Era Berisha
“Pikë Uji” është një dramë sociale e realizuar me mjeshtëri nga regjisori shqiptar Robert Budina, që u dha mbrëmë premierë në Cineplexx në Prishtinë. Filmi sjell në qendër të tij historinë e Aidës, një gruaje të suksesshme në karrierë dhe nënë e përkushtuar, e cila përballet me një krizë të thellë kur i biri adoleshent akuzohet për një krim të rëndë. Ajo gjendet e përballur me një dilemë morale të madhe: a duhet të përdorë lidhjet e saj për ta shpëtuar të birin, apo të lejojë drejtësinë të ndjekë rrugën e saj? Filmi nuk është vetëm një histori personale, por një pasqyrë shqetësuese e shoqërisë shqiptare dhe ballkanike, ku fuqia, korrupsioni, privilegji dhe heshtja shpesh zëvendësojnë të vërtetën dhe drejtësinë.
Shqipëria e përzgjodhi “Pikë Uji”-n si përfaqësuesin e saj zyrtar në garën për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar në Academy Awards 2025 (Oscars). Zgjedhja e tij si përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë në Oscars 2025 për kategorinë ‘Filmi më i mirë ndërkombëtar’, është më shumë se një nder – është një akt afirmimi për një kinematografi që po gjen zërin e saj, edhe në temat më të ndjeshme dhe më të errëta.
Në qendër të filmit është Aida, e interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga aktorja Gresa Pallaska. Roli i saj është i ngarkuar emocionalisht dhe i ndërlikuar: një grua e vendosur, e aftë dhe e zonja, që gradualisht rrëzohet nga pesha e ngjarjeve dhe nga përplasja mes dashurisë për fëmijën dhe parimeve të saj morale. Përmes saj, regjisori Budina sjell një narrativë të ndërtuar me kujdes, ku çdo zgjedhje që Aida bën ka pasoja – jo vetëm për të, por për një shoqëri të tërë që vazhdon të heshtë përballë padrejtësisë. Filmi eksploron tema si abuzimi me pushtetin, seksizmi institucional, dhe përçarja e një sistemi të kalbur që shpesh favorizon ata që kanë lidhje.
“Pikë Uji” është një vepër kinematografike që nuk ofron zgjidhje të thjeshta apo përfundime të mbyllura. Është një film që provokon, që të detyron të mendosh për vendin tënd, për sistemin ku jeton, dhe për çmimin që prindërit janë të gatshëm të paguajnë për të mbrojtur fëmijët e tyre. Me një mjeshtëri të hollë regjisoriale, një aktore protagoniste që mbart peshën e një shoqërie të tërë mbi supe, dhe një skenar që shkon thellë në psikologjinë individuale dhe kolektive, ky film përfaqëson një nga arritjet më të mëdha të kinemasë shqiptare të viteve të fundit. Ai është një thirrje për të mos heshtur më përballë padrejtësisë – një pikë uji që çan heshtjen.
Ky film nuk është thjesht një dramë sociale. Është një reflektim artistik, politik dhe psikologjik mbi shoqërinë ballkanike të sotme – mbi mënyrën se si lidhjet e gjakut, frika, turpi dhe korrupsioni bashkëveprojnë për të mbuluar krimet më të rënda. Një vepër që përdor gjuhën e kinemasë për të ndërtuar një poezi të zymtë, ku çdo imazh, objekt dhe heshtje ka një domethënie më të thellë.

Bashkëproducenti i filmit, Luan Kryeziu, bëri hapjen e kësaj premiere, duke sqaruar mungesën e aktorëve në rolet kryesore dhe duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.
“Përshëndetje për të gjithë ju që jeni të pranishëm këtu sonte. Ju kërkoj ndjesë për mungesën e aktores Gresa Pallaska dhe Adem Karagës, të cilët janë duke u trajtuar në spital dhe, për fat të keq, nuk kanë mundur të jenë të pranishëm. Po ashtu, dua të falënderoj secilin prej jush për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj. E di që e doni filmin dhe artin, dhe në veçanti dua të falënderoj Kryeministrin e Kosovës për praninë e tij sonte këtu me ne. Dua ta përmbyll këtë fjalim me një fjali që e kam dëgjuar diku dhe që më ka mbetur në mendje: “Filmi është si ato xixat e vogla në errësirë që nuk ndriçojnë shumë, por gjithmonë të tregojnë rrugën. E nganjëherë, ato mund të ndizen aq shumë flakë, sa të djegin tërë malin ose të ndriçojnë tërë ambientin.” Kjo do të thotë se filmi gjithmonë ka vlerë. Dhe ju që keni durim dhe na përkrahni – ju faleminderit nga zemra.”

Filmi hapet me një skenë që është, në vetvete, një parathënie simbolike: një telefon celular bie në ujë. Ky akt i parë është më shumë se një moment aksidental – është një metaforë e qartë për zhdukjen e provave, për fundosjen e së vërtetës, për heshtjen që zë vendin e drejtësisë. Ky telefon do të kthehet më vonë si pjesë e një enigme tragjike: një provë vendimtare e mbytur, e paqasshme, e harruar nga sistemi që duhet të zbulojë të vërtetën.
Uji në film është gjithmonë i pranishëm – si element, si atmosferë dhe si simbol. Jo rastësisht, një prej vendeve ku zhvillohen ngjarjet është liqeni i Ohrit, i cili në mitologjinë vendase thuhet se “nuk mban trup të vdekur brenda”. Në film, kjo legjendë është transformuar në një deklaratë të hidhur metaforike: “asgjë nuk qëndron dot e fshehur përgjithmonë – edhe kur përpiqesh ta fundosësh”.
Në qendër të rrëfimit është Aida, e interpretuar me një intensitet emocional dhe tronditës nga Gresa Pallaska. Aida është një profesioniste e suksesshme, e zonja, një nënë e përkushtuar – por njëkohësisht një grua e vetmuar përballë sistemit dhe realitetit që kërcënon ta përpijë. Kur i biri i saj, Marku, akuzohet për përdhunimin e një vajze të re – dhe më vonë implikohet në vdekjen tragjike të saj – Aida gjendet përballë një dileme që shkund çdo prind: ta shpëtojë me çdo kusht djalin, apo ta lejojë drejtësinë të ndjekë rrugën e saj? Rrëfimi është i ndërtuar me shumë kujdes dhe pa shabllone melodramatike. Budina nuk kërkon të japë fajtorë të thjeshtë apo të pastrojë ndërgjegjen e askujt. Aida nuk është heroinë, por as e keqe – ajo është një pasqyrë e konfliktit të brendshëm që jeton çdo njeri në një sistem ku rregullat vlejnë vetëm për të dobëtit.

Arben Bajraktaraj në rolin e bashkëshortit të Aidës sjell një performancë të matur dhe emocionalisht të ngjeshur. Ai portretizon një burrë që, përkundër përpjekjes për të ruajtur qetësinë, ndjen peshën e fajit dhe pamundësisë për ta ndihmuar familjen në një moment kaq të errët. Në skenat me Gresa Pallaskën, ndjenja e tensionit midis tyre është e dukshme – Bajraktaraj i jep rolit një përzierje të frikës, dëshpërimit dhe heshtjes që flet më shumë se fjalët. Prania e tij krijon një ndjesi se nën sipërfaqe fshihet një histori më e thellë e fajit dhe e tradhtisë, duke forcuar atmosferën e errët dhe psikologjike të filmit.
Astrit Kabashi, në rolin e avokatit të familjes, e portretizon një figurë të dyfishtë – mbrojtës ligjor dhe njëkohësisht një individ që luan me kufijtë e moralit. Me një qasje të qetë por vendimtare, Kabashi jep një interpretim që rrëfen jo vetëm përkushtimin për çështjen, por edhe ambiguitetin e një sistemi të korruptuar ku ligji dhe drejtësia shpesh ndahen. Ai arrin ta mbajë shikuesin në një gjendje dyshimi: a është avokati një ndihmës i sinqertë, apo pjesë e mekanizmave që e çojnë Aiden drejt një rruge pa dalje? Loja e tij aktoriale është e përmbajtur, por e ngarkuar emocionalisht, duke krijuar një tension konstant në çdo paraqitje.
Një nga aspektet më origjinale dhe të sofistikuara të filmit është përdorimi i peshqve si metaforë për shoqërinë dhe pushtetin. Një nga skenat e personazheve në pushtet është filmuar përmes një akuariumi të vendosur para kamerës, duke bërë që peshqit të notojnë “sipër” tyre. Kjo krijon një efekt vizual të jashtëzakonshëm: njerëzit që flasin për drejtësi, para dhe manipulim, duken si në një botë të zymtë ujore, të shkujdesur, të huaj, sikur janë vetë peshq të mëdhenj në një sistem që ha më të vegjlit. Kjo simbolikë thellohet në mënyrë të shkëlqyer edhe përmes skenave të shumta në restorante, ku bisedat për drejtësinë dhe ndikimin bëhen ndërsa hahet peshk. Kamera ndalet mbi pjatat ku shpinat e peshqve zhbëhen ngadalë – një koment vizual mbi mënyrën sesi njerëzit në pushtet konsumojnë gjithçka rreth tyre, pa pendesë, pa ndjeshmëri – përfshirë edhe të vërtetën.
Filmi eksploron në mënyrë të drejtpërdrejtë raportin e kalbur midis pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë. Kryetari i Bashkisë – një figurë që ka gjithçka: kontroll, para dhe ndikim – është një nga motorët kryesorë të deformimit të drejtësisë. I biri i tij është përfshirë në përdhunim – por në vend që të përballet me pasojat, ai zhduk çdo pengesë që mund të rrezikojë imazhin dhe pozitën e tij.
Në një nga skenat më të ftohta dhe më ironike të filmit, kamera fokusohet mbi një frazë të njohur në murin e sallës së gjyqit: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit.” Por ajo që shohim në ekran e rrëzon plotësisht këtë thënie. Ligji në film nuk është më një sistem i drejtësisë, por një mekanizëm që kontrollohet nga ata që kanë para dhe lidhje. Filmi nuk ka nevojë të bërtasë këtë mesazh. Ai e jep me qetësi, me kthjelltësi, dhe pikërisht për këtë është tronditës. Heshtja është më e fortë se britma.

Në pjesën e fundit të “Pikë Uji”, pas gjithë tensionit, hetimeve dhe ngarkesës emocionale, shohim që Marku lirohet. Procesi nuk vazhdon më. Prokurori i parë largohet, dhe një i ri, i kontrolluar nga kryebashkiaku, merr frenat. Të gjitha akuzat ndalen, gjithçka “qetësohet”, dhe pamjet filmike kthehen në ton të ftohtë dhe të heshtur. Shikuesi kupton se drejtësia nuk u arrit – ajo u ndal, u ble, u mbyt në ujë – si provat në fillim të filmit. Në këtë pikë, vjen një nga simbolet e filmit: Aida, në heshtje, i vendos sërish unazat në gishtërinjtë e saj. Në një nga skenat e para të filmit, unazat shfaqen për herë të parë: tre unaza të vendosura mbi tre mbajtëse si “kulla” në dhomën e Aidës. Por në një skenë afër fundit – pasi gjithçka është “mbyllur”, sistemi ka rikthyer heshtjen, dhe faji është larë me para – Aida i vendos sërish unazat. Skena nuk ka zëra të mëdhenj, as përballje të hapura. Aida nuk proteston. Ajo nuk gëzon, por as nuk qan. Ajo pranon, në heshtje, që sistemi ka fituar. Dhe për të mbijetuar, ajo duhet të rikthehet te rolet e saj, te “forma” e saj e jashtme.
Në fund, gjithçka duket se është kthyer në vend. Procesi ndalet, drejtësia hesht, pushteti fiton. “Pikë Uji” nuk mbyllet me ndriçim, por me një kthim në rutinë që fsheh thellësinë e dëshpërimit njerëzor dhe kolektiv. Një film që të ndjek jo sepse bërtet, por sepse të përshkon me heshtje – si një pikë uji që s’duket, por shpon gjithçka.
Në skenën e fundit të “Pikë Uji”, jemi sërish në tryezë – ashtu si shumë herë gjatë filmit, ku bisedat më të rënda zhvillohen nën aromën e peshkut dhe tingujt e lugëve në pjata. Por këtë herë, atmosfera është ndryshe: qetësi, harmoni e shtirur, një lloj lehtësimi i rremë. Të gjithë janë “mirë”. Nuk flitet për vajzën që humbi jetën. Nuk përmendet më drejtësia. Gjithçka ka kaluar – jo sepse është zgjidhur, por sepse është mbytur. Kjo darkë përfaqëson fitoren e hipokrizisë sociale, rikthimin e skemës së përditshme që mbulon të gjitha tragjeditë me napën e bardhë të një tavoline familjare. Budina nuk na jep mbyllje me konflikt, as me ndëshkim – na jep normalitetin si ndëshkim për ndërgjegjen.

Premiera kombëtare e filmit u mbajt më 12 shtator 2024 në Kinema Millennium në Tiranë, ku pati një pritje shumë të ngrohtë nga publiku dhe kritika. Më pas, dje u shfaq në Cineplexx Prishtina, ku gjithashtu u prit me interes të madh. Reagimet e para vlerësuan guximin e trajtimit tematik, regjinë e kontrolluar të Budinës dhe performancën e shkëlqyer të Gresa Pallaskës. Në një vend si Kosova, ku temat e drejtësisë, sistemit patriarkal dhe mosndëshkueshmërisë janë ende thellësisht të ndjeshme, “Pikë Uji” erdhi si një thirrje për reflektim dhe debat.
Pas suksesit në Shqipëri dhe Kosovë, “Pikë Uji” nisi udhëtimin e tij ndërkombëtar me pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë më 13 tetor 2024, ku u përfshi në garën kryesore. Filmi më pas u shfaq edhe në festivale të tjerë evropianë, si Sofia Film Festival dhe Festivalin e Filmit në Cottbus, Gjermani, ku konkurroi për çmimin e publikut dhe çmimin e madh të jurisë. Pritja ndërkombëtare ishte mjaft pozitive, dhe kritikët e quajtën filmin “një pasqyrim i kthjellët i një realiteti të heshtur”. Revista Variety e cilësoi si “një fabul moderne për korruptimin e ndërgjegjes njerëzore”, ndërsa Cineuropa vlerësoi “forcën psikologjike dhe ndërtimin e qëndrueshëm dramatik”.
“Pikë Uji” është një bashkëprodhim ndërkombëtar që bashkon Shqipërinë (EraFilm), Kosovën (Iliria Film), Italinë (Redibis Film) dhe Rumaninë (Avanpost Production). Filmi është realizuar me mbështetjen e institucioneve të rëndësishme si Creative Europe MEDIA, Qendra Kinematografike e Kosovës, MIBAC Italia dhe SEE Cinema Network. Kjo përfshirje ndërkombëtare i ka dhënë filmit një nivel të lartë teknik dhe estetik. Kinematografia është e kujdesshme, me një qasje të ftohtë dhe reale që përcjell tensionin psikologjik dhe izolimin emocional të protagonistes. Tingujt, heshtjet dhe muzika përdoren me elegancë për të krijuar një atmosferë të ngarkuar dhe të pasigurt, që e mban spektatorin gjithnjë në vigjilencë./ KultPlus.com