” (@femartkosovo, 2021), “Viti i Ri, Artistë të Ri, Shpresa të Reja” në “Europe House” (2021), “Additions” (2020; Prishtinë, Mitrovicë) kuruar nga Blerta Hoçia, organizuar nga Fondacioni17, e më shumë.

Shkamb Jaka është një artist që tregon një gjuhë piktoreske të pjekur dhe të zhvilluar, që është qartësisht e tija dhe që lundron i qetë mes disiplinave të ndryshme artistike. Ai ka një botë referimi shumë interesante, të ankoruar në fizikën kuantike, astrofizikën dhe metafizikën, dhe përpiqet të sigurojë përfaqësime të qëndrueshme për fenomenet që përshkruhen në to, duke ngritur pyetjen se çfarë është e përfaqësueshme dhe si.

Artisti i nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023 Shkamb Jaka ka lindur në Gjakovë. Ka diplomuar në degën e Arteve të Bukura – Pikturë (BA dhe MA) në Universitetin e Prishtinës. Përveç mbajtjes së dy ekspozitave personale, “DisDeKodim” tek Menza Ramiz Sadiku, 2020 dhe “Veprim drithërues në distancë” në Paper Gallery, në vitin 2021, ka prezantuar punën e tij në ekspozita të ndryshme kolektive. Jaka ka qenë finalist i “Artistët e së nesërmes” në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, 2020, pjesëmarrës në ekspozitën “Bazuar në një histori të vërtetë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, 2021 si dhe së fundmi me prezantimin e veprës në ekspozitën “SOLO” në Qendrën e Praktikës Narrative, 2023. Interesat kryesore artistike të Jakës shkojnë nga vëzhgimi i sjelljes njerëzore, tek përvojat personale, tek teoritë dhe eksperimentet e ndryshme shkencore. Tani fokusi i tij është te fizika kuantike, metafizika dhe krijimi i vendeve utopike, bazuar në gjetjet e reja shkencore, duke i kthyer ato në art pamor.

Arbesa Musa është një artiste multidisiplinare e diasporës kosovare, e cila e përdor kujtesën e përvojës së saj në Kosovë si burim kryesor për punën e saj. Ajo përdor materialet e përditshme në mënyra delikate që lejojnë potencialin e tyre evokues dhe emocional të dalë përpara dhe të marrë përsipër.

Artistja e nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023 Arbesa Musa (1999) jeton dhe punon mes Zvicrës dhe Kosovës. Musa ka lindur në Gjenevë dhe është rritur në Ferizaj të Kosovës. Ajo u kthye në Zvicër në vitin 2017 për të vazhduar rrugëtimin e saj artistik. Nga viti 2017 dhe sot ajo punon në një studio në Gjenevë me artistin zviceran, Stéphane Brunner. Gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë, Arbesa mori 6 vite kurse pikture me artistin kosovar Alaudin Elezi, ku zhvilloi teknika të ndryshme pikture si vaj, akrilik, pastel apo edhe vizatime akademike. Me kthimin e saj në Gjenevë, ajo studioi në CFP Arts (Centre de Formation Professionelle Arts), ku filloi të punojë me media të ndryshme përveç pikturës, si skulptura, video, shkrimi dhe zëri. Në korrik të 2022, Arbesa u diplomua me një Bachelor në artet pamore në HEAD (Haute Ecole d’Art et Design), ku  punoi së bashku me Caroline Bachmann, Vidya Gastaldon dhe shumë të tjerë. Aktualisht, ajo është duke studiuar për Master në Artet e Bukura në Institutin Kunst, FHNW, Bazel.

Arbesa Musa është një artiste multidisiplinare dhe punon me teknika dhe mediume të ndryshme si pikturë, skulpturë, zë, performancë, tekst, instalacion, qëndisje etj. Fragmentet e jetës së përditshme dhe përvojat e saj si grua janë pikat kryesore të punës së saj. Roli gjinor, traditat, peisazhet dhe kujtimet marrin një rol të madh në kërkimet e saj. Ajo është gjithashtu shumë e lidhur me atdheun e saj dhe e përqendruar në rrëfimin e temave të ndryshme që shënuan jetën e saj. Tema që mund të jenë mjaft politike dhe provokuese. Një nga temat me të cilat Arbesa ka punuar së fundmi është “arti tradicional” ose “arti artizanal”, si qëndisja dhe endja, që për të përfaqëson një dialog me të gjitha gratë e tjera që kanë punuar me fije para saj dhe kanë mbetur jashtë artit, dhe historisë së arsimit. Arbesa përpiqet ta ndërtojë punën e saj bazuar në përvojat personale dhe kulturën popullore nga e cila është e rrethuar.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpallet me 2 dhjetor 2023 në Klubin e Boksit në Prishtinë, dhe mbyllja e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2023 do të jetë me 9 dhjetorë 2023.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë në Residency Unlimited, gjatë periudhës qershor/korrik 2024, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të
Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2025.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmimi kryesor për art për artistët e rinj bashkëkohor në Kosovë i organizuar nga nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Residency Unlimited në NewYork dhe The Trust for Mutual Understanding në New York.

Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol i margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesëve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artitike në, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të theksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e
kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndrroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyer ekselencën artsitike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit
“Artistët e së nesërmes” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimin e gjithmbarshëm të artit bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.

Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2023 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Hej Taxi, x-print dhe DZG. / KultPlus.com

Emra të njohur të artit pamor shqiptar, pjesë e ekspozitës vjetore e pikturës “Nëntor 26”

Në Galerinë FAB vjen ekspozita e përvitshme e pikturës shqiptare “Nëntor”. Ky është edicioni i saj i 26-të, me pjesëmarrjen e emrave më të njohur të artit pamor shqiptar.

Ekspozita e cila do të hapet pranë Universitetit të Arteve, është organizuar nga piktori Aleksandër Filipi.

Në “Nëntor 26” marrin pjesë: Anastas Konstandini, Adrian Devolli, Andi Hila, Artan Buca, Ardit Boriçi, Agron Mesi, Buron Kaceli, Dea Tili, Denisa Brahimi, Eniela Veveçka, Erion Bardhi, Erina Dibra, Fatmir Juka, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Taçi, Merita Selimi, Meri File, Nikolin Ivanaj, Nesti Taço, Pandeli Lena, Shpëtim Kërçova, Pëllumb Bylyku, Orlis Vathi, Zef Shoshi. Si dhe në cilësinë e të ftuarit: Besnik Erëbara, Lec Shkreli.

Ekspozita vjetore e nëntorit do çelet sot dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 30 nëntor. “Në të do të ketë kryesisht tablo kompozicionale, që me gjuhën e artit bashkëkohor tenton të trajtojë dhe probleme, që shoqërojnë në vazhdim jetën e vendit tonë”, është shprehur piktori dhe kuratori Aleksandër Filipi mbi pjesëmarrjen në këtë ekspozitë.  /atsh / KultPlus.com

Hapet edicioni i XI i ekspozitës “Net/Rrjet”, shpalos konceptin e ekzistencës në të përkohshmen

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me entuziazëm, në hapësirat e CNP-së është hapur edicioni i XI i “Net/Rrjet” – Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, nën përkujdesjen e Expoart.40, përcjell KultPlus.

Kuruar nga Bora Kelmendi Beqiraj, këtë vit, koncepti kuratorial ka qenë “Ekzistenca në t’përkohshme”. Vizualizimi i ideve mbi të përkohshmen është një tentativë për të afruar më pranë perceptuesit simbolin; hulumtimin; studimet; idetë; Si mjet për të deshifruar një pjesë gati personale të asaj se çfarë mendohet rreth ekzistencës në tërësi dhe specifikisht, atë se çfarë është e përkohshme, e që në këtë rast është relative. Duke inkurajuar reflektime mbi atë që saktësisht është permanente dhe çfarë abstrakton momentin e ekzistencës së saj.

Në këtë hapësirë të posaçme, materialet janë zgjedhur me kujdes, në atë formë që të neutralizojnë kufijtë midis fushës profesionale, e të krijohet një emërues i përbashkët që është ekzistenca në tërësi. E përkohshmja nuk ekziston vetëm në formë abstrakte por në fakt mund të jetë, e prekshme, e ndjerë, e perceptuar, dhe pjese e përditshmërisë. Për ta kontekstualizuar, ngritet pyetja: Cili është realiteti i të përkohshmes? në fund të fundit, çfarë realisht ekziston në përkohshmëri? Ekzistenca në sferën e disa realiteteve është ajo që shtyn njeriun për të menduar lidhur me afatet kohore të ekzistencës në një mënyrë për të eksploruar natyrën kalimtare të jetës dhe përvojës njerëzore.

Nëpërmjet këtij reflektimi tematik bëhet i kuptueshëm se si në mjaft raste kemi ekzistuar në situata të përkohshme duke i përjetuar ato si gjendje e përjetshme, e kjo e shndërron këtë projekt në një mjet për të ndërmjetësuar të kuptuarit të këtyre momenteve nëpërmjet reflektimit ne forma te ndryshme.

Duke shpërndarë një mesazh të fuqishëm dhe inkurajues, artistët pjesëmarrës ishin: Barbara Bernardi, Erion Kllokoqi, Estudio Yesporciento, Leonor Marttin & Aida Novarro, Mikel Temo, Patriza Mori, Rubin Kadiu, Renato Bocchi, Juan Carlos Quindós & Valentina Rizzi.

Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

“Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor” përmes ekspozitës së 18 nëntorit në KultPlus Caffe Gallery

Ekspozita “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor”, e cila paraqet një sërë fotografish dhe instalacionesh magjepsëse në printim fotografik, do të hapet të shtunën, 18 nëntor, në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo ekspozitë, e organizuar nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) të Kosovës, premton të prezantoj para vizitorëve disa vepra unike artistike nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Ky eveniment kulturor është mundësuar nga Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP), një program dinamik rinor që bashkon të rinjtë nga Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

 Ndërsa eksploroni ekspozitën, ju do të vëreni shkrirjen e ndikimeve tradicionale, duke pasqyruar peizazhet, historitë dhe identitetet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) luan një rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve krijuese të rinisë së rajonit, duke ofruar një platformë për shprehje dhe bashkëpunim. Për t’u thelluar në aktivitetet e grupit dhe për të mësuar më shumë rreth misionit të tyre, mund të ndiqni @wb_youth_partnership në Instagram.

“Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor” nuk është thjesht një ekspozitë; është një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë, për të lidhur komunitetet dhe për të nxitur një kuptim të përbashkët të trashëgimisë së pasur kulturore që përcakton Ballkanin Perëndimor.

“Bashkohuni me ne në KultPlus për një përvojë gjithëpërfshirëse që premton të nxisë bisedat për paqe dhe pajtim. Mos e humbisni këtë mundësi unike për të parë frymën e gjallë të Ballkanit Perëndimor të gjallërohet përmes botëkuptimit të RYPP, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ekspozita hapet më datë 18 nëntor, në ora 17:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

“Udhëtojmë”, ekspozitë, diskutim dhe promovim në Galerinë Qahili

“Udhëtojmë” titullohet aktiviteti në kuadër të së cilit Galeria Qahili mbrëmë hapi ekspozitën me punime dhe ilustrime të artistit Zamir Mati, përcjell KultPlus.

Njohës e adhurues të artit gjithashtu diskutuan me arkeologun e fjalës shqipe në shkrime prehistorike të Mesdheut, Ilir Mati, dhe në mënyrë paralele ishin pjesëmarrës në promovimin post-mortum të librit të shkrimtarit Kiço Blushit, “Beni ecën vetë”.

Kjo seri aktivitetesh u ndoq edhe nga ministri Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor.

Ministri po ashtu u prit nga artisti Eshref Qahili dhe bashkë vizituan atelienë me veprat e tij, duke e njoftuar kështu më punimet e reja dhe planet e procesin e tij të punës. / KultPlus.com

Paper Gallery dhe Prishtina Biennale hapin nesër ekspozitën e artistit Nusret Salihamixhiqi

Paper Gallery dhe Prishtina Biennale hapin nesër ekspozitën e artistit Nusret Salihamixhiqi, përcjell KultPlus.

Nusret Salihamixhiqi është një nga artistët modernist më të shquar të Kosovës. Duke elaburuar temat si: primitiven, ndryshimin e butë të figuracioneve të tij si fëmijë, peisazhet, linjat, përdorimin e ngjyrave, Salihamixhiqi u tërhoq qartë nga teknikat dhe idetë që qëndronin në themel të surrealizmit dhe brutalizmit të artit.

Artisti shfrytëzon maksimalisht të gjithë spektrin e ngjyrave për të shpalosur botën e tij kreative, piktori i racionalizon ngjyrat, i harmonizon ato sipas parimit të shpirtit të vet estetik.

Duke i parë pikturat dhe vizatimet e artistit nuk mund të mohohet brendësia e kompozimeve të tij piktorike, Salihamixhiqi duket se ka qenë më pak i magjepsur nga pavetëdija në vetvete sesa nga universet alternative që mund të sjellë në jetë.

Punimet e instaluara në hapësirën e Paper Gallery janë eksplorim i dekadave të punës së artistit, në të cilën fillojmë me vizatime e skica deri tek ‘loja’ në pikturë përmes së cilës artisti e krijoi stilin e tij unik. 

Ekspozita hapet nesër, më 12 tetor, ora 19:00 në Paper Gallery dhe do të qëndroj e hapur deri më 21.12.2023. / KultPlus.com

Piktorja Engji Jaha vjen me ekspozitë, sjell portretet e artistëve shqiptarë që lanë shenjë në botën e artit

Jeta Zymberi

Piktorja Engji Jaha po prezanton ekspozitën e saj të dytë personale, një ngjarje kjo që pritet të tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që kanë pasion artin, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë të veçantë, piktorja Jaha sjell 20 portrete të rralla të artistëve të njohur shqiptarë, duke ofruar një pasqyrë të thellë të talentit dhe ndikimit të tyre në botën e artit.

Çfarë e bën këtë ekspozitë të jashtëzakonshme është jo vetëm kualiteti i punës së piktores Engji Jaha, por edhe përzgjedhja e saj e artistëve të portretuar dhe mënyra e tyre e paraqitjes. Portretet janë të pikturuara me teknikën e vajit mbi pëlhurë, duke krijuar një efekt të veçantë dhe duke dhënë ndjenjën e një kinematografie të vjetër evropiane.

“Unë kam vendosur t’ia dedikoj këtë cikël artistik portreteve të artistëve të njohur shqiptar. Këto vepra arti, përfshijnë njëherazi dhe shumë breza të ngritura, të fushave të ndryshme artistike, që kanë qenë dhe janë kontribuues të drejtpërdrejtë në mbarë botën”, thotë Engji për KultPlus.

Pëlhura i jep këtyre veprave një theks të veçantë dhe një atmosferë nostalgjike, ndërsa ngjyrat e vajit përcjellin emocionin dhe thellësinë e çdo personazhi.

“Janë 20 vepra dhe të gjitha janë pikturuar me ngjyra vaji në pëlhurë. Nëse shihen në tërësi, ato japin ndjesinë e një kinematografie të vjetër evropiane, që ndërveprojnë dhe mund të them se duken se kanë një bisedë artistike me njëri-tjetrin. Ashtu siç shprehet edhe Aristoteli në shkrimet e tij se: “Qëllimi i artit nuk është të përfaqësojë
pamjen e jashtme të gjërave, por rëndësinë e tyre të brendshme. E bukura nuk ka të bëj me bukurinë. E bukura nuk përfaqëson përherë të bardhën e ndritshme, ajo shpesh herë na paraqitet dhe si e errët, ajo është më shumë se kaq, është një ndikim, një komunikim apo çoftë dhe një emocion”, thotë Engji.

Piktorja Engji Jaha ka investuar kohë dhe pasion të madh në këtë temë artistike, dhe kjo ekspozitë është produkti i një hulumtimi të gjatë dhe të thellë mbi psikologjinë e portretit. Ajo ka arritur të kapërcejë thjeshtësinë e një portreti dhe të na sjellë diçka më shumë, diçka që na jep mundësinë të eksplorojmë thellësinë e qenies së personave të portretuar.

“Duke qenë se jemi të ndërtuar biologjikisht për të pasur tërheqje më njëri-tjetrin, atëherë krijimi i shumë portreteve njëherësh të jep mundësinë e interpretimit të emocioneve për portretin e tjetrit si diçka thelbësore për ekzistencën tonë”, thotë për fund artistja.

Ekspozita do të hapet më datë 12 tetor, ora 18:00 në Grand Hotel Prishtina, 13th Rooftop./ KultPlus.com

“Themeli”, ekspozita që ndërthur poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në Muzeun e Amsterdamit

Jeta Zymberi

Një titull me peshë, një titull që mbart shpirtin dhe historinë e një populli, “Themeli” është fjala që përthekoi punën e dy artistëve shqiptarë, Luan Buleshkaj dhe Arijan Zymeraj për të prezantuar një copë Kosove në një vend të veçantë, siç është Muzeu i Amsterdamit.

Për një shqiptar të rritur larg vendlindjes së tij, “Themeli” është më shumë se një fjalë – është një kujtim i vendlindjes, një lidhje me rrënjët dhe një dëshirë për të përjetuar dhe ndarë trashëgiminë kulturore me botën, shkruan KultPlus.

“Themeli” është një përpjekje plot pasion e këtyre dy artistëve, për të zbuluar thelbin e popullit kosovar dhe të shpërndajë këtë njohuri me botën nëpërmjet poezisë dhe fotografisë.

Muzeu i Amsterdamit ka hapur dyert për këtë ngjarje të veçantë, ku poezia dhe fotografia përplasen për të sjellë historinë dhe kulturën e Kosovës të nxjerra nga një udhëtim i veçantë i këtyre dy artistëve në Kosovë, në veçanti në qytetin e bukur të Istogut.

Në një intervistë për KultPlus, artistët kanë zbuluar më shumë rreth këtij projekti inspirues.

Projekti “Themeli” lindi si ide e Luan Buleshkajt, një artist me ngjyra të ndryshme në biografinë e tij. I lindur dhe i rritur në Amsterdam, me rrënjë shqiptare, ai bëri emër më së shumti si reper, por që kur u fut në botën e poezisë ai ka performuar në shumë skena të njohura në Holandë.

“Gjithmonë kam pasur dëshirën që të kombinoj poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në një mënyrë unike”, tha Luani i cili tregon se kur u takua me fotografin Arijan Zymeraj kuptoi që ky ishte kombinimi perfekt për realizimin e këtij projekti.

Bashkë, ata kuptuan se kishin një mision të përbashkët, për të eksploruar dhe shpërndarë historinë dhe emocionet e Kosovës nëpërmjet artit.

Kosova është një vend i pasur me histori të ndryshme ku pothuajse nga secila familje mund të nxjerrësh rrëfime fantastike. Edhe për këta dy artistë, historitë e familjes së tyre ishin burimi kryesor frymëzues për këtë projekt.

“Historitë e babait tim dhe anëtarëve të familjes më kanë frymëzuar. Tregime nga historia e Istogut. Përralla popullore klasike por edhe histori rreth luftës. Më kanë prekur më së shumti historitë e gjyshit. Ai ishte këngëtar dhe aktivist politik”, tregon Luani për KultPlus.

Njëjtë është edhe për Arijanin, i cili në këtë ekspozitë do të ndaj me publikun edhe një pjesë shumë personale.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të ndaj fotografitë e gjyshit tim gjatë kësaj ekspozite 5 mujore dhe ta bëj të pavdekshme historinë e tij”, thotë Arijani.

Arijan Zymeraj dhe Luan Buleshkaj

Edhe pse ekspozita do të hapet në Muzeun e Amsterdamit, titulli mbetet në gjuhën shqipe, “Themeli”. Fotografi shqiptar i cili jeton dhe vepron në Holandë, Arijan Zymeraj, fotografitë e të cilit kanë arritur të marrin vëmendje në Holandë, një arsye kjo që vazhdon ta nxisë për të punuar vazhdimisht, ka treguar më shumë rreth idesë së titullit të ekspozitës.

“Ne e quajtëm projektin “Themeli” sepse njerëzit për të cilët flitet dhe janë fotografuar janë themeli i popullit shqiptar të Kosovës sot, sepse ata kanë luftuar për të na dhënë një të ardhme neve”.

Udhëtimi nëpër Kosovë për të kapur historitë dhe emocionet ishte një përvojë e pasur dhe ndikuese për artistët. Fotografi tregoi se pavarësisht bukurisë së vendit, udhëtimi kishte edhe sfidat e veta.

“Përvoja ishte e bukur por edhe e vështirë. Të dëgjosh historitë e njerëzve në Istog për kohën e tyre gjatë okupimit është diçka që nuk dëshiron ta dëgjosh çdo ditë. Por arsyeja pse vazhduam është diçka për të cilën gëzoj më shumë respekt”, shprehet Arijani.

Në ekspozitën “Themeli,” dy artistët trajtojnë tema të ndryshme, por disa prej tyre janë më shumë në fokus. Arijani theksoi se një nga temat kryesore është brezi i vjetër që ka guxuar të ndërmarrë hapa kundër pushtimit. Por edhe se si Kosova ende po punon për të rindërtuar vendin e saj.

Ndërsa Luani u shpreh se ekspozita është më shumë se një pasqyrim i historisë së Kosovës.

“Kosova është më shumë se luftë dhe tragjedi. Është një vend historik me histori të pa treguara. Ne i përcjellim ato histori të pa treguara përmes fotografisë dhe poezisë”, thotë Luani.

Sipas artistëve, e veçanta e kësaj performance në Muzeun e Amsterdamit është aspekti njerëzor.

“Ne i qasemi çdo gjëje nga këndvështrimi njerëzor. Nga vetë populli shqiptar. Por edhe nga diaspora shqiptare. Mendoj se kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë do të bëhet shumë e njohur për publikun këtu” thotë Luani.

Krejt për fund, artistët na shpalosën se tashmë kanë nisur punën që ekspozitën e njëjtë ta sjellin edhe në Kosovë.

“Ne patjetër që dëshirojmë ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë. Poezitë janë në anglisht por janë përkthyer edhe në shqip. Këtë e bëmë pikërisht për këtë qëllim, sepse duam ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë”, përfundon Luani.

Ekspozita “Themeli” do të hapet nesër më datë 6 tetor në Muzeun e Amsterdamit dhe do të qëndroj e hapur deri më 25 shkurt të vitit 2024. / KultPlus.com