Shoqata e Botuesve të Kosovës tashmë ka bërë të ditur se janë gati për edicionin e radhës së Panairit të Librit në Prishtinë, dhe se në këtë vit do të prezantohen rreth 100 shtëpi botuese me rreth 2 mijë botues, shkruan KultPlus.
Poashtu është bërë e ditur se në këtë vit do të shënohet 100 vjetori i lindjes së At Zef Pllumit dhe 100 vjetori i vdekjes së Franz Kafkës, sikurse që do të bëhet botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosës.
Ndërkohë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës lidhur me këtë ngjarje.
PANAIRI I 24-T I LIBRIT “PRISHTINA 2024”
Kemi filluar tashmë numërimin mbrapsht deri në ditën kur të gjithë pasionantët e librit takohen në kryengjarjen e fushës së librit: Më 5 qershor, çel dyert Panairi i 24-t i Librit “Prishtina 2024”!!!
Me moton “Përgjigjja është libri” vjen edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.
Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor në orën 19:00.
Hyrja për vizitorë: pa pagesë!
Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.
Përvjetorët që shënohen në Panairin e 24-t të librit janë:
– 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit
– 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas
Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:
– I ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots
– Botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.
Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë./ KultPlus.com