Kosova në Panairin e Librit në Frankfurt

Edhe këtë vit Kosova është pjesë e panairit më të madh të librit në botë që po mbahet në Frankfurt, Gjermani. Një rast shumë i mirë për të gjithë që të njoftohen me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare.

Aty po prezantohen mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës, ndër to edhe botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Panairi i Librit këtë vit fokusohet në temën e përkthimit në shumë drejtime: në gjuhë, format e tjera të mediumeve dhe konteksteve – dhe nevojës për mirëkuptim dhe komunikim ndërkulturor.

Kosova është e pranishme në sallën 4.0 stenda C99, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj./ KultPlus.com