Panairet lokale janë kthyer në një traditë të mirë për zona të ndryshme të vendit, me ndikim në promovimin e produkteve tradicionale dhe zgjerimin e tregjeve të shitjes së tyre.
Përrenjasi, një qytet i vogël në juglindje të vendit, ka organizuar për herë të parë Panairin Agroturistik. Të shumtë ishin banorët e zonës të cilët prezantuan prodhimet e zonës, por edhe punët e dorës.
Qëllimi i panairit ishte promovimi dhe nxitja e brezit të ri për të trashëguar zanate dhe tradita nga paraardhësit.
“Këto punimet i kam bërë të gjitha me dorë, punime gipsi janë, i kam punuar vetë. Zanatin tim dua t’ja trashëgojë djalit tim, por pse jo edhe të rinjve të tjerë që duan të merren me këtë punë”, thotë një artizan në moshë të thyer.
Si hera e parë në zhvillimin e panairit, pjesëmarrësit, zejtarë, fermerë dhe artizanë u shprehën optimist për risitë që solli ky aktivitet në nxitjen e ndërveprimit mes prodhuesve dhe promovimin e prodhimeve të zonës që rritën interesin e blerësve.
Kreu i bashkisë së qytetit të Përrenjasit tregoi se këto nisma do të kthehen në traditë, por nuk dha një zgjidhje për problemet me të cilat hasen këta shitës.
“Ky panair do t’i shërbejë shumë gjithë fermerëve të cilët merren me kultivimin e prodhimeve bio të bashkisë së Përrenjasit, për t’u dhënë mundësi të dalin ne treg. Unë besoj që ky panair është në ditën e parë por çdo vit ky panair do të kthehet ne traditë”, tha kryebashkiaku Nuri Belba./ atsh / KultPlus.com